Shqiptarët nuk kursehen për cilësinë e ushqimit

512 0

Nën çfarëdo qielli, njerëzit preferojnë të blejnë lirë dhe të shesin shtrenjtë. Pazari, është treguesi më i mirë i kësaj të vërtete të njohur botërisht. Një treg i hapur ku këmbehen të mirat, një pikë takimi për njerëzit ku shitet e psoniset gjithçka.

Të trashëguara nga Perandoria Otomane, pazaret ose çarshitë në Shqipëri e tregëtonin gjithçka në një hapësirë të hapur e gjitha me produkte bujqësore. Aq shumë ishin, sa lindte nevoja për t’i ndarë dhe në nëntë mini tregje; që nga leshna (tregu i leshit), orizna (tregu i orizit), krypna (tregu i kripës), hasra (tregu i qilimave), drithna (tregu i drithrave), djathna (tregu i djathit), gjelna (tregu i pulave), pema (tregu i frutave) dhe qerret (tregu i qerreve). Mbijetesa e këtyre pazareve deri në shekullin e 20-të tregon për faktin se këto aktivitete nuk e humbën kurrë rëndësinë.

Në fakt, si mund të dalë nga moda organikja, qoftë kjo brenda apo jashtë një tregu, edhe pse ne shpesh e gjejmë veten të kapim koshat e supermarketit në vend që të shkojmë në tregun fshatar, siç e quajmë rëndom. Por gjithsesi, sërish perceptimi është se ushqimi organik lidhet direkt me tregun fshatar, njësoj si në kohën e Pazarit të Vjetër.

Por, një studim i fundit i publikuar nga Robert Gordon University në Britaninë e Madhe na tregon se shqiptarët preferojnë të blejnë ushqime organike nga supermarketet, çka bie në kundërshtim me atë që të intervistuarit në fakt besojnë, pra që ushqimet “organike” vijnë direkt nga fermerët.

Autorja Athina-Evera Qendro ka marrë në analizë Shqipërinë dhe Anglinë si dy vende diametralisht të kundërta, ku britanikët kërkojnë më shumë tregje fshatare ndërsa shqiptarët po i drejtohen gjithnjë e më shumë supermarketeve. 

“Në Britaninë e Madhe, tregu i fermerëve shihet si një alternativë më e mirë për të blerë ushqime dhe interesi për këto tregje tregon për interesin në rritje për produkte organike sezonale. Ndërkohë që rritja e numrit të supermarketeve në Shqipëri nga ana tjetër mund të kuptohet si një largim nga kosumimi i produkteve bio”, thotë Qendro.

Aktualisht në Shqipëri operojnë 4 emra të mëdhenj ndërkombëtarë supermarketesh, duke përbërë kështu 20% të tregut dhe 80% që mbetet janë markete lokale dhe dyqane të vogla. Sipas studimit, supermarketet në Shqipëri shihen si një burim më i sigurtë i blerjes së ushqimeve. Mungesa e sigurisë ushqimore dhe ambjentet e mbyllura, mbeten faktori kyç në këtë zgjedhje. 

Pazari i Vjetër i Tiranës.

Ndërkohë që në të kaluarën, tregu i fshtarëve mbahej gjithnjë në ambjente të hapura dhe produktet shiteshin në karrocerinë e kamionëve në Britani, apo në tezgat e improvizuara me hunj në Shqipëri. Përmes fototove të shumta të Marubit apo Kristaaq Sotirit ne sot kemi mundësinë të shohim se si ishte pazari i vërtetë në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Krujë dhe Tiranë, sa për të përmendur disa. Ndërsa sot, tregjet jo domosdoshmërisht janë në ambjente të hapura.
“Duket që struktura e tregut ka ndryshuar në vite. Në vitet ’80 fermerët i shisnin produktet e tyre në rrugë, ndërkohë që sot tregëtia bëhet në vende më të organizuara”, vëren Qendro, e cila ka intervistuar konsumatorët shqiptarë në lidhje me perceptimin që kanë për tregun fshatar dhe për atë se çfarë është ushqimi organik.

Dhe në këtë pike, shqiptarët ndryshojnë shumë nga anglezët. Termi bio përshembull është njohur më shumë mes shqiptarëve sesa britanikëve të intervistuar. “Kjo ndoshta i dedikohet dhe etiketimit të produkteve që është ndërmarrë nga institucionet çertifikuese, që promovojnë produkte organike në Shqipëri. Ata e mbështesin nocionin e produkteve organike që më së shumti lidhet me faktin që frutat dhe perimet janë të shijshme dhe të freskëta”.

Por më shumë se kaq, shqiptarët i asociojnë produktet organike me faktin që ato nuk janë të rritura me hormone. Një nga arsyet se pse shqiuptarët shkojnë për të blerë në treg është se fshatarët kanë produkte të freskëta dhe për më tepër që ndërtohet një marrëdhënie besimi dhe reciprociteti me fshatarin. Për më tepër që produktet e blera në tregun fshtatar iu sjellin dhe nostalgjinë duke iu kujtuar shijen e ushqimit kur ishin fëmijë: “Unë zgjedh shijen e kohës sime”.

Pavarësisht pjesës nostalgjike dhe cilësisë së tregut, shqiptarët gjithnjë e më shumë po iu drejtohen supermarketeve, të cilat shihen dhe si një moment argëtimi për të gjithë familjen, edhe pse ata besojnë më shumë fermerët për cilësinë e fruta perimeve dhe produkteve bio.

Për këtë arsye shqiptarët janë dhe më të gatshëm për të blerë me çmime më të larta në treg, ndryshe nga konsumatorët britanikë, të cilët e konsiderojnë një luks blerjen në treg, për shkak të kostos së lartë, largësisë dhe investimit, duke tërhequr në këtë mnëyrë vetëm një lloj konsumatori.

Ndërkohë që në Shqipëri, tregjet janë ngado në qytete të mëdha e të vogla në çdo orë të ditës e të mbrëmjes dhe përgjatë të gjithë javës, duke tërhequr të gjithë llojet e konsumatorëve, të cilët nuk sakrifikojnë për cilësinë e ushqimit për shkak të çmimit. Eshtë e qartë, qoftë në supermarket apo tek tregu i lagjes, shqiptarët duan ushqime cilësore.