Basti me Biodiversitetin

509 0

Krenaria është një gjë e madhe për shqiptarin, për më tepër kur bëhet fjalë për pasuritë natyrore. Me më shumë se 3200 lloje të bimëve vaskulare dhe 756 specie vertebrore dhe me rreth 30% të të gjithë florës europiane që zhvillohet në Shqipëri, me të drejtë mund të rrahim gjoksin me krenari për natyrën tonë. Por, ndërsa koncepti i biodiversitetit ka ngjyresa globale, ruajtja është thjesht një aktivitet lokal. Për t’i vendosur përpjekjet e ruajtjes së biodiversitetit në kontekstin lokal, Ministria e Mjedisit dhe Bashkimi Evropian në Shqipëri organizoi javën e kaluar një konferencë mbi Biodiversitetin.

Në vetvete Biodiversiteti duket si një fjalë interesante, por shpesh harrojmë kuptimin e vërtetë të tij, duke dështuar në adresimin e kësaj çështje të rëndësishme, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar e shikon atë me largpamësi. Bashkimi Evropian përmes projektit IPA 2013 ka dhënë 4 milionë euro për të mbrojtur Biodiversitetin shqiptar dhe në përgatitjen e vendit për “Natura 2000”, rrjeti i cili është pjesë e politikave natyrore të BE-dhe biodiversitetit. Qëllimi i rrjetit është që të sigurojë mbijetesën afatgjatë të llojeve dhe habitateve më të vlefshme dhe të kërcënuara të Evropës.

Shqipëria si një vend që synon të anëtarësohet në BE ka përgjegjësinë për të ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur Biodiversitetin e saj, duke qenë se humbja e këtij thesari me të gjithë ekosistemet, krijon efekte negative në ekonomi duke rrezikuar në një farë mënyre atë që ekspertët e cilësojnë si “shërbimet e natyrës”: ajri i pastër dhe uji, rregullimi i klimës dhe ruajtja e ekuilibrit të florës dhe faunës.

Por, padyshim që natyra nuk kufizohet vetëm nga disa vija në hartë. Dhe siç theksoi në fjalën e tij dhe ambasadori Italian, Masimo Gaiani gjatë prezantimi të projektit IPA i cili do të implementohet nga Cooperazione Italiana, Biodiversiteti nuk ka kufij.

Për të ndaluar humbjen e biodiversitetin në Shqipëri, duhet të ketë një sipërmarrje të përbashkët

“Biodiversiteti është ekzistenca jonë, është ekzistenca juaj. Ne jemi të gjithë në të njëjtën varkë dhe nëse duam që të ndalojmë humbjen e biodiversitetin në Shqipëri, duhet të jetë një sipërmarrje e përbashkët”, tha ambasadori Gaiani.
Ashtu si me politikën, edhe ruajtja është lokale dhe në këtë aspekt është me rëndësi përfshirja e komunitetit, në mënyrë që të ruhet kjo pasuri që në fund na bën të ndihemi kaq shumë krenarë.

"Përpjekjet për të mbrojtur tokat natyrore dhe ujërat tona duhet të jenë fokusi i interesit dhe veprimtarisë së të gjithëve dhe vlerësimi i statusit të ruajtjes së llojeve të veçanta është çelësi për të kuptuar gjendjen e përgjithshme të florës dhe faunës dhe vendosjen e prioriteteve për ruajtjen", theksoi në fjalën e saj zëvendës ministrja e Mjedisit, Olijana Ifti.

Reformat në fushën e natyrës, kanë vazhduar këtë vit me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në shkurt të vititi 2015 si një hap i rëndësishëm në menaxhimin e këtyre zonave. Ndërsa projekti Natura 2000 me një buxhet prej 4.4 milionë euro do të fokusohet në menaxhimin e integruar të zonave të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të planeve të menaxhimit dhe identifikimin e potencialeve, të cilat do të shtohet në rrjetin ekologjik evropian.

Por përpra se të shkojmë tek zbatimi, më parë duhet të kalojmë tek informimi, mbi atë që ekziston, në çfarë gjendje është dhe ku gjendet.

Disa prej 91 specieve të kërcënuara në nivel global janë gjetur në Shqipëri. Këtu përfshihet Pelikani Dalmat (Krispi crispus), xhuxho pelikan (Phalacrocorax pygmeus), dhe Peshku Blin (sturio Acipenser) për të cilat Shqipëria është një vend me rëndësi veçanërisht kritike.

Edhe pse vetëm një numër i vogël i llojeve janë zhdukur në gjatë shekullit të kaluar, shkalla e humbjes së Biodiversitetit gjatë 50-60 viteve të fundit besohet të jetë i lartë dhe në rritje. Dy lloje bimore dhe katër lloje gjitarësh janë zhdukur, dhe 17 lloje të shpendëve nuk ndodhen më në territorin shqiptar. Gjatë 25 viteve të fundit, rreth 122 lloje të vertebrorëve -27 gjitarë, 89 zogj, dhe 6 peshk – dhe katër lloje të bimëve vlerësohen të ketë humbur më shumë se 50% të popullsisë së tyre.

Edhe pse ne kemi ende shumë për të mësuar në lidhje me natyrën në Shqipëri, ajo që tashmë e dimë me siguri është se sa e jashtëzakonshme është natyra jonë dhe se sa duhet të kujdesemi që Biodiversiteti ynë të mos humbasë.

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri

Ruajtjen e natyrës në Shqipëri filloi rreth 50 vjet më parë, por ajo u zhvillua më fuqishëm pas vitit 1990. Aktualisht janë rreth 802 zona të mbrojtura, duke përfshirë 750 Monumentet e Natyrës në Shqipëri, duke mbuluar rreth 12,57% të sipërfaqes totale të tokës të vendit. Zona e parë e mbrojtur detare do të caktohet së shpejti.

Burimi: Agjencia Evropiane e Mjedisit