Global GAP – Zgjidhje për sigurinë ushqimore dhe eksportet

458 0

Shqiptarët shpesh kanë shqetësime të ndryshme nga pjesa tjetër e botës. Por ekziston një shqetësim i përbashkët që lidhet me mirëqenien, të cilin ne e ndajmë me të gjithë qytetarët e këtij planeti: Siguria ushqimore. Popullsia në rritje dhe ndryshimet klimatike janë dy nga faktorët më sfidues me të cilët përballet njerëzimi sot dhe Shqipëria duhet të marrë masat e veta, duke fokusuar politikat dhe financat kundrejt kërkesës jo vetëm për më shumë ushqim, por mbi të gjitha, për ushqim më të shëndetshëm e të sigurt. A janë shqiptarët të garantuar për sigurinë e produkteve ushqimore që konsumojnë?

Me shterimin e burimeve natyrore, prej vitit 2030 më shumë se 50% e popullsisë do të ndikohet nga pamjaftueshmëria e ujit, por edhe e burimeve ushqimore. Zgjidhja është sigurisht: Praktika të sigurta, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme të prodhimit bujqësor.

Duke ndjekur pikërisht këtë linjë, inisiativa e certifikimit Global GAP, që do të prezantohet dhe implementohet së shpejti në Shqipëri, synon më shumë se thjesht certifikim. Ajo synon mbi të gjitha praktika më të sigurta dhe afatgjata për të gjitha prodhimet bujqësore. Një nga qëllimet e certifikimit është të barazojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve bujqësore shqiptare me ato të vendeve të rajonit me qëllim hapjen e tregjeve të reja për eksportet drejt vendeve europiane të cilat janë kërkuese ndaj origjinës dhe cilësisë së prodhimeve. Por shumë e rëndësishme do të jetë edhe arritja e një standardi të vërtetë sigurie edhe për konsumatorët shqiptarë për të garantuar transparencën e prodhimeve përtej pretendimeve të prodhuesve të tyre.

Qëllimi i certifikimit Global GAP është inovacioni dhe përmirësimi i vazhdueshëm i të gjitha hallkave të sektorit, përshtatja dhe standardizimi gjithmonë në partneritet me të gjitha faktorët për një zgjidhje të përshtatshme për sigurinë e fermave në mbarë botën.

Pikërisht për t’i ofruar fermerëve shqiptarë më shumë mundësi për të përmirësuar procedurat e tyre të prodhimit dhe të rrisin eksportet, një projekt i ri rajonal, që përfshin Shqipërinë, Maqedonine dhe Serbinë, i mbështetur nga USAID do të mundësojë certifikime të përshtatshme me kërkesat e tregjeve evropiane për fermerët e rajonit tonë. Kompanitë zbatuese të projektit janë Creative Business Solutions (CBS) nga Shqipëria, AgBiz MK nga Maqedonia dhe SMS Consulting d.o.o nga Serbia.

Siguria ushqimore është objektivi themelor i të gjitha certifikimeve që nga Global GAP, HACCP apo ISO 22000. Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Pëputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit. e implementuar nga SEGURA do të përfitojnë 15 fermerë dhe agropërpunues shqiptarë.

Certifikimi Global GAP është pjesë e projektit që synon lidhjen e fermerëve dhe trëgëtuesve për të pasur produkte më të sigurta për konsumatorët. Por cilat janë arsyet kryesore pse fermerëve u duhet certifikimi Global Gap?

Burimi i të dhënave:Global GAP

Zbatimi i aktiviteteve të USAID do të ketë tre drejtime kryesore; trainime për të rritur njohuritë mbi cilësitë kryesore të standardeve dhe certifikimeve; asistencë në zbatimin dhe certifikimin e standardeve për të rritur shitjet dhe eksportin si dhe asistencë në krijimin e lidhjeve të tregjeve rajonale me ato Evropiane.

Trainimi i parë pritet të zhvillohet në 30 shtator-2 Tetor në Lushnje, fillimisht me prodhuesit e frutave dhe perimeve ndërsa një takim i dytë do të jetë me trupa audituese dhe konsulentë privatë përgjegjës për certifikimin e sistemeve Global GAP në Shqipëri.

Tashmë Shqipëria ka një mundësi të artë të fokusojë prioritetet, politikat dhe investimet drejt zhvillimeve gjithpërfshirëse dhe afatgjata, që i mundësojnë çdo qytetari, sot dhe në të ardhmen, mundësi për një ushqim të sigurt.