Mbro mjedisin me një klik

369 0

Në epokën e inovacionit, kur pothuajse gjithçka lidhet me një aplikacion në celular, gjithsecili prej nesh, veçanërisht këtu në Shqipëri, mendojmë se kemi “të gjithë botën” në një smartphone e si rrjedhojë kemi edhe ndonjë fuqi për të ndryshuar diçka nga bota.

Shumë aplikacione na ofrohen si “bota në dorën tuaj” ndërkohë që një aplikacion i ri i fukusuar te mjedisi vjen në Shqipëri si vërtet një mjet në dorën tonë në funksion të mbrojtjes së botës, ose më mirë të themi, të tokës – pikërisht nga celulari. Aplikacioni i ri “Mjedisi im”  një inisiativë e Inpektoriatit Shtëtëror të Mjedisit dhe Pyjeve synon përfshirjen e qytetarëve në raportimin në kohë reale të shkeljeve mjedisore.

Do të ketë ndjekje penale për abuzuesit mjedisorë

“Zëri dhe arma më e fortë e qytetarëve”, e cilësoi Ministri i Mjedisit Lefter Koka këtë aplikacion duke theksuar se “Për të pasur një mjedis të shëndetshëm nuk mjafton vetëm reforma administrative, nuk mjaftojnë penalizimet, nuk mjaftojnë revokimet, por kërkohet parandalim. Kjo arrihet me përkushtimin e Ministrisë së Mjedisit dhe institucioneve të varësisë, me ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, dhe mendoj se pikërisht ky portal do të jetë një armë më e fortë për qytetarët dhe për Ministrinë e Mjedisit."

Jo vetëm kaq. Do të ketë ndjekje penale për abuzuesit mjedisorë. Siç pohoi edhe Ministri i Mjedisit: s&eueuml; shpejti në parlament do të prezantohet paketa për ndryshimet në kodin penal, për ndëshkimet e abuzuesve mjedisorë. “Pavarësisht rregullave ligjorë, realiteti tregon se ne vazhdojmë të kemi prerje pyjesh, ne vazhdojmë të kemi qytetarë të papërgjegjshëm që me mënyra të ndryshme ndotin qytetin, ne vazhdojmë të kemi aktivitete të cilat kanë një ndikim negativ në mjedis ndaj ne shpejt do të paraqesim në Parlamentin Shqiptar amendime të kodit penal, për parashikimin e një sërë veprash të tjera që konsiderohen krim mjedisor.”

Duke pasur aplikacionin e ri gjithsesicili mund të raportojë për zjarre, mbeturina, ndërtime, zhurma e të tjera ndotje në lagjen apo qytetin ku jeton në kohë reale, duke dërguar foto apo edhe thjesht duke informuar. Thelbësore, raportimi për prerjen e pyjeve.

Foto: Parku kombëtar Shebenik-Jabllanicë

10 vjet moratorium ndaj shpyllëzimit

Gjatë dy dekadave të fundit, shumë pemë në Shqipëri pranë lumenjve të furishëm si Vjosa, Osumi dhe Shkumbini janë prerë nga fshatarët në kërkim të drurëve për zjarr dhe nga sipërmarrësit për të spastruar territorin e për t’i lënë zonë të lirë një bum-i ndërtimesh nga i cili kanë përfituar më së shumti firma të huaja. Pemët kanë mbajtur nën fre rrëshkitjen e tokës për shekuj me rradhë – duke shërbyer si sfungjer thithës gjatë kohës së shirave – por pa to, erozioni i tokës ka përshkallëzuar dëmet nga përmbytjet. Ky përshkrim vjen nga një artikull i The Guardian gjatë përmbytjeve në muajin shkurt, referuar në interviste me Kryeministrin Rama, e që e konsideronte shpyllëzimin si një arsye themelore për përmbytjet ekstreme.

Është tashmë e qartë që shpyllëzimi po dëmton natyrën. Ndaj edhe një nismë e re ligjore do të paraqitet së shpejti në Këshillin e Ministrave nga Ministria e Mjedisit; një moratorium 10 vjeçar për prerjen e pyjeve për arsye fitimi së bashku me një propozim për kalimin e pyjeve 100% në menaxhim të pushtet vendor.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka bërë publike se brenda katër viteve të ardhshme situata e pyjeve në vend do të ndryshojë falë masave që kjo Ministri do të marrë, siç është monitorimi me kamera, të dhënat e të cilave do të jepen në kohë reale, falë një sistemi online. "Deri në vitin 2017 do të mbillen jo më pak se 4 mijë hektarë pyje, ose jo më pak se 10 milionë fidanë pyjorë. Do krijohet një sistem monitorimi me kamera online, në pikat kyçe dhe akset rrugore kryesore për zonat pyjore. Krijimi i një portali online në nivel kombëtar ku do të regjistrohen dhe të publikohen transaksionet e lëndës drusore dhe shfrytëzimi deri në konsumim, si dhe përmirësimi i kuadrit ligjor do të ndikojnë në parandalimin e djegieve të qëllimshme që synojnë ndryshimin e destinacionit të fondit pyjor”, theksoi ministri i Mjedisit.

E drejta për një mjedis të pastër është një e drejtë themelore ndaj parandalimi i degradimit mjedisor është padyshim një sfidë e vështirë për qeverisjen ashtu si edhe për të gjithë shqiptarët. Përfshirja është thelbësore për këtë aksion madhor.