Të luftosh virozat me këto super ushqime

451 0

Dimri po fut këmbët edhe pse temperaturat në këto ditë fund vjeshte të bëjnë të mendosh se je në pranverë, por njerëzit që kolliten, tështijnë dhe që nuk vijnë në punë se janë sëmurë tregojnë se ai po vjen. Eshtë një realitet i trishtë që muajt e ftohtë asociohen me të ftohtët e gripin, por është një fakt. Madje edhe më të fiksuarit ndaj higjienës dhe dizinfektantëve të duarve nuk i shpëtojnë dot virozave, duke u palosur në shtrat për ditë të tëra të sëmurë nga gripi gjatë dimrit. Pra siç dhe vetëkuptohet, mundësia për t’u sëmurë varet më shumë nga gjendja juaj shëndetësore sesa nga sa herë i lani duart apo i dizinfektoni, por kjo s’do të thotë që s’duhet të bëni kujdes ndaj ambjentit. Kur vjen puna për t’u mbrojtur nga sëmundjet kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt.
Nëse plani juaj për të mos u sëmurë këtë dimër fillon dhe mbaron me të konsumuarit të një gote më shumë lëng portokalli, ndoshta bëni mirë ta rimendoni këtë strategji. Të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme i minimizon shanset për t’u sëmurur. Ja disa nga ushqimet që do t’ju ndihmojnë të jeni në formë e të shëndetshëm këtë dimër.

Pini çaj gjithë ditën

E si mund të kuptohen netët e gjata të dimrit pa çajin që zien në sobë e që zbut fytin dhe të liron nga dhimbjet në kraharor. Por të mirat e çajit ja që janë dhe më të thella. Të gjithë llojet e çajërave në fakt, që nga ai i malit, çaji i zi, jeshil ose i bardhë, përmbajnë një antioksidant të njohur si katekin, i cili mendohet të ketë dhe veti kundra gripit. Të duhet më arsye për ta vënë çajin në zjarr? Studime të tjera sugjerojnë se katekina mund të ndihmojë për të rritur imunitetin dhe për të mbrojtur ndaj kancerit dhe sëmundjeve të zemrës.

Fara luledielli jo vetëm për të shtyrë kohën

Ndoshta nuk e dinit por farat e lulediellit, të cilat më shumë se për të kaluar kohën nuk i keni dhënë vlerësim tjetër, janë një burim i shkëlqyer me vitaminë E, një antioksidant që mbron muret e qelizave nga dëmtimi: një grusht i vogël me fare luledielli përmban 30% të sasisë ditore që duhet të merret me vitaminë E. Për një zgjedhje më të shëndetshme zgjidhni ato që janë të pjekura dhe jo të skuqura në vaj. Vitamina E është tejet e rëndësishme për shëndetin e mushkërive tona. Një studim i vitit 2003 në Skoci tregoi se njerëzit që kishin një dietë të pasur me vitaminë C dhe E i kishin mushkëritë më të forta. Ju duhanpirës merrni shembull!

Konsumoni Agrume

Studimet sugjerojnë se marrja e vitaminës C në hapat e para të gripit mund ta ulë zgjatjen e sëmundjes për të paktën një ditë, e cila duket si një jetë kur je duke vuajtur në shtrat. Konsumimi i sa më shumë agrumeve, qofshin këto portokalle, mandarina, limona, është një burim i shkëlqyer me vitaminë C. Dhe mos u shqetësoni nëse mendoni se e keni tepruar me vitaminë C. Çdo gjë që trupi juaj nuk e përdor, thjesht nxirret jashtë nga sistemi. Pastaj kush mund t’i rezistojë mandarinave apo portokalleve gjithë shije të zonës së Sarandës.

