Më të mirat e Majit

634 0

Guida e perimeve dhe frutave të sezonit

Çdo frut apo perim ka momentin e tij të mbretërimit në sezon. Disa mbretërojnë më gjatë për gati gjysmën e vitit dhe të tjerë e mbajnë fronin vetëm për një muaj. Por në çdo rast, kur flasim për frutat e sezonit nënkuptojmë më shumë aromë, shije, lëng dhe padyshim më shumë freski. Shihni guidën tonë për të parë se cilat janë frutat dhe perimet e sezonit për këtë muaj dhe si të merrni më të mirën prej tyre.

Qershitë

Nuk ka tregues më të sigurtë dhe më të lumtur se po afron vera, se sa dalja e qershive të para në treg. Më i vogli dhe më i hershmi ndër frutat e majit, është shenja paralajmëruese se pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat e tjera janë të rradhës në shportë.

Si t’i zgjidhni qershitë?

Shikoni për qershi me lëkurë të lëmuar dhe me shkëlqim. Sa më e errët të jetë ngjyra e kuqe, aq më e mirë është qershia, pasi tregon se ajo është plotësisht e pjekur. Gjithashtu kontrolloni dhe bishtat; ato duhet të jenë jeshile dhe me fleksibilitet, ndërkohë që në momentin që ruhen, marrin një ngjyrë si vishnje në të kafenjtë.

Si t’i ruajmë qershitë?

Futini në frigorifer në një qese plastike të izoluar mirë. Ato mund të rrojnë deri në disa javë në këtë mënyrë, ose të paktën në teori, pasi ka shumë gjasa që t’i keni ngrënë deri në atë kohë.

Kajsia

Plot aromë dhe ëmbëlsi, kajsia është një nga frutat tipikë të sezonit. Pak e dinë në fakt që kajsia e ka origjinën nga Azia dhe në Europë u soll nga grekët, të cilët I vunë emrin “vezët e arta të diellit” . Nga shija dhe nga ëmbëlsia kajsia ka një dyzim mes kumbullës dhe kajsisë.

Si t’i zgjedhim kajsitë?

Kajsitë ashtu si dhe frutat e tjera të kësaj familje, pikun e pjekjes e kanë në momentin e vjeljes. Zgjidh ato që kanë një sfond të artë dhe mos i kushto shumë vëmendje atyre që sapo kanë filluar të skuqen.

Si t’i ruajmë kajsitë?

Kajsitë mund të ruhen në temperaturën e ambjentit për disa ditë, veçanërisht nëse ato janë të papjekura. Pas kësaj mund t’i ruani në frigorifer në një qese plastike të izoluar mirë.

Bishtaja

Bota e bishtajave është e ndarë në dysh: rrumbullake dhe të gjera. Bishtajat rrumbullake dhe ato më të holla duhet të gatuhen shpejt në mënyrë që të mund të ruajnë shijen delikate. Ndërsa bishtajat e gjera marrin më shumë kohë në gatim, pasi duan kohë për tu zbutur për shkak të cipës së tyre të trashë.

Si t’i zgjidhni bishtajat?

Bishtajat jeshile duhet të jenë të forta dhe kërce. Nuk duhet të kenë pjesë të buta apo pjesë të çngjyrosura. Kur bëni pazarin, bëni kujdes që të zgjidhni vetëm bishtajat e drejta, pasi janë më të lehta për tu gatuar dhe kanë një pamje më të këndshme.

Si t’i ruani bishtajat?
Mbajini bishtajat në frigorifer në qese plastike të izoluar mirë. Nëse do t’i ruani për një kohë të gjatë vendosni një kartëpecetë, në mënyrë që të thithë lagështirën.

Patatet e reja

Patatet e reja kanë një rrugë shumë të shkurtër nga toka në treg, ndaj dhe për këtë arsye quhen të reja, pasi nuk kalojnë në procesin e ruajtjes. Ato kanë një aromë dhe shije të veçantë.

Si t’i zgjidhni?

Mënyra e mirë që ju tregon që një patate është e re, është ta gërvishni lëkurën me gisht. Lëkura e saj është aq e butë sa do të hiqet menjëherë.

Si t’i ruani?

Patatet e reja mund t’i ruani në temperaturën e mjedisit, por nuk do të ruajnë freskinë aq gjatë sa patatet e vjetra. Nëse futen në frigorifer dhe ruhen për një kohë të gjatë, do të kenë një shije të ëmbël.

Luleshtrydhe

Luleshtrydhet i gjejmë në treg gjatë të gjithë vitit, por në fakt ato të mirat, të shijshmet të vërtetat e nxjerrin kokën në pranverë. Ato janë ura mes agrumeve të dimrit dhe frutave të verës.

Si t’i zgjidhni luleshtrydhet?

Eshtë shumë e lehtë të zgjedhësh luleshtrydhe të mira: thjesht nuhatini ato. Aty ku do të ndjeni aromën më të mirë, aq sa të mos i rezistoni dot, aty duhet të shkoni të blini. Kaq duhet të dini, megjithëse është mirë që gjithashtu kur t’i blini në shporta t’i shihni mos janë shtypur shumë dhe kanë filluar të kullojnë.

Si t’i ruani luleshtrydhet?

Mund t’i vendosni në frigorifer, por është akoma më mirë nëse i lini me temperaturën e ambjentit dhe i konsumoni brenda ditës. Lajini me ujë të ftohtë, më pas thajini lehtë me një kartëpecetë dhe pastaj hiqini pjesën jeshile, pasi po ta bëni gjatë larjes luleshtrydhja do të thithë shumë ujë.

 

Publikuar fillimish nga LA Times