Shqipëria në Botën e Tretë edhe për Cilësinë e Karburanteve

478 0

Në një kohë kur vendet e Evropës Lindore ngrenë zërin se produktet që hyjnë në vendet e tyre janë të një cilësie skandaloze në krahasim me ato të vendeve të Evropës Perëndimore, Shqipëria ndodhet në botën e tretë, jo vetëm për cilësinë e produkteve të importit që konsumon, por edhe të ajrit që hyn në mushkëri.

Shifrat e raporteve të fundit të Agjensisë Evropiane të Mjedisit flasin për mbi 2000 vdekje në vit në Shqipëri nga ndotja e ajrit gjatë vitit të kaluar. Dhe a e dini se cili faktor ndërhyn fort tek kjo ndotje? Cilësia e ulët e karburantit është një arsye madhore.

Raport pas raporti cilësia e karburantit që hyn në Shqipëri është cilësuar e tmerrshme, shpesh mashtrim i përzjerjeve të cilësisë më të keqe.

Së fundmi nga të dhënat e AgroWeb.org, më shumë se 1 milion litra naftë e cilësisë shumë të dobët gati prej një jave është bllokuar në Kosovë në Terminalin Doganor në Morinë, pasi nga analizat e bëra në laboratorin e Doganës, si dhe në dy laboratorë privatë të akredituar në Kosovë, ka rezultuar se nafta në fjalë nuk i plotëson kriteret.

Sipas medias së Kosovës, të cilit i referohet AgroWeb.org, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, ka bërë të ditur se maunet e bllokuara ne naftë nuk i plotësojnë parametrat e cilësisë. Berjani ka thënë se nafta e cila është bllokuar në kufi ka ardhur nga Shqipëria.

Zëdhënësi i Doganave në Kosovë, Adriatik Stavileci, ka thënë se deri më tani në Terminalin Doganor janë bllokuar më shumë se 40 autobote. Në një rast të mëparshëm është zbuluar se nafta jo cilësore, jo vetëm shkon në pikat e karburantit, por kishte furnizuar shkollat për ngrohje me naftë me përmbajtje të lartë të sulfurit.

Nafta që po hynte nga Shqipëri në Kosovë, është ndaluar nga autoritetet kosovare, por flet shumë për cilësinë e karburantit që hyn në Shqipëri.

Shifrat alarmante të vdekshmërisë në Shqipëri nga cilësia ajrit janë fakte shumë të qarta. Sipas Raportit të Agjesisë Evropiane të Mjedisit, në Shqipëri 2.120 persona humbën jetën gjatë vitit 2016, prej të cilëve 2.010 ishin viktima të përqëndrimit të lartë të grimcave të imëta në ajër, 10 të përqëndrimit të dioksidit të nitrogjenit dhe 100 nga përqëndrimi i ozonit.

Krahasuar me vitin 2013, kur numëroheshin 776 të vdekur, kjo shifër thuajse është trefishuar. Qytetarët shqiptarë po përballen në vijimësi me probleme që vijnë nga konsumi i produkteve të pakontrolluara të importit me një cilësi shumë të dobët. Jo pak rëndësi duhet t’i kushtohet edhe kontrollin të karburantit, shkak kryesor i ndotjes dhe vekshmërisë së lartë. A ndiheni edhe ju të shqetësuar? Ndani mendimin tuaj në faqen e Facebook të AgroWeb.org