Grante fatlume për 13 sipërmarrës agro

468 0

Fermerët merren me bujqësi nga pasioni që kanë për tokën. Jo për ta vrarë këtë thënie pak idilike, por duhet të bëhemi dhe pak realistë dhe të pranojmë se vetëm me dashuri nuk korret shumë çka. Fermerët kanë nevojë për para dhe paratë nuk rriten në pemë, ndryshe do kishin mbjellë pemtore të tilla pafund. Shkurt, pemë mrekullibërëse që prodhojnë para nuk ka, por ka plane të mira e të qëndrueshme biznesi, që mund të sigurojnë mbështetje financiare në mënyrë që vizioni i fermës të bëhet realitet. Dhe kjo përmes programeve mbështetëse apo dhe një sërë grantesh, që financojnë bizneset e vogla dhe fermat familjare.

Fabian Demi, një fermer i ri nga Shkodra e di shumë se çdo të thotë të kesh një plan biznesi të mirë. Do të thotë të fitosh. Fabiani është një nga 13 fermerët që kanë fituar grantin e programit Danezo-Gjerman “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në Zonat e Pafavorizuara në Shqipëri”(SARED). “Kjo është gjithçka që mund të kërkoja. Ky grant është një ndihmesë shumë e madhe për biznesin tim”, thotë me entuiazëm Demi menjëherë sapo ka nënshkruar kontratën e grantit gjatë një ceremonie në Ministrinë e Bujqësisë. Me fondin e marrë tani fermeri shkodran do të mund të investojë në ndërtimin e baxhos, e cila do ta ndihmojë që të ketë një cikël të mbyllur nga prodhimi tek përpunimi.

Fabian Demi, një nga fermerët fitues te granteve SARED, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratave në Ministrinë e Bujqësisë

Ashtu si Fabiani dhe 12 fermerë të tjerë nga zona të disavantazhuara malore të Shqipërisë mundën të përfitojnë nga ky grant, duke marrë në total 270 mijë Euro, nga 6.5 milionë Euro, që është i gjithë fondi i këtij programi. Çka do të thotë se dhe shumë fermerë të tjerë do të mund të përfitojnë nga ky grant për të zhvilluar bizneset e tyre, ashtu siç pohon dhe vetë Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Sipas Panaritit, pritet që nga granti i SARED të përfitojnë afro 1000 fermerë. "Ky është një grant që synon që të nxisë zhvillimin e zonave rurale për ta kthyer bujqësinë në një motorr zhvillimi për ekonominë në këto qarqe”, tha Edmond Panariti, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratave të granteve.

Për Ole Henriksen, drejtorin e projektit SARED-GIZ, ky grant do t’i ndihmojë fermerët shqiptarë që të zhvillohen dhe të përmirësojnë më tej infrastrukturën e fermave të tyre. Ndërkohë që Përfaqësuesi GIZ në Shqipëri, Hans-Juergen Cassens theksoi edhe një herë gatishmërinë e shtetit gjerman për të mbështetur sektorin bujqësor. “Ne jemi shumë të lumtur që të mbëshesim këtë sektor kaq të rëndësish&eueuml;m për ekonominë shqiptare, i cili ka një potencial të madh”, tha Cassens në fjalën e tij drejtuar fermerëve.

Programi, i cili u lançua disa javë më parë në Tiranë ka hapur dritën jeshile për shumë fermerë dhe agro-përpunues në 6 qarqe: Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan dhe Berat, të cilët deri në fund të vitit mund të aplikojnë për grante që mbulojnë deri në 75% të vlerës së investimit në mbarështimin e blegtorisë së imët, pemët frutore dhe arrorët, bimët aromatike dhe mjekësore, si edhe agro-turizëm dhe marketing.

Projekti shkon përshtat me nevojat që ka atualisht ekonomia jonë në zhvillimin e sektorit bujqësor në mënyrë të veçantë në zonat e disavantazhuara. “Më duhet të theksoj se këto zona kanë një potencial të madh, veçanërisht nëse zhvillimi i bujqësisë kombinohet me agro turizmin”, theksoi ministri Panariti.

Sipas burimeve të zyrtare të Ministisë së Bujqësisë, që nga hapja e parë e aplikimeve në muajin prill dhe deri aktualisht, janë dorëzuar 41 aplikime me një volum investimesh prej 930,000 Euro, nga të cilat 604,000 Euro janë në formën e granteve për përfituesit. Për tu inkurajuar është dhe fakti se nga totali prej 41 aplikantësh ka dhe 5 fermere fermra, nga rrethet e Korçës dhe Elbasanit.