Të korrësh suksesin në bujqësi

333 0

Përditësim: 6 Gusht 2015. U rrit si fëmijë i një fermeri pa tokë. Nuk u demoralizua, por përveshi mëngët dhe iu fut punës për të skicuar historinë e tij të suksesit. Studenti i apasionuar i Universitetit Bujqësor, që i kalonte pasditet në fushë, herë në atë të futbollit me shokët e mëhallës e herë në atë kooperativës duket se e kishte ndarë mendjen se fusha një ditë do të ishte e tija dhe topin do ta gjuante vetë. Ruzhdi Koni e kishte vendosur. Do të merrej me agrobiznes.

Sot një burrë në mesin e të dyzetave, larg pamjes së një biznesmeni të rëndë, por hokatar të tregon se si nisi tregëtinë. Ja ashtu me kopshtin e vogël të shtëpisë Koni, duke iu shitur fruta fillimisht komshinjve e që rreth 20 vite më pas do ua shiste jo vetëm komshinjve të tij, por edhe komshinjve të të gjithë Shqipërisë.

Me mbështetjen e USAID, Koni ka mundur të zgjerojë kompaninë e tij, duke u specializuar në inpute, konsolidim, shitje me shumicë dhe import/eksport të frutave dhe perimeve të freskëta. Me një xhiro vjetore prej 1.5 milionë dollarë dhe me një aktivitet të përditshëm të shpërndarjes së rreth 20 ton frutave dhe perimeve të freskëta për tregun lokal, dhe me eksporte në Kosovë, Serbi, Bullgari, Mali i Zi, Lituani, etj, Agrokoni është kthyer në një nga kompanitë më të mëdha dhe të njohura në vend.

Drejtori i USAID për Shqipërinë, Marcus Johnson (djathtas) gjatë një vizite në serrat e prodhimit të fidanëve me drejtuesin e AgroKoni (majtas) Ruzhdi Koni. 

Të skicosh suksesin farë pas fare

Historia e Ruzhdi Konit, është par excellence shembulli se si me punë dhe dedikim ti mund t’ia dalësh. Por duhet thënë gjithashtu se në historinë e suksesit ka dhe shumë aspekte të tjera, ku veçanërisht dy janë ato që bien më shumë në sy dhe që në fund e fundosin apo e mbajnë në lundrim biznesin: inovacioni dhe mbështetja e zgjuar ndaj teknologjive të reja premtuese.

Shumë pak agrobiznese, arrijnë ta mendojnë ashtu si Koni inovacionin, si një mënyrë për të përdorur më mirë burimet e disponueshme dhe për të marrë dhe përfitimin maksimal, por që për hir të së vërtetës nuk kanë qenë dhe aq fatlumë sa ai për të marrë asistencën e duhur e për ta vënë këtë motorr në lëvizje. “Falë USAID, biznesi im ka ecur shumë përpara në treg, Duke patur mundësinëeuml; për tu hapur ndaj teknologjive të reja dhe për të krijuar lidhje me fermerë dhe grupe prodhuesish, jam hapur më shumë ndaj mundësive të reja dhe kërkesave që kanë shumë vendeve të Bashkimit Evropian”, thotë Koni, i cili përveç eksportit ka krijuar dhe një inkubator në serrën e tij për mbjelljen e fidanëve, e cila është kthyer në një atraksion më vete. 

Punonjëse duke mbjellë fidanët e domates në serrën e AgroKoni në Maminas.

Fermerë nga pothuajse i gjithë vendi shkojnë të vizitojnë fermën e tij, për të mësuar më shumë mbi teknikat e reja të cilat AgroKoni po i implementon me shumë sukses. Por serra nuk është i vetmi atraksion inovativ që i sjell këtu. Prodhimi i energjisë për përdorim në serrë përmes bëlsive të ullirit, projekt ky i zhvilluar dhe falë këshillimit nga USAID, është një histori suksesi që ka tërhequr dhe shumë fermerë të tjerë që ashtu si Koni duan të gjejnë forma alternative për të siguruar energji bio me kosto më të ulëeuml;t.