Hudhra jo vetëm për syrin e keq

Po, po hudhra. Noshta futeni tek kategoria e atyre që nuk i durojnë dot dhe për shkak të erës së tyre të fortë, por ne ju këshillojmë ta rimendoni pasi përveç syrit të keq hudhrat mbajnë larg dhe gripin. Hudhrat përmbajnë alicin, një përbërë sulfurik që prodhon antioksidantë të fuqishëm kur dekompozohet. Një studim i vitit 2001 në revistën “Teoritë e Avancuara” tregon se njerëzit që morën suplemente hudhrash për 12 javë nga nëntori në shkurt i zuri më pak gripi nga ato që morën ilaçe qëtësuese të padëmshme. Dhe nga ata që u sëmurën, ata që kishin konsumuar hudhra rekuperuan shumë më shpejt. Hudhrat përmbajnë sasinë më të madhe të antioksidantëve veçanërisht kur konsumohen siç janë të pagatuara. Nëse prapë era nuk ju bind. Zgjidhja është tek ekstratet e hudhrës në formë kapsule.

Speci i kuq për ekstra Vitaminë C

Ashtu si agrumet, speci i kuq është shumë i pasur me vitaminë C. Në fakt një spec i kuq ka 150 miligramë të lëndës ushqyese, që ështe gati sa dyfishi që rekomandohet për femrat që të kosnumojnë në një ditë. Për ta krahasuar, një portokalle e madhe përshembull ka vetëm 100 miligramë. Por sigurisht që vetëm kaq nuk është e mjaftueshme pasi nëse jeni të sëmurë duhet të merrni gjatë ditës 400 deri në 500 miligram.


Qumështi për imunitet të fortë
Pjesa më e madhe e vitaminës D që trupi jonë ka nevojë për të pasur kocka të forta, për të na mbrojtur nga sëmundjet e zemrës dhe sigurisht për të mbështetur sistemin tonë imunitar prodhohet kur rrezet e diellit ndërveprojnë me qelizat e lëkurës. Por kjo vitaminë gjendet dhe tek ushqime si qumështi, lëngu i portokallit dhe drithërat që konsumojmë në mëngjes. Marrja e dozës së duhur me vitaminë D mund t’iu mbrojë nga gripi. Një studim i vitit 2009 nga Spitali i Masaçusets në SHBA tregon se niveli i ulët i vitaminës D lidhet me një rrisk më të madh të infeksioneve në aparatin e frymëmarrjes. Suplementet me vitaminë D gjithashtu ndihmojnë për t’i mbrojtur fëmijët nga gripi.

Omega 3 për mbrojtje në shumë fronte
Salmoni dhe peshku ton janë shumë të pasur me acidet yndyrore omega 3 që ndihmojnë për të ulur inflamacionet e rrezikshme në trup. Inflamacionet kronike e pengojnë sistemin imunitar që të funksionojë si duhet dhe mund të kontribuojë në zënien e e gripit apo të ftohurit, por gjithashtu edhe në sëmundje të tjera më serioze. Omega 3 e sulmon të ftohtin në më shumë se në një front. Një studim ka treguar se studentët që morën suplemente peshku për tre muaj kishin një inflamacion më të ulët si dhe më pak simptoma ankthi, një gjendje, e cila mund ta dobësojë funksionimin e sistemit imunitar.


Kos sepse bakteret janë edhe të mira
Ne shpesh i shohim bakteret si një gjë e keqe, por shumë nga këto mikro organizma janë shumë të domosdoshme për shëndetin. Të ushyerit me ushqim probiotik, siç është kosi, është një mënyrë e mirë për të marrë bakteret e mira, të cilat promovojnë shëndetin e sistemit tretës, që ndihmon në sëmundjet e stomakut. Në traktin tonë gastrointenstinal jetojnë më shumë 190 trilion baktere, ndaj dhe është e rëndësishme që bakteret e mira të jenë më të shumta në numër se të këqijat. Përfitimet nga bakteret e mira shkojnë përtej aparatit tonë tretës. Studimet kanë treguar se konsumi i ushqimeve probiotike si kosi, gjithashtu ul rrezikun e infeksioneve në aparatin tretës më shumë se një ilaç qetësues.

 

Artikulli është publikuar fillimisht në Health.com dhe është adaptuar nga Agroweb.