Ndryshimet klimatike – Lajme të hidhura për shijuesit e verës

245 0

Thonë që vreshtat kanë një delikatesë femërore e nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur, ka telashe. Historia e efekteve të klimës mbi prodhimtarinë e rrushit është një pjesëz e vogël e pasojave që ndryshimet klimatike kanë në bujqësi. Kushtet ekstreme të motit gjatë korrikut, që përkuan me perudhën e pjekjes së rrushit, ndikuan në prodhimtarinë e tij në Shqipëri, ndërkohë që fermerët po ndërmarrin masa për ta mbrojtur nga të nxehtët apo breshëri.

Rritja e temperaturave, si pasojë e ndryshimeve klimatike ishte po aq e dëmshme sa edhe breshëri i papritur veçanërisht në Berat, Lushnje dhe së fundmi në Gramsh, ku rreshtjet e breshërit dëmtuan 58 hektarë vreshta dhe ullishta. Fatos Nurellari, prodhues rrushi në Berat, thotë për Agroweb se rrebeshi i verës solli dëme të mëdha në prodhimtarinë e rrushit veçanërisht në një pjesë të Komunës Vertop.

I njëjti problem kompleks në Lushnje, ku Bajram Kokla, një fermer i njohur i zonës, tha për agroweb se breshëri i verës pati të njëjtin efekt shkatëeuml;rrues si edhe temperaturat e larta në prodhimtarinë e disa zonave.
Rrallimi i gjetheve, një praktikë shumë e përdorur në Shqipëri, pati një efekt dëmtues mbi vreshtat, duke djegur kokrrat e ekspozuara ndaj diellit, veçanërisht në varietetin e rrushit të tavolinës. Në të tilla kushte, vreshtaria po përballet me sfida të mëdha, por shumë pak dihet mbi vështirësitë që priten në vitet në vijim.

Ekspertët po shohin veçanërisht pasojat në prodhimtarinë e rrushit e të verës pasi përshtatja e kësaj industrie mjaft sensitive ndaj ndryshimeve klimatike, do të përbëjë një sfidë të vërtetë.

Koha e vjeljes duhet të shihet me kujdes të veçantë pasi gjithçka është e bazuar në vlerësime individuale të varietetit të rrushit në perspektivën edhe të cilësisë së verës, gjë që lidhet me shije dhe tendenca të ndryshme dhe mund të varet edhe nga objektiva komercial, kapacitet i prodhimit dhe procesimit apo edhe nga faktorë të tjerë.

Një tjetër faktor që lidhet ngushtësisht me klimën e që ka shumë gjasa të influencojë në cilësinë e rrushit janë insektet dhe sëmundjet, si edhe rritja e nivelit të sheqerit apo përqëndrimi i etanolit, pasoja këto që do të kenë efektet e tyre financiare për fermerët.

Prodhimtaria e rrushit dhe ullirit – më e rrezikuara

Një raport i fundit i publikuar nga Banka Botërore, rezervon një lajm të mirë dhe një lajm të keq për bujqësinë shqiptare. Lajme të këqija për të gjithë kultivuesit e rrushit e të ullinjve dhe lajme të mira për prodhimtarinë e grurit.
Prodhimtaritë bujqësore më të rrezikuara janë ato të rrushit dhe të ullinjve, që janë kultura të ujitura, me varësi nga rreshjet. Prodhimtaria e tyre parashikohet të ulet me 20-21 përqind , në krahasim me bazën (2000–2009) nën 1.81°C të ngrohjes. Ndërkohë që sipas të njëjtit raport, prodhimtaria e grurit do të marrë hov. Kjo prodhimtari pritet të rritet deri në 24 përqind, si pasojë e zgjatjes së periudhës së rritjes dhe temperaturave të moderuara gjatë stinës së dimrit.

Gjysma e parë e 2015-tës është regjistruar tashmë si më e nxehta, duke shënuar një rekord të ri, ndërkohë që temperaturat do të pësojnë ngritje edhe përgjatë gjashtë muajve të fundit të vitit, sipas eksperëte të klimës.

Periudha e mbetur e vitit, parashikohet të sjellë më pak reshje, referuar normave mujore klimatike të muajve përkatës për territorin shqiptar. Vlen të theksohet se kjo anomali në reshje do të jetë më e dukshme në muajt nentor dhe dhjetor ndërsa gjatë muajve shtator dhe tetor parashikohet që Veriu dhe pjesa qendrore e Shqipërisë të marrin reshje shumë pranë normave mujore. Zonat jugore pritet që gjatë muajve shtator – tetor të marrin reshje 20 – 30 mm mbi normat e tyre mujore tha për agroweb znj. Tanja Porja, drejtuese e MeteoAlb.

raportin e Bankës Botërore "Të ulim cënueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike" theksohet se temperaturat në Shqipëri pritet të rriten me 1.5 Gradë Celsius deri në vitin 2050 – shumë mbi rritjen prej më pak se 0.5 Gradë C të vëzhguar në vend gjatë 50 viteve të fundit. Gjithashtu, ndryshimet në reshjet vjetore ka mundësi të rrisin shpeshtësinë dhe madhësinë e përmbytjeve në vend.

Burimi: Raporti ‘Të ulim cenueshmërinë e sistemeve bujqësore shqiptare ndaj ndryshimeve klimatike’

Bujqësia është ndër sektorët më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe pa një plan të qartë të politikave bujqësore në përshtatje me ndryshimet e klimës, jetesa e zonave rurale është në risk. Falë ndryshimeve klimatike, disa zona do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e ndrysimeve ekstreme të motit si i nxehti apo breshëri. Kushtet e papritura të motit vit pas viti, janë fatkeqësia e vreshtarëve dhe ëndrra e keqe e shijuesve të verës.