Pikat e Arta të Ujit!

357 0

Në 22 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Ujit, kur njerëzit e kthejnë vëmendjen tek vendet që vuajnë nga mungesa e burimeve ujore duke kërkuar zgjidhje, duke kursyer çdo pikë ujë për shpëtuar jetë, në Shqipëri ne e kemi harruar çezmën hapur.

A e di se 67.2% e sasisë së ujit në Shqipëri shpërdorohet?

Në shumë qytete të Shqipërisë, furnizimi i ujit në burim është rreth 500 deri 700 litra për frymë në ditë, por rrjedhjet dhe humbjet tregojnë se vetëm një pjesë e vogël e ujit të prodhuar arrin tek konsumatori. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 60 për qind e të gjithë sasisë së ujit humbet apo keqpërdoret.

Uji i pastër është një domodsoshmëri jetike për njerëzimin në përgjithësi, por jo të gjithë shqiptarët mund të kenë ujë të pastër për konsum të përditshëm.

Mesatarisht, uji është në dispozicion vetëm 3-4 orë në ditë, dhe zona të caktuara furnizohen vetëm një herë në tre ditë me ujë. Ndaj, gjithsecili prej nesh duhet të ndërgjegjësohet për të kursyer çdo pikë uji. Duke kursyer ujë gjatë rutinës së përditshme, përveçse kursejmë para, është edhe një mënyrë e mënçur në mbrojtje të mjedisit, veçanërisht për hir të mungesës në rritje të ujit të pastër, shkaktuar nga niveli i ndotjes së ujit.

AgroWeb, bazuar në të dhënat e Circle of Blue është përpjekur të identifikojë dhe të nxjerrë në pah rëndësinë e ujit të pastër dhe 10 informacione kryesore që duhet të dini mbi konsumin e ujit.

10 fakte që duhet t’i dish:

1- 70% e sasisë së përgjithshme të ujit në botë përdoret për bujqësinë. Në Shqipëri, sektori i bujqësisë është përdoruesi më i madh i ujit me rreth 60% të sasisë totale. 22% e ujit në botë përdoret në industri dhe 8% për përdorim në shtëpi. Shtetet me të ardhura më të larta konsumojnë 30% të ujit për bujqësinë, 59% për industrinë dhe 11% për përdorim në shtëpi.

2 – Një pikë karburant mund të bëjë të papijshëm 25 litra ujë.

3 – Një njeri mund të jetojë një muaj pa ngrënë por vetëm 5-7 ditë pa ujë.

4 – Nga e gjithë sasia e ujit në në tokë, 97.5% është i kripur dhe 2.5% i ëmbël. Nga ky ujë rreth 70% është në akuj dhe 30% në tokë, duke lënë më pak se 1% (.007) në përdorim të njerzimit.

5 – Një ‘gjurmë’ uji është ajo sasi e ujit e përdorur gjatë gjithë proçesit të prodhimit të një produkti të caktuar. Për shembull për 1kilogram mish është përdorur rreth 16,000 litra ujë (pra që prej ushqimit e mirëmbajtes së kafshës apo shpendit dhe deri në prodhimin e mishit për konsum); për prodhimin e një flete letre është përdorur rreth 10 litra ujë dhe për një filxhan çaji 35 litra ujë.

6 – Duhen rreth 94.5 deri në 189.3 litra ujë për të bërë një dush prej 5 minutash; 7.6 deri në 26.5 litra për të shkarkuar tualetin; 7.6 litra për të larë dhëmbët dhe 75.7 litra për të larë enët me dorë.

7 – 6,000 fëmijë humbin jetën çdo ditë për shkak të sëmundjeve të lidhura me ujin, por që mund të evitohen.

8 – 1.1 miliardë njerëz në botë nuk kanë të ujë të pijshëm të mjaftueshëm, 2.6 miliardë njerëz nuk konsumojnë ujë të pastër.

9 – Një Europian mesatarisht përdor 250 litra ujë në ditë. 1.1 miliard njerëz në botë nuk kanë mjaftueshëm ujë të pijshëm, duke përdorur më pak se 19 litra në ditë.

10 – Një Europian mesatarisht përdor rreth 13.2 herë më shumë ujë se sa një person që nuk ka mjaftueshëm ujë të pijshëm.

Burimet e ujit në Shqipëri, në shifra

Shqipëria është e pasur me burime ujore me 7 lumenj që shkojnë nga Lindja në Perëndim që mund të plotësojnë të gjithë nevojat e populates. Sasia e ujit të lumenjve që derdhen në detin Adriatik është shumë e madhe (95%), krahasuar me sasinë e derdhur në Detin Jon (5%). Ka dy periudha karakteristike përgjatë vitit, përsa i përket rrjedhës së ujit; periudha e lagësht, (Tetor-Maj) dhe periudha e thatë (Qershor – Shtator). 86% e sasisë vjetore të ujit të rrjedhshëm shkarkohet gjatë periudhës së lagësht dhe 8% gjatë periudhës së thatë. Qershori është periudhë tranzitore, me një mesatare prej 6% të sasisë vjetore të ujit të rrjedhshëm.

Për Shqipërinë parashikohet një rënie e sasisë vjetore dhe sezonale të ujit në të gjithë territorin e Shqipërisë; bazuar në studimet e fundit, parashikohet një rënie e vogël e sasisë vjetore 6.3% deri 9.1% në vitin 2025. Një rënie e mëtejshme pritet të shënohet në vitin 2100.

Reduktimi i furnizimit me ujë nga burime tokësore ndërthurur edhe me një rritje të nivelit të ujit të kripur do të sjellë një rënie të sasisë së ujit të pijshëm. Gjithashtu, kërkesa për ujë të pijshëm dhe për përdorime në jetën e përditshme mund të rritet për shkak të rritjes së popullsisë.

Ndaj, herës tjetër kur të jesh duke larë dhëmbët apo duke bërë një dush, mos e ler rubinetin pafundësisht hapur. Mos harro se pavarësisht tingujve relaksues së gurgullimës, çdo pikë uji është e artë./AgroWeb.org/ 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.