"USAID duket pasur përvojën e duhur për të ndihmuar në krijimin e një biznesi të suksesshëm të qëndrueshëm, ka kapacitetet e duhura për të ndihmuar fermerët shqiptarë për tu hapur ndaj teknologjive dhe mundësive të reja të tregut", thotë Marcus Johnson, drejtor i USAID-it në Shqipëri. "Ne duam të promovojmë teknologji të reja në bujqësi, dhe me asistencën inteligjente të USAID për biznese të qëndrueshme ne shpresojmë të kemi një impact pozitiv tek populli shqiptar”.

Fuqizim alternativ dhe pjalmim me bletë

Sektori i serrave është tejet i rëndësishëm për rritjen e sektorit bujqësor në vend, duke patur dhe një rritje vjetore prej 8-12% në vit. “Një prej projekteve tona është që të ndihmojmë në lidhje me përcaktimin e modelit të serrave që i përshtatet më shumë nevojave të Shqipërisë”, shpjegon Johson ndërsa vizitonte serrat dhe strukturën e re të prodhimit të fidanëve në Maminas.

AgroKoni aktualisht ka ngritur një strukturë të re të prodhimit të fidanëve në Maminas. Investimi prej 1 milion dollarësh, me 9.000 m² dhe me një kapacitet prodhues prej 10 milionë fidanë në vit, është më i madhi në Shqipëri. Serra është tërësisht e kompjuterizuar me kontrollin automatik të temperaturës, lagështisë, plehrave dhe përdorimin e ujit etj. Prodhimi kryesor i fidanëve është për domate, tranguj, speca, shalqi (të shartuar dhe jo të shartuar), të cilat më pas shpërndahen në mijëra serra dhe fermerëve në fusha në të gjithë vendin, duke siguruar punë të përhershme për 15-20 punëtorë dhe rreth 150 punonjës gjatë periudhave të pikut

USAID do ta mbështesë pjalmimin e domates me bletë, në mënyrë që të nxisim dhe inkurajojnë fermerët të prodhojnë në mënyrë organike

Koni ka vazhduar të jetë një nga kontribuesit më të rëndësishëm për sigurimin e fidanëve të domateve për dy vjet rresht në Shqipëri, falë koordinimit të USAID në testimit e varieteve në dy zona të Shqipërisë perms një teknike innovative: atë të pjalmimit me bletë. Teknikë kjo që iu mundëson fermerëve prodhimin e domateve organike pa hormone. "Bletët janë pjalmues të shkëlqyer me domate ata sigurojnë një prodhueshmëri më të lartë dhe domate më të mëdha”, thotë Koni.

Edhe pse AgroKoni është nga kompanitë e para që e aplikon këtë teknikë, në botë njihet që nga viti 1987, ku kultivuesit komerciale filluan ta përdorin ato në dhomat e tyre prej qelqi. Para se të kuptohej efikasiteti i pjalmimit me bletë, pjalmimi bëhej në serra në mënyrë artizanale. Një punë intensive, e kushtueshme dhe aspak organike. “Pjalmimi me bletë krijon mundësi për më shumë prodhim”, shpjegon Drejtori Ekzekutiv i AAC Lushnja, Piro Rrapushi, i cili e ka asistuar AgroKoni me ekspertizë në këtë teknikë të re, e cila pritet shumë shpejt pritet të kthehet në një trend për serrat shqiptare. "USAID do ta mbështesë dhe do ta promovojë edhe përmes AAC Lushnja, pjalmimin e domates me bletë, në mënyrë që do të nxisim dhe inkurajojnë fermerët e tjerë për të prodhuar në mënyrë organike duke u bërë kështu më konkurues në tregun lokal dhe atë ndërkombëtar", tha drejtori i USAID-it, Marcus Johnson.

Ashtu siç është dhe Ruzhdi Koni, fermeri që nuk kishte tokë, por që e nisi biznesin duke shitur fruta nga kopshti i tij i vogël duke menduar për investime inovative dhe duke patur asistencën e duhur që sot të kthehej në një markë në Bujqësinë shqiptare.