Ulliri – Energjia e së Ardhmes Shqiptare

307 0

Një projekt i ri po zbatohet në Shqipëri nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO) që synon të transformojë tregun e përdorimit të mbetjeve organike nga vaji i ullirit për prodhim energjie.

Të ndriçohesh përmes vajit të ullirit? Shqiptarët, edhe pse shumë kohë më parë, ende mund ta kujtojnë këtë “shpikje”, ndonëse primitive në mënyrën e saj. Një kandil i mbushur me vaj, një fitil pambuku të cilin mund ta ndezësh e të kesh një dritëz të vogël, në mungesë elektriciteti. Përdorimi i vajtit të ullirit për ndriçim rivjen. Jo si kthim në të kaluarën, por si projeksion në të ardhmen përmes përdorimit të mbetjeve nga përpunimi i vajit të ullirit (bërsive të ullirit) për të prodhuar energji. Kthimi i mbetjeve në energji është shndërruar në një metodë krejt efikase për problematikën që shfaqin mbetjet e ngurta e përpunimit të tyre për të plotësuar nevojat me energji.

UNIDO aktualisht po zbaton në Shqipëri një projekt të financuar nga Global Environmental Facility (GEF) mbi “ Përdorimin e biomasës për energji për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorin e vajit të ullirit”, projekt i cili përfshin sektorin privat të SME-ve dhe sektorin financiar në Shqipëri për nxitjen e investimeve në teknologji energjitike novatore në mbrojtje të mjedisit.

Detajet e projektit të ri i shpjegon në një intervistë eksluzive për agroweb, zoti Mark Draeck, përfaqësues i zyrës për Zhvillimin Industrial, njësia e Energjisë së Rinovueshme pranë zyrave qendrore të UNIDO-s në Vienë, njëkohësisht Administrator i Projektit për Shqipërinë.

Z. Mark Draeck gjatë prezantimit të aktiviteteve të projektit në Tiranë
"Projekti synon të transformojë tregun e përdorimit të mbetjeve organike nga vaji i ullirit dhe nga industri të tjera për prodhimin e energjisë. Ai synon ta arrijë këtë përmes nxitjes së investimeve teknologjike të cilat konvertojnë mbetjet organike industriale, duke filluar nga sektori i vajit të ullirit. Pjesa më konkrete e projektit do të jetë demostrimi i procesit të kësaj teknologjie në sipërmarrjet ekzistuese, në mënyrë që të interesuarit të shohin e të besojnë se përdorimi i kësaj teknologjie sjell përfitime financiare dhe mundësi të reja për bizneset e tyre", thotë zoti Draeck.

Përfitimet e Agrobiznesit

Administratori i Projektit të UNIDO-s shpjegon se projekti do të ofrojë një shumëllojshmëri aktivitetesh të përbashkëta teknike për të ndihmuar agrobizneset shqiptare. Do të lançohet një Grant për të mbështetur fermerët dhe agrobizneset që do të aplikojnë për financimin e investimeve në teknologjitë që shndërrojnë mbetjet në energji.

Për të mundësuar një transformim të tillë teknologjik, do të përdoren disa instrumenta financiare, do të organizohen disa aktivitete për aftësimin e fermerëve dhe agrobizneseve, si dhe për mjedisin rregullator të politikave aty ku është e nevojshme, në mënyrë që të nxitet përdorimi i kësaj teknologjie edhe në nënsektorë të tjerë të bujqësisë.

"Krijimi i një mjedisi tregu që lejon dhe promovon përdorimin e kësaj teknologjie do të çojë në ulje të konsiderueshme të emetimit të gazrave me efekt serrë dhe të ndihmojë Shqipërinë në transformimin e saj drejt zhvillimit të teknologjive me më pak karbon", thotë zoti Draeck.

Përgjatë një periudhe 3 vjeçare, projekti synon të realizojë 15 aktivitete demonstruese, dhe minimalisht po aq aktivitete në nënsektorë bujqësorë mbi teknologjitë e konvertimit të mbetjeve organike.
Për 15 aktivitetet demonstruese pritet një reduktim i emetimeve të drejtpërdrejta prej 53.000 ton CO2 ekuivalent në të gjithë jetgjatësinë e investimit, dhe për 30 aktivitet që do të përsëriten kjo shifër do të dyfishohet.

