Shqipëria në Expo – mes ushqimit, misterit dhe biznesit

434 0

“Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”. Me këtë filozofi, Shqipëria do të mirëpresë nesër të gjithë vizitorët e saj në pavionin e Bio-Mediterraneum Cluster në Milano Expo 2015, duke iu servirur më të mirën e shtëpisë: ushqime me shije origjinale të veshura nga një tis misteri.

Për pjesëmarrjen e vendit në këtë panair, qeveria ka vendosur që të udhëhiqet nga tema kryesore e panairit, "Ne ushqejmë planetin, energji për jetën" e bazuar në disa tematika si: Shkenca dhe teknologjia në sigurinë ushqimore dhe cilësinë; Shkenca dhe teknologjia në bujqësi dhe biodiversitetin; Risi në zinxhirin e shpërndarjes për ushqim agro.

Por sigurisht që Expo 2015 nuk do të jetë vetëm një vend ku do të debatohet mbi çështje të sigurisë ushqimore apo mbi dieta të shëndetshme, por do të jetë dhe rasti perfekt për të promovuar politikat bujqësore dhe masat që do të mundësojnë Shqipërinë për të krijuar partneritete me investitorët ndërkombëtarë me shkëmbime idesh dhe njohurish. Sepse ne këtë herë shkojmë me një qëllim të qartë: Ne jemi këtu për të bërë biznes.

Pikërisht dhe për këtë arsye konceptimi i pavionit shqiptar është menduar që të prekë disa fusha. Do të ketë ushqim të mirë, të cilën mund ta shoqërosh nën shoqërinë e një gote vere të mirë, ndërsa shijon një pjesë nga arti dhe kultura shqiptare. Si në një mozaik shijesh dhe ngjyrash që tregon se ushqimi nuk është vetëm një burim kënaqësie dhe prosperiteti, por që është dhe tregues se prodhimi i qëndrueshëm është i mundur.

Ushqim, kulturë por dhe bisedime

Nesër në çeljen zyrtare të Milano Expo, Shqipëria do të ketë në fokus prezantimin e disa prej produkteve të saj më përfaqësuese; si vaji I ullirit, një shumëllojshmëri djathrash nga i gjithë vendi, dhe padyshim degustimi i verës sonë më të mirë. Shefat shqiptarë gjithashtu do të prezantojnë disa gatime karakteristike, receta e të cilave për momentin mbetet sekret, por një gjë është e sigurtë se gatimi jonë do ti habisë të ftuarit me shijen e veçantë dhe teknikat e ndryshme të gatimit. 

Kultura dhe arti do të jenë një tjetër pikë e fortë e prezantimin të Shqipërisë në Expo. Pasi sigurisht që dhe syri do pjesën e tij. Do të ketë një ekspozitë shumë interesante me kostume tradicionale më shumë se 100 vjeçare dhe ekspozita fotografike me vendet më të bukura të vendit.

Gjithashtu nuk të mungojnë forumet akademike, tavolina të rrumbullakëta të nivelit politik dhe të biznesit, të cilat do të shërbejnë edhe si një pikë kontakti shumë e rëndësishme për shumë investitorë, të cilët duan të dinë më shumë rreth mundësive që vendi ynë ka për të ofruar, në aspektin e investimit dhe të zhvilimit në një sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë.

Sepse numrat kanë rëndësi në Expo

Shumë kanë spekulluar mbi sasinë e parave që qeveria shqiptare ka shpenzuar për Expo Milano, por Ministria e Ekonomisë ka shuar kureshtjen, duke publikuar vendimin e qeverisë me të gjitha detajet e shpenzimeve të ekspozitës. Vlera e qirasë për përdorimin e qendrimit shqiptar në "Expo Milano 2015" është 246 500 euro. Qeveria ka vendosur që shpenzimet e investimeve do të paguhen nga institucioni që zbaton këtë projekt, pra Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Ndërmarrjeve dhe nga donatorë privatë, shtetërore dhe burime të tjera të ligjshme.

Ndërkohë që Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) është ajo që po merret me menaxhimin e të gjithë pavioniit "Expo Milano 2015". Në vitin 2010, ky panair u organizua në Shanghai (Kinë) dhe Shqipëria u paraqit me stendën e saj. Në vitin 2020, panairi do të zhvillohet në Dubai.

Datat që nuk duhet t’i humbisni

Pas hapjes zyrtare të pavionit të premten, do të ketë një sërë aktivitetesh të tjera që do të vijojnë deri më 30 tetor, por ditët që absolutisht nuk duhet ti humbisni janë këto:

2 Qershor: Dita Kombëtare e Italisë do ta gjejë pavionin shqiptar në një festë të vërtetë. Ka qenë ftesa e kryeministrit Italian Mateo Renzi për Shqipërinë që të ketë një prezantim të saj në këtë ditë, duke u nisur dhe nga marrëdhëniet e ngushta mes të dy vendeve. Shqipëria do të prezantohet me produktet e saj më të mira, si e ftuar speciale e Italisë ku shefat më të mirë shqiptarë do të gatuajnë pjata tradicionale të kombinuara me teknikat më të reja të kuzhinës moderne.

19 Tetor: Për të gjithë shqiptarët kjo ditë është një festë kombëtare, e që jo rastësisht korrespondon me ditën e Lumnimit të Nënë Terezës. Dhe për këtë arsye kjo ditë e veçantë është zgjedhur të jetë “Dita e Shqipërisë” në Milano Expo. Detajet specfike të eventit mbetet akoma të panjohura, por ajo çfarë ju sugjerojmë ne ndërkoë, është të merrni pirunin, të hapni mendjen, të kënaqni syrin dhe të eksploroni ushqimin, historinë dhe misterin tonë. Sepse jeni miqtë e shtëpisë.