Alarm i KLSH – Në Shqipëri Nuk Garantohet Siguria Ushqimore

497 0

Shëndeti i konsumatorëve shqiptarë është i rrezikuar seriozisht për shkak të mungesës së garancisë së sigurisë ushqimore në vend. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar zyrtarisht se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk arrin të garantojë sigurinë ushqimore në vend.

Sipas KLSH, nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë cenuar sigurinë ushqimore dhe për pasojë jetën ekonomike dhe sociale në vend, me një ndikim të rëndësishëm në uljen e besimit të konsumatorëve.

Bëhet fjalë për auditimin e performancës “Siguria Ushqimore” në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), për periudhën Janar 2012 – Dhjetor 2016 të aktivitetit të këtij institucioni.

KLSH i’a ka bërë të njohura rezultatet e këtij auditimi Komisionit për Ekonominë dhe Financat, si dhe ka njoftuar Kryeministrin e vendit për konkluzionet dhe rekomandimet e dhëna për përmirësimin e shpejtë të situatës së sigurisë ushqimore në vend.

AgroWeb.org liston më poshtë gjetjet më alarmante në dështimin dhe mos funksionimin e AKU në lidhje me garantimin e sigurisë ushqimore:

-AKU zhvillon aktivitetin e tij pa pasur një Rregulloren e brendshme

-AKU ka zhvilluar aktivitetin e vet pa u mbikëqyrur nga bordi

-Ka munguar veprimtaria e mirëfilltë e AKU-s për analizën e riskut në nivel drejtorie, sektori dhe specialistësh, duke ulur performancën e veprimtarisë inspektuese dhe për pasojë ndikimin në përmirësimin e sigurisë ushqimore.

-AKU nuk disponon të dhëna mbi listën e operatorëve të biznesit ushqimor të regjistruara me TVSH të cilët kanë të detyrueshme licencimin, duke rrezikuar zhvillimin e aktivitetit jo në përputhje me ligjin për ushqimin dhe për pasojë cenimin e sigurisë ushqimore në vend.

-AKU është karakterizuar me largime nga puna, të cilat kulmojnë në vitin 2014 me ikjen e afër 33 % të të gjithë stafit dhe specialistëve (gjithsej 137 persona) dhe bashkë me të dhe të kualiteteve të trajnuara, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve pa shkaqe të përligjura, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit nga pagesat për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mbi 78 milion lekë për të gjithë periudhën e audituar 2012-2016.

-AKU nuk ka një shpërndarje racionale të subjekteve për inspektor sipas sektorëve në shkallë vendi, pasi sektori i mbrojtjes së bimëve ka 33 subjekte inspektimi për inspektor, 69 subjekte inspektorët e sektorit me origjine shtazore dhe 151subjekte për inspektor në sektorin e inspektimit të ushqimeve dhe operatorëve të biznesit ushqimor joshtazor.

-Mungesa e përfshirjes në programin e inspektimeve nga AKU të bizneseve të reja ushqimore që krijohen gjatë vitit, ndikon në sigurinë ushqimore, duke theksuar se vetëm në vitin 2015 janë regjistruar 56,787 ndërmarrje, nga të cilat 17 % të tyre e përbëjnë akomodimi dhe shërbimi ushqimor,të cilat rrjedhimisht përbëjnë risk ushqimor.

-AKU nuk ka një numër të saktë të operatorëve të biznesit ushqimor në rajone të cilat janë objekt inspektimi, pasi ka shpërpjesëtime të theksuara midis rajoneve të këtij biznesi ndaj numrit gjithsej

-Inspektorët nuk kanë dijeni mbi listën e laboratorëve të certifikuar për mallrat ushqimore të importuara, mbi bazën e të cilëve duhet të paraqitet raport-analiza e kryer në vendet e origjinës.

-Luhatjet më të theksuara të inspektimeve vjetore vërehen veçanërisht në sektorët për produktet me origjinë shtazore dhe joshtazore, pikërisht në dy sektorët me riskun më të lartë në sigurinë ushqimore.

-Ka një numër të konsiderueshëm inspektorësh, profesioni i të cilëve nuk ka lidhje me fushën e sigurisë ushqimore që ata kanë objekt kontrolli

-Duke filluar nga viti 2013, AKU ka prirje të ulë numrin e gjobave të vjela dhe vlerën e tyre, e lidhur kjo drejtpërdrejtë me veprimtarinë sektorit juridik, pasi në se nëpërmjet shërbimit përmbarimor në vitin 2013 janë vjelur 68 % e gjobave, në vitin 2016 janë tre herë më pak.

-Ka rënie të treguesve analitikë për mostër nga 3.4 në vitin 2012 në 2.3 në vitin 2016, çka do të thotë se, ndërsa modernizohet gjithnjë më shumë prodhimi, përpunimi, shpërndarja dhe tregtimi i llojeve të ushqimeve, treguesit e analizuar për një mostër bien, duke ulur ndikimin e veprimtarisë analizuese laboratorike të AKU në monitorimin e sigurisë ushqimore në vend.

-Rezultatet e analizave tregojnë se përmirësimi i sigurisë ushqimore në vend është i kufizuar, pasi me treguesit e analizave jo konform me standardet, pra të ushqimeve të dëmshme për shëndetin, ka luhatje të theksuar. Në vitin 2012 kanë rezultuar 3.8 % e mostrave me tregues jashtë standardit, zbresin në 1.8 % në vitin 2015 dhe ngrihen në 2.8 % në 2016.

-Pajisjet laboratorike janë të shpërndarë në 12 rajone, ndërkohë që personeli i tyre është vetëm në 7 prej tyre, duke sjellë që një sasi dhe vlerë e konsiderueshme të mos përdoren dhe gradualisht të humbasin cilësitë e funksionimit për shkak të kushteve të ruajtjes, të cilët përfaqësojnë 31 % të tyre, si dhe një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve janë të dëmtuara, të pavëna në punë dhe jashtë përdorimit, duke bërë që aktualisht të jetë në përdorim 54 % e vlerës gjithsej të aseteve laboratorike.

-Mungon gjurmueshmëria për produktet bimore dhe frutore të vendosura në treg, si dhe kryerja e analizave përkatëse, duke rrezikuar konsumimin e tyre me mbetje minerale dhe pesticide, pasi nuk janë objekt inspektimi gjatë fazës së prodhimit./AgroWeb.org