2 Milion Euro Garanci për Fermerët

321 0

Luhatjet e mëdha në rendimentet e fermave nga viti në vit dhe rritja e kostos së investimeve në bujqësi, kanë bërë që fermerëve shqiptarë t’iu veniten shpresat për të rritur investimet. Mungesa e kolateralit dhe praktikave të papërshtatshme të kontabilitetit bën që fermerët dhe agrobizneset të konsiderohen si kreditorë të këqij, por jo në rastin kur ata kanë mbështetje në sigurimin e kredisë.

Në një vendim të fundit të Këshillit të Ministrave, qeveria do të japë 300.000.000 (treqind milionë lekë), për krijimin e Fondit Kombëtar të garancisë për kreditimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Sipas Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti qeveria do të mbështesë bizneset bujqësore me financime që do të arrijnë deri në 60% të vlerës totale të investimit për serra, ndërkohë që 40% e financimeve mund të mbështeten me anë të kredive inkurajuese me norma të ulëta interesi. Një pjesë e fondeve të buxhetit të shtetit do të vendosen si garanci për bankat, për kreditë e marra nga fermerët dhe agropërpunuesit.

Qeveria do të japë 300.000.000 lekë, për kreditimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Ligji do të jetë shumë i qartë në mënyrë që të krijohen mundësitë që sigurimi në bujqësi të ketë kolateral të mjaftueshëm dhe të lehtësohet fluksi i kredive të aktiviteteve bujqësore.

Pasi kur sigurimi mbështet kreditë bujqësore fermerët marrin ndihmën e duhur, duke qenë se ata i ndiejnë në lëkurën e tyre humbjet opo dëmtimin që vjen nga ndryshimet e shumta klimatike; si dhe nga mungesa e investimeve. Por e vuan edhe komuniteti në tërësi, pasi si rezultat i mungesës së kreditimin, zvogëlohet investimi dhe rrjedhimisht prodhimi bujqësor, pra ushqimi ynë.

Akti ligjor, i cili pritet të hyjë në fuqi në javët e ardhshme pas publikimit në fletoren zyrtare, do të japë një informacion të detajuar për të gjithë ata fermerë që duan të aplikojnë për kredi në mënyrë që të rrisin investimet, çka e cila më pas do të përkthehet në rritje të shitjeve, më shumë tregëti, rritje të konkurueshmërisë dhe më shumë zhvillim.

Mjetet e menaxhimit të rriskut të tilla si të sigurimit ndaj motit, bëjnë të mundur kompensimin e fermerit në rast të humbjeve të prodhimit; përshembull në rastin e përmbytjeve dhe në garantimin e fondeve, të cilat ulin rreziqet bankare duke i dhënë një garanci të pjesshme portofolit të kredisë së një banke.

Kombinimi i mjeteve inovative, si përshembull ato që lidhen me financimin e bujqësisë, sigurimit të kulturave, kontraktimit në bujqësi e bën të nevojshme koordinimin e aktorëve të ndryshëm; si bankierë, sigurues, kompani të vogla të përpunimit, prodhuesit në mënyrë që të përdorin këto mekanizma innovative në funksion të zhvillimit. Partneritete të tilla gjithashtu nxisin dhe mënyra të reja dhe më efektive të qeverisjes.