Rakia ime është Shqiptare

869 0

E rritur në Rusi, në vendin e mirënjohur për dashurin&eeuml; ndaj një pijeje alkolike tipike, një nga subjektet më intriguese të hulumtimit tim ishte thuajse e pashmangshme të ishte Rakia. Sa herë që unë përmend pijen shqiptare Raki, miqtë e mi turq, boshnjakë, serbë, rumunë, malazezë, maqedonas madje edhe grekë tundin mohueshëm kokën në mënyrë kundërshtuese duke thënë se unë gabohem rreth origjinës së kësaj pijeje. Ajo që në fakt kam mësuar këtu në Ballkan , është se mund t’i hysh një debati pafund e pakrye me njerëzit që jetojnë në këtë rajon, mbi origjinën e një pijeje alkolike, një ushqimi tradicional apo edhe të heronjve kombëtarë. Ndaj unë pa dashur të debatoj mbi origjinën gjeografike të Rakisë, do të përpiqem të fokusohem në gjurmimin e disa prej veçantive dhe variacioneve të Rakisë që ekzistojnë dhe që kam pasur mundësi t’i has, veçanërisht në Ballkan.

Emërtimi Raki thuhet se ka një origjinë prej Lindjes së Mesme apo Turqisë dhe fjalë për fjalë do të thotë "e distiluar". Vetë pija mund të ketë fillesat shumë të hershme që prej shekullit të njëmbëdhjetë: pjesë të disa enëve të mëdha të asaj kohe, të ngjashme me kazanët e rakisë, janë zbuluar nga arkeologët pranë Ivaylovgrad, një qytet në Jug-Lindje të Bullgarisë. Përveç historisë së gjatë dhe të stabilizuar tashmë, veçanërisht përsa i përket lidhjeve të saj me kohërat e regjimit otoman, ajo që më magjeps edhe më shumë është mënyra se si pihet dhe e gjithë ceremonia që e shoqëron këtë ritual.

Para së gjithash, t’i shpjegosh dikujt nga Rusia që rakia pihet në të njëjtën mënyrë tipike si vodka është disi e vështirë. Mënyra e duhur për të pirë vodka, siç mund ta dini, është ta rrëkëllesh gotën njëherësh me një gllënke dhe të nxjerrësh frymën nga hunda, duke e shoqëruar me ushqim të rëndë si patate, sallatë me bazë majoneze, pulë, kastraveca turshi ose, siç unë preferoj – me lakër turshi.

Mënyra e duhur, madje do të thoja, mënyra shumë e këndshme për të pirë raki është; pas gllënkës së parë nxjerr frymë thellë dhe më pas nis të pish gllënjka të vogla për ta shijuar ngadalë e qetësisht ndërsa konsumon diçka të lehtë, e cila quhet mèze dhe mund të përfshijë gjithcka që nga salca e kosit, apo xaxiqi, sallatat e ndryshme e deri te mishrat apo djathërat. Në përgjithësi, rituali i pirjes së rakisë gjithmonë lidhet me shoqëri të këndshme, biseda të ngrohta e interesante dhe me mikpritje. Nuk është çudi që ajo u ofrohet shpesh të ftuarve si gjest mirëseardhjeje, diçka që e kam përjetuar vetë në shumë e shumë raste.

Në lidhje me ritualin e pirjes së rakisë në Shqipëri, roli i fashmëm i dollibashit nuk duhet të lihet pa përmendur; t’i përfshish dhe t’i kënaqësh të gjithë është me të vërtetë një art më vete. Sigurisht shumë prej jush e keni gjetur veten në një situatë kur nuk arrini dot të përfundoni ushqimin, për shkak të raundeve të pafundme të dollive, të përfshirë nga një ndjesi ankthi, ndërsa prisni rradhën për të ngitur edhe ju një dolli.

Rakia, në kuptimin e plotë të fjalës, mund të bëhet nga çdo frut, fruta pylli apo dhe arrorë. Llojet më të zakonshme në Shqipëri janë rakia e rrushit, kumbullës ose manaferrës. Në Turqi dhe Greqi, rakia zakonisht bëhet nga rrushi, me fara dëllinjë (me të cilat bëhet uzo), të cilat i japin një shije dhe aromë të veçantë e të ftohtë menteje. Në Kroaci, rakive i shtohet një përzierje bimësh dhe/ose mjaltë për shije. Serbia, duke qenë vendi prodhues dhe konsumator më i madh i rakisë, është i vetmi shtet që ka marka prodhimi në llojet e rakisë: Sljivovica (raki kumbulle), Dunjevaca (raki ftoi), Orahovaca (raki arre), Medovaca (raki mjalti), Kruskovaca (raki dardhe) dhe Jabukovaca (raki molle). Ndër disa lloje të tjera të preferuara të rakisë janë edhe rakia e kajsisë, rakia e manit, rakia e fikut, etj. Çdo lloj rakie ka shije të veçantë, e cila ndikohet nga një mori faktorësh përveç llojit të frutit, apo arrorëve prej të cilave prodhohet. Çdo detaj është i rëndësishëm në procesin e prodhimit të rakisë, që nga cilësia e ujit e deri tek llojet e makinerive te distilimit, nga niveli i pjekjes së frutave e deri tek mbarëvajtja e procesit të fermentimit. Megjithatë, ajo që është ndoshta edhe më e rëndësishmja, është tradita dhe mjeshtëria e prodhuesit. Kjo është edhe arsyeja pse kur bëhet fjalë për të zgjedhur, rakia e shtëpisë gjithmonë fiton ndaj rakisë së prodhuar me teknologji fabrike.

Për të qenë e sinqertë, unë jam pak e njëanshme kur duhet të them se cilën preferoj nga rakitë e vendeve ballkanike. Rakia e parë që kam provuar në jetë ishte nga Shqipëria. Ishte një raki rrushi e bërë vetë nga babai i një mikut tim, e futur në një shishe plastike dhe e pikturuar me simbolin e kafkës dhe dy kockave, si për të paralajmëruar se ishte një pije e fortë. Dhe në fakt, ishte vërtetë shumë e fortë, ndoshta me 70% përmbajtje alkoli, por kishte një shije të mrekullueshme të rrushit dhe një aromë dehëse. Ky takim i parë i imi me rakinë u bë një standard dhe pikë referimi kundrejt të gjithë rakive pasardhëse që kam provuar dhe ju them sinqerisht, vetëm pak prej tyre i janë afruar në shije apo aromë.

Duke vëzhguar njerëzit dhe duke studiuar zakonet kulturore të Ballkanit, kam arritur të bëj një përshkrim të personalitetit sipas rakisë së preferuar. Ju lutem, dua të keni parasysh se nuk pretendoj që ky përshkrim të jetë 100% i saktë, por është interesante ta vë veten në provë. Sipas teorisë time, njerëzit që duan rakinë e rrushit janë zakonisht njerëz të qejfit, që u pëlqen të argëtohen dhe përgjithësisht janë impulsiv. Nëse rakia e kumbullës është ndër të preferuarat tuaja, ju jeni njeri që ju pëlqen të zhyteni në mendime, jeni i rezervuar dhe një dëgjues i mire i të tjerëve. Të dashuruarit me rakinë e arrës janë kokëfortë, kuriozë dhe kreativë, ndërsa ata që zgjedhin raki të prodhuar nga kokrrat e kuqe të manaferrës janë të ëmbël, të sjellshëm dhe të ndjeshëm.

 

Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.