Energjia e rinovueshme si mjet për tërheqjen e investimeve të huaja që gjenerojnë vende të reja pune

Duke vlerësuar rëndësinë e madhe të sektorit të bujqësisë në ekonominë shqiptare, zoti Draeck thekson varësinë e prodhimit të energjisë elektrike nga kushtet hidrologjike.

"Burimet kryesore janë karburantet, kryesisht nënproduktet e naftës me 29,55%, ndjekur nga energjia elektrike me 25,98% dhe nga drutë e zjarrit me 10,89%. Mbi 95% e prodhimit të energjisë elektrike dhe 20-23% e burimeve totale të energjisë parësore sigurohen nga hidrocentralet. Varësia e vendit nga hidrocentralet e bën më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të kushteve hidrologjike, siç u vu re disa vite në periudha të thatësirave gjë që ndikoi në sigurimin e furnizimit me energji elektrike. Gjithashtu Shqipëria importon energji në sasi e të konsiderueshme, të cilat – në varësi të kushteve vjetore – shkojnë rreth 30 deri 60% të burimeve totale të energjisë primare.

Energjia e rinovueshme në përgjithësi dhe biomasa industriale në veçanti mund të jetë një zgjidhje për reduktimin e kësaj varësinë nga importet dhe mund të përmirësojë jo vetëm sigurimin e furnizimit me energji, por edhe sigurinë makro ekonomike dhe politike të vendit duke uljur deficitin buxhetor. Së fundmi, zhvillimi i projekteve të energjisë së rinovueshme është shumë tërheqës për investimet e huaja duke gjeneruar kështu vende të reja pune në Shqipëri.

Potencialet e mëdha të Shqipërisë kundrejt përdorimit të ulët të teknologjisë moderne

“Shqipëria ka shumë potencial për energji të pastër dhe të rinovueshme, por edhe pse teknologjitë e përdorimit të bio-energjisë janë tashmë të mirënjohura botërisht por edhe në vendet fqinje, ende sipërmarrjet shqiptare nuk i kanë vënë ato në përdorim”, thotë zoti Draeck.
“Ka mundësi reale që industria e vajit në Shqipëri, të mund të marrë eksperiencë nga vende si Greqia, Turqia dhe Italia ku sasi të mëdha të mbetjeve përdoren për energji. Në të njëjtën kohë Shqipëria mund të marrë si shembull përdorimin e mbetjeve në Republikën e Kroacisë, e cila ka një plan të qartë aksioni. Në momentin që një paketë e tillë e plotë vihet në jetë, mbetjet e ullirit mund të shndërrohen në një burim të mirë të prodhimit të energjisë së rinovueshme."

Z. Mark Draeck gjatë vizitës në fabrikën e vajit ‘Tre Miqtë’ në Ndroq, pranë Tiranës

Si do të zbatohen këto praktika në Shqipëri përmes mbështetjes së projektit të UNIDO-s

Objektivi i projektit është që të rrisë përdorimin e biomasës në konsumimin e energjisë industriale në mënyrë që të përdoret në mënyrë produktive përmes përdorimit të teknologjive moderne të biomasës në sipërmarrjet e vogla dhe të mësme në industrinë e vajit.

Të mirat kombëtare që priten nga ky projekt janë:
• Kosto më të ulëta për bizneset duke ulur shpenzimet e energjisë dhe duke përmbushur në këtë mënyrë një pjesë të kërkesave për energji, duke rritur të ardhurat nëpërmjet shitjes së energjisë së tepërt
• Rritje e mundësive të punësimit dhe zhvillimit të sektorit të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në përdorimin e ullirit dhe të biomasave të tjera për qëllime energjetike
• Rritje e cilësisë së produktit
• Ulje e kostove ekonomike në nivel kombëtar dhe reduktim të varësisë dhe të shpenzimeve nga energjia e importuar
• Ulje e ngarkesës në sistemin energjetik duke ulur diferencën mes kërkesës dhe ofertës gjatë periudhave me ngarkesë më të lartë
• Ulja e emetimit të gazit me efekt serrë

Në terma praktikë projekti do të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me AZHBR, duke qenë se AZHBR ka mandatin e duhur, lidhjet dhe ekspertizën për të punuar me sektorin e bujqësisë. Projekti do të zbatohet nën drejtimin strategjik të ministrive përkatëse, më së shumti Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

