Skemat e reja të investimit në bujqësi synojnë të krijojnë vlerë dhe të sjellin zhvillim

398 0

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave (MBZHRAU) synon të prezantojë skema të reja të mbështetjes me financime për teknologji të reja, që rrisin cilësinë e prodhimit, ulin kostot dhe në të njëjtën kohë janë edhe miqësore me mjedisin. Qeveria e re është e orientuar drejt krijimit të vlerave dhe suksesit të matshëm.

 

Z. Edmond Panariti, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave e cilëson bujqësinë si një sektor me rëndësi strategjike në zhvillimin e ekonomisë vendase dhe si rrjedhojë, një nga prioritetet kryesore të qeverisjes Rama. Kontribuese e 18.9 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe burim punësimi për 46 përqind të popullsisë, bujqësia është vendosur në qendër të vëmendjes së qeverisë së re. Ministri Panariti vë në dukje se bujqësia është një sektor që në tre mujorin e dytë të vitit 2013, shënoi një rritje prej 3 përqind, në një kohë kur ekonomia vendase u prek nga një krizë gjithëpërfshirëse. Potenciali i zhvillimit të kësaj fushe është i lartë, por pamjaftueshmëria e financimeve ka qenë, sipas Ministrit Panariti, një prej probleme kryesore, që ka krijuar pengesa në rritjen e kapaciteteve të kësaj fushe. Objektivat kryesore të qeverisë shqiptare, në lidhje me bujqësinë,  lidhen me ndërmarrjen e masave për formalizimin e sektorit si dhe orientimin e financimeve në rritjen e zhvillimit.

 

Qeveria e re inkurajon aplikimin për grante apo kredi për financimin e bizneseve bujqësore dhe synon të largohet prej atyre që ai i cilëson “skema mbështetëse të politikës së mbijetesës dhe skema që favorizojnë klientelizmin dhe abuzimet”.

 

Kryeministri Edi Rama thekson se “modeli i marrëdhënieve mes shtetit dhe fshatit në gjithë këto vite, i bazuar tek subvencionet në formën e lëmoshave për mbijetesë, jo në formën e investimeve për të krijuar zinxhirë vlerash, është një model thjesht dhe vetëm mbijetese, që nuk na çon asgjëkund.”Ai shton se qeveria e re synon të nxisë sipërmarrjen, që do të fokusohet në krijimin e vlerave.
 

Ministri Panariti thotë se fondet e subvencioneve në vitin 2014 janë rritur me mbi 50%, por megjithatë ato nuk arrijnë të kapërcejnë vlerën prej 12 milionë euro. Ai shpjegon se edhe pse fondet janë rritur, “përsëri masa e financimit dhe subvencionit që qeveria i jep bujqësisë është më poshtë asaj që ajo meriton për të qenë një nga kontribuesit kryesorë në zhvillimin e ekonomisë kombëtare dhe përmirësimin e bilanceve negative mes importeve dhe eksporteve.” Ministri Panariti thotë se momentalisht raporti mes importit dhe eksportit është 1 me 1.6 dhe ka një tentativë zbutje, për të arritur një baraspeshë.

 

Bujqësia shqiptare sipas Ministrit Panariti kërkon investim të vazhdueshëm në teknologji moderne, investim që synon të sjellë zhvillim, sepse sipas tij “bujqësia nuk është fushë që kërkon asistencë sociale.”

Financimi i strategjisë së re bujqësore do të realizohet gjithashtu edhe nëpërmjet fondeve në formën e granteve të programit IPARD, fondeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe donatorëve të tjerë.

 

Ministri Panariti sugjeron dhe përdorimim e formave të ndryshme të kredimarrjes në banka dhe institucione financiare, si mundësi financimi të bizneseve të ndryshme në fushën e bujqësisë. Për këtë qeveria po punon, ndër të tjera, për të hapur rrugën e dhënies së çertifikatave të pronësisë, që do të jenë dokumenta të mirëfilltë pronësie dhe do ta lejojnë fermerin të kryejë transaksione, shitje, blerje apo të vendosë tokën e tij si kolateral për të marrë një kredi në bankë dhe për të zhvilluar aktivitet bujqësor.

 

Ministri Panariti thekson gjithashtu se një pikë e rëndësishme e strategjisë së re të investimeve është dhe shfrytëzimi i tokave shtetërore. Ai shprehet se qeveria synon të hyjë në bisedime me biznese vendase apo të huaja, të cilat janë të interesuara për të investuar në bujqësi, me qëllimin për të krijuar ferma të mëdha bujqësore, që do të prodhojnë produkte konkurruese për të cilat ka kërkesë të lartë në treg. Nga 700 mijë hektar tokë në pronësi shtetërore, qeveria ka si ambicie të krijojë 20 deri në 30 ferma që kultivojnë në sipërfaqe mbi 200 hektarë dhe për të cilat ka një treg të garantuar. “Këtu është edhe një shans shumë i mirë për punësimin në aktivitete të ndryshme në kultivim, në paketim, në amballazhim, në transport, pra bëhet fjalë për një zinxhir aktivitetesh të cilët rrisin punësimin dhe për rrjedhojë kontribuojnë në rritjen e të ardhurave shtesë edhe përpos atyre që vijnë nga tregtimi direkt i produktit,” thotë Ministri Panariti.

 

Ministria e Bujqësisë shpreson në bashkëpunimin e suksesshëm me donatorë, investorë e banka të ndryshme që të orientojnë investimet e tyre drejt zhvillimit të sektorit të bujqësisë