Nga Komunat në Bashki “ Efektet në Bujqësi

183 0

Që prej 1912-ës, Shqipëria ka pasur rreth 6 herë ndarje territoriale dhe që prej Kryeplakut e deri te Kryetari i Bashkisë fshatrat kanë parë e provuar gjithçka për zgjidhjet apo mos-zgjidhjet e problemeve të tyre. Me ndarjen e re territoriale Shqipëria tashmë ka jo vetëm 61 Bashki por edhe 61 Kryetarët e tyre. Asnjë komunë, asnjë kryetar komune nga plot 308 që numëronte në ndarjen e mëparshme. Pas fushatës elektorale ku reforma e re territoriale u cilësua si një çelës i artë për bujqësnë, tashmë është momenti i “provës së zjarrit”. Por a janë ndarë qartazi kompetencat për çështjet bujqësore që marrin tashmë Bashkitë e mëdha të cilat më parë i takonin komunave?

Në fillim të vjeshtës. Kjo është koha kur parashikohet të kemi një platformë të plotë mbi përgjegjësitë e reja që marrin Bashkitë përsa i takon çështjeve të bujqësisë. Lajmin e konfirmon për Agroweb, Zëvendës Ministri i Bujqësisë Alban Zusi, i cili pohon se Ministria e Bujqësisë së bashku me Ministrinë e Çështjeve Vendore dhe institucionet përkatëse po punojnë për këtë platformë të re rregullatore pasi edhe shumë prej shërbimeve dhe detyrimeve në nivel qëndror do t’i kalojnë pushtetit lokal.

Sipas zv.Ministrit Zusi, reforma administrative-territoriale do të fuqizojë qeverisjen vendore përmes decentralizimit të më shumë funksioneve dhe kompetencave dhe marrjes së më shumë fondeve publike. Qeverisja vendore do të ketë më shumë mundësi për të marrë pjesë në projekte të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, për të tërhequr më shumë fonde nga BE dhe donatorë të tjerë.

Reforma e re territoriale përfshin decentralizimin e administrimit të pyjeve dhe kullotave, transferimin 100 për qind në pronësi të qeverisjes vendore të fondit pyjor, bashkë me funksionin e administrimit të rrugëve rurale. Foto: Fusha e Gjasë, Kukës

Me ndarjen e re administrative parashikohet që bizneset të kenë përfitime të mëdha, pasi kanë mundësi të zgjerojnë sipërmarrjet e tyre në funksion të rajonit të madh, por dhe nga partneriteti me pushtetin lokal për projekte dhe investime. Nga ana tjetër, bizneseve u hapen fusha të reja investimi me zhvillimin e resurseve turistike të rajonit, të cilat shihen si mundësi e konsiderushme për rritjen e të ardhurave.

Reforma administrative-teritoriale do të çojë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe ofrimit të shërbimeve publike më efiçente nga qeveritë vendore; mbledhjen më efektive të taksave dhe tarifave nga to; mundësi më të mira për të promovuar dhe nxitur zhvillimin ekonomik lokal të qëndrueshëm.

Zhvillimi ekonomik në cdo njësi të re përfshin decentralizimin e administrimit të pyjeve dhe kullotave, transferimin 100% në pronësi të qeverisjes vendore të fondit pyjor, drejtorive rajonale të shërbimit pyjor me financimin përkatës, kompetencë në administrimin e infrastrukturës, rrjetit dytësor dhe tretësor të ujitjes dhe kullimit bashkë me funksionin e administrimit të rrugëve rurale.

Sipas planifikimeve aktuale, ndarja e re territoriale pritet të kursejë 60 milionë dollarë në vit si shpenzime administrative dhe që do t’i kthehen pushtetit vendor në formën e investimeve.

Zoti Zusi thotë se ndarja e re rrit përgjegjësinë e pushtetit lokal ndaj zonave rurale. Fermerët marrin shërbimin në përputhje me kërkesat.

Shërbimët bujqësore, statistikat apo edhe poltitikat bujqësore që aktualisht janë në nivel qendror do t’i kalojnë Bashkive ndërsa shumë prej shërbimeve do të kalojnë me administrim përmes partneitet publik-privat, siç janë shërbimet e veterinarisë.

Bashkitë tashmë do të kenë më shumë kompetenca, thotë z.Zusi, gje që sipas tij, do të eleminojë edhe “fshehjen pas gishtit” që shpesh komunat bënin duke ia hedhur përgjegjësinë pushtetit qendror. Drejtoritë e bujqësisë do të vijojnë të funksionojnë por si njësi më të vogla ndërkohë që në planin e ri pritet të rekomandohet ngritja e Drejtorive të Bujqësisë në çdo Bashki.

Një risi e organizimit të ri bujqësor do të jetë edhe administrimi i Skemave financiare të grateve. Zoti Zusi thotë se tashmë jo vetëm zbatimi por edhe administrimi i tyre do t’i kalojë AZHBR-së, dhe jo më Ministrisë së bujqësië, për më shumë efikasitet në menaxhimin e tyre.

Por cilat do të jenë efektet positive të kësaj reforme? Zëvendës Ministri i bujqësië rendit të parën rritjen e llogaridhënies. Gjykimi për punën e stafit të Bashkisë jepet më i qartë dhe i drejpërdrejtë nga votuesit, thotë Zoti Zusi. Me marrjen e më shumë kompetencave nga Bashkitë në rethe, s’do të kemi më abuzime duke ia kaluar përgjigjësinë nga pushteti local në atë qëndror. Kemi një përgjgjës unik dhe ai është kreu i Bashkisë.

Çelësi i suksesit? Për z.Zusi qëndron te ndarja e qartë dhe e prerë e kompetencave dhe përgjegjësive dhe ajo që është më e rëndësishme, koordinimi përmes shkëmbimeve të mirëpërcaktuara periodike të informacione mes pushtetit lokal dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Në terma bujqësorë, reforma e re territoriale është mbjellë, sezoni i korrjes së fryteve starton me nisjen e vjeshtës.