I nxehti rekord, a do të ikë vapa me gushtin?

435 0

Një Shqipëri tropikale. Dhe jo vetëm për shkak të palmave që kanë nisur të shtohen në rrugë e plazhe. Ashtu si edhe pjesa tjetër e botës edhe vendi ynë po përjeton të nxehtë të pazakontë, duke kapur shifra rekord. Viti 2015 tashmë zyrtarisht është më i nxehti në histori, veçanërisht Korriku kur niveli i temperaturave globale nuk ishte parë që prej vitit 1800.

Ekspertët e klimës thonë se gjysma e parë e 2015-tës është regjistruar tashmë si më e nxehta, duke shënuar një rekord të ri, ndërkohë që temperaturat do të pësojnë ngritje edhe përgjatë gjashtë muajve të fundit të vitit. Toka ka thyer rekordin mesatar mujor të të nxehtit 25 herë që prej vitit 2000, por ende nuk ka thyer rekord të të ftohtit që prej vitit 1916.

Korriku, rekord historik edhe në Shqipëri

Agroweb ka mundur të marrë të dhëna mbi temperaturat mesatare të këtij viti në Shqipëri nga shërbimi Meteoalb. Sipas znj Tanja Porja, drejtuese e këtij institucioni, vera 2015, krahasuar me verën tipike të Shqipërisë, rezulton të jetë shumë e nxehtë. Ajo krahasohet me verën e vitit 2003, 2007 dhe 2012 të cilat janë tashmë të klasifikuara si në rajon ashtu dhe në Europë si vera shumë të nxehta. Konkretisht, në vitet 2003, 2007 dhe 2012 janë shënuar temperatura maksimale ditore mbi 41°C ndërkohë që vera e këtij viti ka shënuar temperatura ditore mbi 42 °C, vlera këto të matura në hije, sipas standarteve botërore të matjeve meteorologjike. Në terrene të zhveshura nga bimësia apo në sipërfaqe të asfaltuara, temperaturat janë ngjitur disa gradë mbi 42°C.

Sipas Meteoalb, klasifikimi i verës 2015 si shumë e nxehtë, ka ardhur pikërisht prej temperaturave të muajit korrik pasi muaji qershor u paraqit i freskët në pjesëm më të madhe të tij. Ndërkohë, edhe muaji gusht gjatë 10 ditëshit të dytë prezantoi temperatura pranë vlerave tipike të muajit gusht por edhe nën vlerat tipike të tij.

Konkretisht gjatë muajit korrik temperaturat maksimale ditore kanë shënuar vlera ekstremisht të larta duke bërë që në shumë zona, të vendosen rekorde të rinj historike, të temperaturave maksimale. Megjithatë, ajo cfarë ka theksuar më tepër nxehtësinë e muajit korrik është fakti se temperaturat minimale gjatë gjithë muajit korrik për shumë zona të Shqipërisë kanë variuar në intervalin 21 – 27°C, vlera tipike të zonave tropikale. Një tjetër faktor favorizues i të nxehtit të korrikut 2015, ishte goditja e territorit shqiptar nga vala e të nxehtit afrikan, me kohëzgjatje nga 5 ditë deri në 13 ditë të njëpasnjëshme.

Vera e viti 2015 është ndikuar edhe nga prezenca e fenomenit El Ninjo në oqeanin Paqësor, efekti i të cilit do të vijojë ndikim global edhe në dy stinët vijuese.

Vapë apo ftohtë në muajt në vijim?

Mesa duket nuk do të presim që vapa të ikë më gushtin. Periudha e mbetur e vitit, parashikohet të sjellë më pak reshje, referuar normave mujore klimatike të muajve përkatës për territorin shqiptar. Vlen të theksohet se kjo anomali në reshje do të jetë më e dukshme në muajt nentor dhe dhjetor ndërsa gjatë muajve shtator dhe tetor parashikohet që Veriu dhe Qendra e Shqipërisë të marrin reshje shumë pranë normave mujore. Zonat jugore pritet që gjatë muajve shtator – tetor të marrin reshje 20 – 30 mm mbi normat e tyre mujore.

Sipas Agjensisë Amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), këtë vit Toka do të përjetojë temperaturat mesatare më të larta të të gjitha kohrave, NOAA, NASA dhe Agjesia Japoneze Meteorologjike kanë publikuar të dhëna që tregojnë se Korriku i këtij viti ka qenë më i nxehti I regjistruar. Te dhënat e NOAA tregojnë se mesatarja globale e temperaturave të Korrikut u rrit me 0.14 gradë që prej rekordit te muajit më të nxehtë të regjistruar në Korrik të vitit 1988.

Temperaturat e larta janë pasojë e fenomenin klimaterik të quajtur El Ninjo që ka patur një ndikim shumë të madh në rritjen tej mesatares së temperturave në sipërfaqen e detit në Paqësor. Por i nxehti si pasojë e El Ninjo-s nuk është shfaqur vetëm në oqeane, por ka rritur gjithashtu temperaturat në zona të tjera falë efektit të tij në mesataren e temperaturave globale.

Ndikimi i El Nino-s mbi temperaturat globale është shfaqur edhe në temperaturat e muajve të parë të vitit. Temperatura mesatare globale vjetore shënuan rekorde edhe gjatë periudhës Janar-Korrik, duke thyer rekordin për të njëjtën periudhë nga 2010 me një rritje prej 0.16 gradësh. Pesë muajt e parë të këtij viti, duke përfshirë edhe tre të fundit, kanë shënuar rekord përsa i përket nxehtësisë. Janari i këtij viti renditet si janari i dytë më i ngrohtë në histori, ndërsa Prilli renditet i treti ndër rekordet e ngrohtësisë së tij ndër vite.

Duke marrë parasysh se çdo muaj i këtij viti është renditur në mesataren e muajve më të nxehtë, madje duke shënuar rekorde për planetin, është pothuajse e sigurt se viti 2015 do të jetë viti më i nxehtë derimëtani, Si pasojë e forcimit të efektit të El Ninjo-s së bashku me trendin e ngrohjes afat-gjatë për shkak të përqendrimet në rritje të gazeve me efekt serrë temperaturat po ngjiten gjithnjë e më shumë në lartësi të reja.