Të kthehesh duarbosh nga Greqia, historitë e shqiptarëve që po vuajnë krizën

283 0

Kanë mbledhur fruta për tre javë ne Greqi dhe kthehen duarbosh. Janë katër shqiptarë me të cilët agjensia e lajmeve Reuters nis artikullin e saj dedikuar krizës ë borxhit grek dhe dëmeve që ajo po shkakton te fqinjët.

“Këtë herë ne nuk jemi paguar”, thotë për gazetarin Benet Koleka, të Reuters një nga katër fruta-mbledhësit, Mustafa Kullolli, 46 vjeç, nga Elbasani. “Na u tha që do marrim 200 euro kur të hapen bankat.”

Kriza e borxhit të Greqisë ka shkaktuar vështirësi te grekët, por vala po shpërndahet tek fqinjët e saj ish-komunistë, ekonomikisht të varur nga Greqia dhe, sepse ata janë më të varfër, janë edhe më pak të përgatitur për të përballuar pasojat.

Në artikull shkruhet se përveç Shqipërisë pritet që kriza greke të ketë impakt negativ edhe në vende si Kosova, Serbia, Maqedonia dhe Bullgaria.

Tashmë që Greqia nuk është më një vend i përshtatshëm nga ku emigrantët mund të sigurojnë të ardhura, shumë prej tyre po i drejtohen Gjermanisë. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, rreth 16,000 shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani, ku muaji Maj regjistron 4900 persona që kanë arritur atje.

Grekët nuk kanë para

Kullolli dhe tre shokët e tij, të  cilët po ktheheshin në Shqipëri të martën në mëngjes, thanë se për të mbërritur në shtëpi ata do të përpiqeshin të gjenin një udhëtim falas, ose të blinin një biletë autobusi.

Gjatë tre javëve të fundit, ata kishin mbledhur qershi dhe pjeshkë në fshatrat në zonën e Edessa, në veri të Greqisë.

“Grekët nuk kanë para, ata janë vetë në krizë,” tha ai. “Na thanë që të kthehemi dhe të punojmë sërish pas dy javësh dhe të marrim paratë.”

Mes 600,000 shqiptarësh që punojnë përkohësiht në Greqi, Kulolli dhe shokët e tij e kishin bërë këtë udhëtim për tetë vitet e fundit. Gjërat nuk janë qenë të lehta që nga kriza financiare e vitit 2008, por ai tha se nuk kanë qenë asnjëherë aq keq sa tani.

“Ata nuk na kanë paguar gjithmonë për punët bujqësore, por nuk mund të bënin asgjë me bankat këtë herë,” tha Kullolli.

Ekonomia në Shqipëri është e varur ndjeshëm nga remitancat që dërgohen nga njerëzit që jetojnë në Greqi. Këto para kanë nxitur shpenzimet konsumatore dhe ndërtimin e shtëpive të reja.

Në pikun e tyre, përpara krizës financiare, paratë që dërgonin shqiptarët jashtë, kryesisht nga Italia dhe Greqia, llogariteshin në 11.5% të prodhimit të brendshëm bruto.

E ndërsa remitancat ranë si rrjedhojë e ndadalësimit grek, ekonomia shqiptare u rrit  gjithashtu më ngadalë. Rritja ra në 1.1 në 2013, më e ulëta në 16 vjet.

Të lidhur me Greqinë

Në kufi, disa sipërmarrje shqiptare kanë gjetur një mundësi në telashet e Greqisë.

Zyrtarët e doganave thanë se kishin parë njerëz të kalojnë në Shqipëri me traktorë të dorës së dytë, ndoshta të blera nga fermerët grekë me çmime të ulëta.

Për shumicën e shqiptarëve megjithatë, mbyllja e bankave greke, tani në javën e saj të dytë, dhe perspektiva e daljes së Greqisë nga Zona Euro po e përkeqësojnë edhe më një situatë që ishte negative.

Një tjetër grup që po kthehej nga mbledhja e qershive, tha se ishin me fat; ata ishin paguar nga fermeri që i kishte punësuar. Por ata thanë se nuk shohin asnjë të ardhme të punojnë në Greqi. Vendi “kishte shkuar në zero”, tha njëri prej tyre në afërsi të kufirit.

Ndërsa ngiste një makinë të mbushur me mallra, Fredi Hyska, 32 vjeç,piktor dhe bojaxhi, me banim në qytetin port të Greqisë, Selanik, tha se ai mezi mund të fitojë 500 Euro në muaj kohët e fundit, nga 1500 apo 2000 Euro që merrte më parë.

“Ne e kemi ndjerë krizën në palcë gjatë pesë viteve të fundit,” tha ai.

Megjithatë, shumë prej shqiptarëve që kthehen në shtëpi thanë se do të vazhdojnë të shkojnë në Greqi, sepse, edhe nëse gjërat po shkonin keq atje atje, ishin ende më mirë se në vendet nga vinin.

Në Shqipëri, të ardhurat për frymë vitin e kaluar ishin $ 4,619.2, ndërsa në Greqi, pavarësisht trazirave atje, janë katër herë më shumë, në 21,682 $, sipas Bankës Botërore.

“Ne jemi të lidhur me Greqinë tani, fëmijët tanë shkojnë në shkollë atje,” tha Hyska për Reuters. “Ne do të përpiqemi të rezistojmë.”