Spinaqi – Gjethja e Hekurt

1k 0

Spinaqi është një nga barishtet më të kërkuara dhe më të përdorura nga konsumatorët. Për vetë kërkesën e madhe të tregut gjatë gjithë periudhave të vitit, spinaqi ka filluar të kultivohet edhe në mjediset e mbrojtura.

Spinaqi njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.

E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut, që ndihmojnë në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së.

Spinaqi është gjithashtu një burim i shkëlqyer me vitaminat A, K, C dhe acid folik, përveçse është një burim shumë i mirë me mangan, magnezi, hekur dhe vitaminën B2.

Vitamina K është shumë e rëndësishme për shëndetin e kockave dhe është e vështirë për të gjetur zarzavate me këtë vitaminë, përveç spinaqit.

Një porcion me 100 gram spinaq ka 23 kalori, 3 gr proteina, 0 gr yndyrna, 4 gr karbohidrate dhe 2 gr fibër.

Fuqia e Spinaqit

Pse ngjyra e spinaqit duhet sa më e errët? Ngjyra e errët jeshile e gjetheve të spinaqit tregon se ato përmbajnë nivele të larta të klorofilit dhe karotenoideve që promovojnë shëndetin e mirë.

Këto lëndë ushqyese kanë aftësi anti inflamatore dhe janë veçanërisht të rëndësishme për një shikim të mirë.

Spinaqi ka nivele të larta të hekurit, por jo aq shumë sa mendohej apo përflitej fillimisht. Ishte gabimi i një shkencëtari që e vuri pikën në vendin e gabuar të shifrës që bëri të gjithë botën të mendonte se spinaqi ishte një superfuqi hekuri.

AgroWeb.org thekson se ka dy forma të hekurit në ushqime: ‘hekuri haem’ dhe ‘hekuri jo haem’.

Hekuri haem gjendet në produktet shtazore dhe është forma që ka përmbajtjet më të larta të hekurit, ndërkohë që hekuri jo haem gjendet në produktet bimore (siç është dhe spinaqi).

Njerëzit që vuajnë nga problemet e anemisë dhe gratë shtatëzëna inkurajohen që t’i përfshijnë gjethet e gjelbra në dietën e tyre për ta pasur atë sa më të balancuar.

Si ta zgjidhni dhe ta ruani spinaqin

Spinaqi i freskët duhet të jetë në ngjyrë jeshile mesatare dhe të errët, i freskët në pamje dhe jo i ndenjur.

AgroWeb.org ju këshillon ta ruani në një qese plastike, duke mos e ngjeshur shumë dhe futeni në frigorifer ku mund ta mbani deri në 4-5 ditë.

Mos e lani spinaqin para se ta ruani, pasi uji do të përshpejtojë prishjen, por para konsumit sugjerohet që të lahet mirë pasi gjethet mbartin dhe papastërti.

Siguria

Spinaqi përmban një sasi të madhe oksalati, e cila është substanca bazë nga ku priren të formohen gurët në veshka.

Njerëzit që kanë probleme me oksalatin dhe kanë gurë në veshka duhet ta evitojnë konsumin e spinaqit.

Një ushqim me nivele të ulëta të oksalatit përmban më pak se 50 miligram oksalat në ditë dhe spinaqi ka më shumë se 50 miligram dhe duhet të evitohet.

Spinaqi gjithashtu përmban nivele të larta të acidit oksalik, i cili nëse përdoret me tepri mund të bllokojë përthithjen e përbërëse të tjerë të rëndësishëm si kalciumi.

Spinaqi i gatuar lehtë mendohet se ul përmbajten e acidit oksalik./AgroWeb.org