E ardhmja e Bujqësisë shqiptare dhe në perspektivën e ndryshimeve klimaterike

Vetë sektori i bujqësisë po ndeshet me shumë sfida në lidhje me ndryshimet klimatike, për shkak të impaktit që kanë këto ndryshime në sektor. Këto probleme lidhen me përmbytjet në disa zona dhe për nevojën për ujitje në disa zona të tjera. Masat e duhura për t’i menaxhuar këto sfida të shkaktuara si pasojë e ndryshimeve klimatike duhet të shihen me prioritet nga institucionet përkatëse.

“Është thelbësore që ky sektor të jetë në standardet ndërkombëtare në mënyrë që rrisë konkurueshmërinë në tregun botëror. Një fermeri tipik në Shqipëri i mungojnë stimujt për të zgjeruar prodhimin dhe për të investuar në teknologji të reja dhe më të mira. Prandaj, duke eksploruar potencialin e zhvillimit bujqësor në bazë të novacionit dhe sipërmarrjes mund të rrisë produktivitetin dhe specializimin dhe kjo do të çojë në një aktivitet më të gjatë dhe të qëndrueshëm të agrobizneseve të Shqipërisë ", thotë zoti Draeck.

Trendi i përgjithshëm drejt bujqësisë më intensive dhe më të industrializuar ka një ndikim të madh në mjedis. Bujqësia ka një potencial të rëndësishëm në prodhimin e biokarburanteve dhe të energjisë së rinovueshme, por mbetjet e biomasës nga bujqësia nuk janë vlerësuar dhe zakonisht shkatërrohen në moment, duke pasur një impakt të madh në mjedis për shkak të prodhimit të mbjetjeve me ndotje të lartë.

Koncepti i industrisë së gjelbërt, me fokus në eliminimin ose reduktimin e ndjeshëm të varësisë nga lëndët djegëse fosile, toksina, dhe pajisjet apo proceset që gjenerojnë gazrat me efekt serrë, është një nga përgjigjet që UNIDO ka zhvilluar dhe promovon në forumet e saj globale dhe në aktivitetet e bashkëpunimit teknik.

Bazuar në zonat qendrore të adaptimit ndaj ndryshimit klimatik, dega e zhvillimit të agrobiznesit e UNIDO ka si qëllim të mbështesë vendet në rritjen e aftësisë për t’u ripërtëritur dhe uljen e humbjeve të pasvjeljes në agrobiznes si dhe në të gjithë zixhirët e vlerave dhe të furnizimit, që do të japë kontribute vitale në adapatimin ndaj impakteve të rritjes së ndryshueshmërisë së motit, frekuencës së eventeve ekstreme dhe ndryshimeve të motit të parashikuara për një kohë më të gjatë, që në pjesën më të madhe të rasteve ulin prodhimin dhe rrisin ndryshueshmërinë e tij.

Shqipëria dhe e ardhmja e afërt e konceptit të industrisë së gjelbërt

Në dekadat e fundit gjendja e mjedisit në Shqipëri është përkeqësuar gjithnjë e më shumë, për shkak të mungesës së vëmendjes për çështjet mjedisore apo planifikimit të plotë, si për shembull në rastin e zhvillimit të infrastrukturës. Rritja e kërkesës për burime natyrore, shpyllëzimet, përdorimi i tokës, urbanizimi i shpejtë, numri i automjeteve në rritje, mungesa e investimeve në infrastrukturën e menaxhimit të mbetjeve, procedurat e pamjaftueshme të zbatimit dhe kapacitetit të kufizuar institucional dhe administrativ, burimet e pamjaftueshme njerëzore dhe financiare, të gjitha këto kanë çuar në degradimin e mjedisit duke e bërë vendin më të prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike.

Së fundmi një koment final nga Menaxheri i Projektit të UNIDO-së; “Këto janë sfida me të cilat do të duhet të përballen qeveritë dhe institucionet mbështetëse, që kanë të bëjnë me ndryshime themelore në politikat, strategjitë, afësimin e forcave të punës dhe në forcimin e lidhjeve mes organizatave për t’iu përgjigjur zhvillimeve në tregjet botërore dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës me mbrojtjen e mjedisit."