Dritëhijet e formalizimit në bujqësinë shqiptare

347 0

“Sektori informal në Shqipëri nuk është as plotësisht i ligjshëm as plotësisht i paligjshëm, por vepron gjerësisht në një zonë gri ku është dhe plotësisht brenda ligjit dhe tërësisht jashtë tij”. Me këtë arsyetim, Genc Ruli ish ministër i Ekonomisë dhe Bujqësisë shpjegonte disa vite më parë konceptin e informalitetit në ekonominë shqiptare, që përbën rreth 30 dhe 45% të GDP, në varësi dhe të metodave me të cilat llogatitet. Por thellësia e informalitetit ndryshon. Në bujqësi për shembull, është e vështirë të thuhet se sa shumë është i shtrirë informaliteti, për shkak se në 20 vite qeveritë e të gjitha krahëve kanë toleruar që prodhimi në bujqësi të zhvillohet jashtë zonës së taksueshme të ekonomisë, duke qenë dhe se prodhimi nga parcelat private përbën një barkë shpëtimi për më shumë se 50% të popullsisë shqiptare.

Por kësaj situate duket se do t’i vijë fundi, ose të paktën këtë synon të bëjë qeveria me nismën e re për të luftuar informalitetin në ekonomi, duke mos përjashtuar dhe atë bujqësor që mban dhe nivelin më të lartë të informalitetit. Por frika nga të cilat druhen shumë ekonomistë është se ky ndryshim i shpejtë nga informaliteti në formalitet veçanërisht në sektorin bujqësor, mund të ketë efekt të kundërt në ekonomi, duke ulur punësimin në këtë sektor. Ekonomisti Selami Xhepa është i mendimit se modeli i anti-informalitetit që po ndiqet nuk është i duhuri, pasi po vë nën presion pjesën më vulnerabël të biznesit dhe jo vetëm që nuk do të prodhojë të ardhura shtesë në buxhet, por do të ndikojë në rritjen e papunësisë.

Fermerët e regjistruar me NIPT, nuk u ngarkohen detyrime tatimore për vlerën nën 5 milionë lekë të prodhimit të deklaruar

Por Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti e mendon ndryshe. Gjatë një takimi për formalizimin e sektorit bujqësor me fermerë dhe grumbullues të prodhimeve bujqësore në zonën e Këmishtajt në rrethin e Lushnjës, Panariti deklaroi se “fermerët e regjistruar me NIPT, nuk u ngarkohen detyrime tatimore për vlerën nën 5 milionë lekë të prodhimit të deklaruar”.

“Fermerët të cilët kanë aplikuar pranë Drejtorive Tatimore në të gjithë vendin për pajisjen me një numër unik (NIPT), nuk do të kenë asnjë pengesë dhe asnjë penalizim në ushtrimin e aktivitetit të tyre deri në daljen e tij”, bëri të ditur Panariti duke theksuar më tej se formalizimi është e vetmja mënyrë për përfitimin e mbështetjes nga skemat e fondeve të ndryshme që mbështesin bujqësinë.

Pjesa më e madhe e fermerëve në Shqipëri janë informalë. Sipas Shoqatës së Investitorëve të Huaj 88% e fermerëve nuk kanë NIPT dhe 32% e tyre janë të regjistruar me kodin e fermerit. Dhe për shkak të këtij informaliteti të lartë, sektori bujqësor vuan dhe nga mungesa e kreditimit nga sektori bankar, i cili I ka dedikuar këtij sektori vetëm 1.8% të portofolit të kredive. Ndërkohë që sipas Censusit të fundit në vend janë të regjistruara më shumë së 350.000 ferma. 

Informaliteti është rritur në mënyrë masive në 20 vitet e fundit. Fillimisht ai mendohej se rritja e sektorit informal do të ishte i dobishëm, pasi hap vende pune me një kosto të ulët duke rritur në këtë mënyrë nivelin e punësimit në vend. Por afatgjatë është kthyer në një gangrenë për ekonominë, veçanërisht sektorin bujqësor që punëson gati gjysmën e popullsisë. “Ne nuk mund të vazhdojmë të pranojmë për një kohë të gjatë që aty ku kemi rreth 45% të popullsisë dhe marrim 18% PPB, të jetë në nivel kaq të lartë informaliteti", thotë ekonomisti dhe Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici, i cili e sheh bujqësinë si sektorin që duhet konsideruar me urgjencë si një sektor prioritar zhvillimi. “Në vitet e fundit bujqësia ka kontribuar me 17 – 22% në PBB ndërkohë që nuk ka marrë kurrë më shumë se 0.7 – 0.8% të shpenzimeve buxhetore”, thotë Civici i cili mbështet idenë se formalizimi i sektorit të bujqësisë duhet të shkojë bashkë me mbështetjen nga qeveria në mënyrë që sektori dhe ekonomia rrjedhimisht të rriten.

Të njëjtin mendim ndan dhe Banka Botërore në këtë pikë, përmes shefes së BB në Tiranë Tahseen Sayed, ka deklaruar se lufta ndaj informalitetit dhe konsolidimi i politikave të taksave dhe rritja e punësimit do të çojnë në rritje të ekonomisë.

Bujqësia në Shqipëri ka luajtur gjithnjë një rol të rëndësishëm përsa i përket punësimit, duke qenë motorri kryesor i ekonomisë. Nëse reforma do të implementohet, sektori bujqësor nuk do të operojë më në zonën gri, duke qenë dhe brenda ligjit dhe jashtë tij. Këtë herë ose është brenda ose është jashtë.