Perimet, sakrificat për shëndetin e fëmijëve

436 0

Truke për t’i bërë fëmijët të hanë perimet

Një luftë, ose tamam tamam, ajo që ndodh çdo darkë në tavolinën e ngrënies me fëmijët, është një betejë e vërtetë. E para sepse është shumë e vështirë t’i bindësh të hanë fruta dhe zarzavate dhe e dyta sepse është shumë e komplikuar që t’iu shpjegosh disa rregulla bazike të të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme. Në fakt, kur vjen puna tek rregullat aty çalon pak puna, por nëse mendoni për një çast të gjithë të mirat që vijnë nga ushqimi i shëndetshëm, duhet që t’i rimendoni. Fëmijët tuaj do të jenë më energjikë, do të jenë më të fortë si fizikisht dhe psikologjikisht, do të kenë një stil jetese më të mirë dhe do të jenë më të suksesshëm e lista vazhdon e vazhdon, ndaj dhe ju nuk duhet të dorëzoheni përpara tyre dhe duhet ta fitoni ju betejën në tavolinë.

Sigurisht, është më e lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Sapo je kthyer nga puna, je lodhur dhe gjithçka që do është të mos grindesh me fëmijën që s’po ha spinaqin. Por pikërisht në këtë moment duhet treguar vendosmëri dhe të mos bëni pazare duke bërë që t’iu bindin që të zëvendësoni sallatën e karrotat me ëmbëlsira e patatina. Fëmijët dinë të jenë shumë bindës, por ju nuk duhet të lëkundeni dhe ka shumë gjasa që ju ta fitoni betejën, por ka një kleçkë të vogël: “Më parë do të duhet ta fitoni betejën me veten, duke i ngrënë ju të parët zarzavatet”, sugjeron dietologia Enkeleida Ferrollari në një intervistë për agroweb.org.

Fëmijët imitojnë prindërit. Nëse ju ushqeheni shëndetshëm edhe fëmija juaj do të ushqehet shëndetshëm

Pasi si mund t’i bindësh fëmijët të hanë karrota kur as ju nuk i hani? “Fëmijët imitojnë prindërit”, thotë Ferrollari. “Nëse ju ushqeheni shëndetshëm edhe fëmija juaj do të ushqehet shëndetshëm e nëse keni probleme me obezitetin ka shumë gjasa që edhe fëmija juaj të jetë obez”.

Dhe në fakt ata që vuajnë nga obeziteti nuk janë të paktë në numër. Një studim i vitit 2013 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik thotë se 21.5% e fëmijëve shqiptarë të moshës 7-10 vjeç janë mbipeshë dhe 7.7% janë obezë, nga ku 65% jetojnë në zona urbane dhe 35% në ato rurale: çfarë do të thotë se 1 në 4 fëmijë obezë jeton në fshat dhe 3 nga 4 jetojnë në qytet.

Kjo përqindje e obezitetit tek fëmijët shqiptarë është alarmuese, jo vetëm për problemet e shumta që shkakton, si obeziteti dhe sëmundje të tjera kardiovaskolare, por edhe sepse obeziteti dhe mbipesha janë tregues i një shoqërie të pashëndetshme. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që prindërit t’u edukojnë fëmijëve kulturën e ushqimit të shëndetshëm, duke i bërë ata pjesë të ekipit të frutave dhe perimeve.

Por realisht si t’i bëjmë që fëmijët të pëlqejnë sallatën dhe karrotat, kur sytë i kanë tek ëmbëlsirat, patatinat dhe ushqimi i shpejtë? Studimet kanë treguar se mënyra më e mirë është që edukimi të nisë herët, që në barkun e nënës, pasi zakonet e të ushqyerit transmetohen herët nga nëna tek fëmija. Kërkimet kanë treguar se nëse nëna konsumon perime, fëmija ka shumë gjasa që t’i konsumojë ato më me lehtësi dhe në një varietet më të gjerë.

Ndërkohë që në një moshë më të rritur, Ferrollari sugjeron që fëmijët të përfshihen sa më shumë në përgatitjen e ushqimit: që nga blerja e produkteve deri tek gatimi. “Nëse ata e dinë që kanë kontribuar në përgatitjen e ushqimit do të jenë më të predispozuar për ta shijuar”.

Dhe rregulli i tretë shumë i rëndësishëm është të mos blini ushqime të cilat nuk do të donit që fëmijët tuaj t’i hanin, pasi nëse nuk ka qese me patatina, çokollata, pije të ëmbla, fëmijët nuk kanë për t’i kërkuar. “Në rast se i kap uria dhe nuk presin dot deri në ngrënien e vaktit kryesor, jepuni një karrotë apo një mollë. Një truk tjetër është që të mbani ushqime, të cilat mund të cëmbisen lehtësisht nga fëmijët”, thotë Ferrollari.

Një truk tjetër është që fëmijët të ushqehen me orar. Kur janë të vegjël duket më e lehtë për tu menaxhuar, por ju mjafton ta bëni rutinë dhe do t’ia dilni. Fëmijët e duan rutinën dhe nëse i mëson me orare do ta keni më të lehtë për të kontrolluar se çfarë dhe si hanë.

Ushqimi nuk është dhe nuk duhet të shihet si i mërzitshëm, për më tepër me fëmijët. Ata i duan ngjyrat dhe çdo gjë gazmore, ndaj ofrojani këtë në pjatën tuaj, duke iu krijuar një larmishmëri ngjyrash me zarzavate e fruta. Studimet tregojnë se nëse i vendosni në pjata me ngjyra apo me personazhe nga filmat e tyre të preferuar vizatimorë, do të jeni shumë afër fitimit të betejës në tavolinë. Dhe këshilla e fundit që dietologia jonë ju jep, është t’i mbani larg nga televizori në momentin që ushqehen, pasi imazhet i shpërqendrojnë dhe nuk arrijnë të kuptojnë që janë të ngopur dhe aty do të humbni luftën për t’i ushqyer shëndetshëm.