Financime për trefishimin e serrave

377 0

Është e vjetër sa njerëzimi. Bari i fqinjit është gjithmonë më i gjelbërt. Edhe pse Shqipëria është një vend me sipërfaqe bujqësore për të na e pasur zili, duket se Maqedonia është rasti tipik që ka “barin më të gjelbërt” së paku në një sektor; serrat. Maqedonia ka trefish hektarë serra më shumë se Shqipëria, edhe pse ka më pak tokë bujqësore se vendi ynë. Nuk është thjesht çështje klime. Është çështje strategjie dhe menaxhimi.

Sipas në raporti të FAO-s, gjatë 20 viteve të fundit vendet me klimë mesdhetare po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese përsa i përket prodhimit të perimeve në serra.

 

Serrat – Një histori e vjetër dhe e re

Në vendin tonë serrat kanë filluar të ndërtohen pas viteve 1960. Serat e ndërtuara vitet e para me qëllim shfrytëzimin e energjisë diellore ishin me konstruksione druri, me beton-arme’ ose hekuri me mbulesa polietileni. Më pas, filluan të projektohen serra të reja më moderne me konstruksione metalike, mbulesa xhami dhe me ngrohje qendrore.

Shqipëria ka kushte shumë të favorshme natyrale, si klimë të ngrohtë, bryma dhe mjegulla të rralla, toka të përshtatshme dhe me mundësi ujitje. Këto janë të pranishme në zonën e Ultësirës Perëndimore dhe në disa lugina me mikroklime në parametra të duhura për këtë qëllim.

prezantimin që Ministri i Bujqësisë bëri në një event të fundit të organizuar nga banka Intesa Sanpaolo Bank Albania ne bashkëpunim me Dhomën italiane të tregëtise, shpjegoi strategjinë për shumëfishimin e sipërfaqes me serra në Shqipëri. Në këtë takim të zgjeruar me rreth 300 pjesëmarrës, epiqendra e diskutimeve ishin pikërisht serrat, pasi siç tha edhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, Z. Silvio Pedrazzi, ‘Potencial ka shumë dhe ky është momenti për ta shfrytëzuar këtë mundësi.’

Ambicja e qeverisë është që në dy vitet e ardhshme Shqipëria të arrijë Maqedonië me 3000 ha tokë serra. Por si do të arrihet kjo? Dy janë mënyrat që Ministri i Bujqësisë sheh si zgjidhje:

Së pari, organizimi i fermerëve në shoqëri të përbashkëta dhe nxitja e pikave të grumbullimit që do të sjellë katër apo pesëfishim të ofertës së produkteve. Një ofertë e organizuar që vjen nga serrat dhe jo nga parcelat e vogla lidhet me hallkën tjetër që janë pikat e grumbullimit apo magazinat frigoriferike që e mbledhin prodhimin, dhe më pas përgjatë gjithë vitit e shpërndajnë në tregun vendas apo për eksport.

Së dyti, nxitja e ndërtimit të serrave përmes kombinimit të mbështetjes financiare 60% nga skemat kombëtare dhe 40% përmes partneritetit me bankat. Për këtë, qeveria ka vendosur që një pjesë të fondeve shtetërore ta vendosë si garanci, në dispozicion të bankave, në mënyrë që ata të injektojnë sa më shumë para.

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Shqipëria – 300 ditë me diell favorizojnë serrat

Plot 300 ditë me diell e bëjnë Shqipërinë një nga vendet më të favorizuara për serrat diellore. Por Shqipëria ka 1 mijë ha serra dhe 60 mijë ha produkte të mbjella në fushë. Përmbysja e këtij raporti apo së paku reduktimi i diferencës mbetet prioritet. Po përse në serra?

Krahasuar me rendimentin mesatar në perimet e mbjella në fushë të hapur, në serra merret një rendiment 3-4 herë më i lartë. Ndërkohë, Shqipëria ka kushte shumë të favorshme ndër të cilat:

• Mundësi të favorshme klimatike e tokësore
• Temperatura të përshtatshme të ajrit
• Intensiteti dhe ditët me ndriçim diellor
• Ditët me re dhe lagështia ajrore
• Erërat dhe rreshjet (kryesisht bora)

Serrat janë prioritet i shtuar edhe në skemat mbështetëse financiare të 2015-tës. Një prej skemave kryesore është ndërtim i serrave për kultivimin e perimeve, prodhim fidanësh dhe produkte të tjera bujqësore në masën 60% të vlerës së investimit, përfshirë vlerën e tatimit, por jo më shumë se 1 200 000 (njëmilion e dyqind mijë) lekë/dynym, për sera me sipërfaqe minimumi 2 dynymë dhe jo më shumë se 2 ha. Ajo që synohet është:

• Rritja e interesit të fermerëve për prodhimin e perimeve në serat me ngrohje
• Ngritja e serave të reja dhe zgjerimin e atyre ekzistuese
• Përdorimi i teknologjive të reja moderne për ngrohjen dhe kultivimin e perimeve në ambiente të mbrojtura
• Zbutja e ndjeshme e sezonalitetit të prodhimit dhe furnizimit të tregut
• Rritja e eksporteve

Mendohet se e ardhmja e bujqësisë i takon serrave. Serrat gjithnjë e më shumë do të luajnë rol tejet të rëndësishëm në vendet me klimë mesdhetare për shkak edhe të ndikimit në një bujqësi të qendrueshme, në një mjedis që do të ketë mungesë të ujit por edhe për shkak se, përmes serrave do të kemi një kontroll më të mirë të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, në përshtatje me kërkesën e tregut. Shqipërisë i duhet të ecë shpejt në këtë trend. Sepse bari i fqinjit është më i gjelbërt për një arsye të thjeshtë; ai e ujit.