Gjendje Emergjence – Kriza e Ujit Të Pijshëm Mbërthen Tiranën

385 0

Tirana është në Gjendje Emergjence! Thatësira dhe i nxehti i këtyre ditëve ka shkaktuar krizë të thellë në furnizimin me ujë të pijshëm. Alarmi vjen nga vet Bashkia e Tiranës, ku sot, Kryebashkiaku Erjon Veliaj ka mbledhur në mënyrë të menjëhershme Task Forcën për të diskutuar dhe marrë masat mbi kërcënimin që vjen nga thatësira për ujin e pijshëm si dhe pasojat që vijnë nga temperaturat e larta të këtyre ditëve.

“Sot Tirana në gjendje emergjente për ujin. Qytetarët të kontrollojnë fqinjët e vetmuar. Numri 112 i Urgjencës aktiv për ndihmë. Në kushte ekstreme është evidentuar mungesa e ujit, momentalisht kemi krizë që prek 10-15 % të popullsisë së Tiranës, kryesisht në zonat Yzberisht, Unaza e Re, Astir. Tirana është në gjëndje emergjente, nëse do të jetë nevoja do të shpallet në të gjithë qarkun” ka bërë të ditur Veliaj.

Edhe Ujësjellësi i Tiranës, duke u nisur nga thatësira e zgjatur, moti i nxehtë dhe mungesa e reshjeve të shiut gjatë muajve të fundit, ka sjellë në vëmendjen e qytetarëve dhe ka kërkuar mirëkuptimin e tyre për përdorimin me kursim dhe përgjegjësi qytetare të ujit të pijshëm.

UKT ka pohuar gjithashtu se në kushtet e një thatësire të tillë ekstreme nuk mundet të garantojë dot furnizimin 100 % me ujë të pijshëm për të gjithë qarkun e Tiranës, ndaj dhe ka paralajmëruar nisjen e kufizimeve të ujit të pijshëm në disa zona të Tiranës.

Për disa zona të izoluara, të cilat janë edhe pika fundore e rrjetit të shpërndarjes të ujit, në të cilat mund të vërehen kufizime, Ujësjellësi i Tiranës ka bërë me dije se janë marrë të gjitha masat, duke vënë në dispozicion botet e ujit në mënyrë periodike.

Dita e sotme është përfshirë nga ndikimi i masave ajrore të nxehta e të thata në të gjithë territorin shqiptar. Sipas Meteoalb, në zonat veriore do të ketë herë pas here edhe vranësira të lehta. Temperaturat e mesdites mbeten shumë të larta ndërsa prania e lagështirës në ajër do të theksojë nxehtësinë edhe gjatë orëve të natës dhe të paradites.

Ndërkohë situata e thatësirës pritet të mbizotërojë edhe ditët në vijim madje duke u bërë edhe më përvëluese.

Po sipas Meteoalb, mesdita e së premtes por edhe e shtuna do të jenë më të nxehtat e kësaj jave. Pritet që temperatura maksimale të ngjitet mbi 40 grade celcius./AgroWeb.org