Fikni Dritat – Është Ora e Tokës

430 0

E shtuna shënon përvjetorin e dhjetë të Orës së Tokës, një eveniment që kremtohet në mbarë botën. Më 19 Mars në orën 08.30 me orën lokale secili prej nesh duhet të fikë çdo pajisje elektrike jo thelbësore dhe t’i bashkohet një momentumi global solidariteti në ndihmë të mjedisit.

Ora e Tokës pati pikënisjen e saj në vitin 2007 në Sidnej të Australisë. Asokohe dritat u fikën në 2.2 milionë shtëpi dhe biznese për një orë me qëllimin për të patur vëmendjen globale ndaj çështjeve alarmante të mjedisit. Që atëherë, kjo inicitivë u kthye në fenomenin më të madh të ndërgjegjësimit mbarëbotëror për çështjen e mjedisit dhe morri mbështetje të gjërë edhe nga Fondi Botëror për Natyrën (WWF). Këtë vit, Ora e Tokës pritet të thyejë rekordet e pjesëmarrjes. Plot 178 vende, 7000 qytete dhe qindra miliona njerëz në botë do të jenë të angazhuar në këtë kremtim.

Edhe në Tiranë, organizata mjedisore EcoVolis do të organizojë një event kushtuar Orës së Tokës. Ata kanë ftuar të gjithë të mblidhen në orën 20.00 në Sheshin Skënderbej. Dritat do të fiken në orën 20.30 dhe në këtë moment do të lëshohen në qiell balona të vogla me flakë ndiçuese.

Të gjithë skeptikët që menndojnë se duke fikur dritat për një orë nuk bën asnjë ndryshim, duhet ta shfrytëzojnë këtë eveniment për të reflektuar mbi varësinë e tyre ndaj pajisjeve elektrike, dhe për të gjetur mënyra për të ndryshuar sjelljet e tyre të luhatshme. Në të kundërt, ata mund të mjaftohen duke vëzhguar yjet apo edhe duke shijuar një darkë nën dritën e qirinjve me të dashurit e zemrës… pa ngacmimin e pajisjeve elektrike.

Fondi Botëror për Natyrën  (WWF) sugjeron edhe disa aktivitete të tjera mjaft të këndshme që mund të bëhen në errësirë si për shembull:

1) Mund t’i telefonosh ose të takohesh me dikë të cilin nuk e ke takuar prej kohësh dhe të shijosh një bisedë të këndshme për të paktën një orë.
2) Shijo një banjë me qirinj (të cilën mund ta ndash edhe me partnerin tënd)
3) Mund të bësh një sy gjumë, ose edhe të flesh herët që të zgjohesh të nesërmen krejtësisht e relaksuar!
4) Shfrytëzo mundësinë e kësaj ore për të bërë ushtrime në shtëpi.
5) Mund të përmirësosh aftësitë e tua të fotografisë duke shfrytëzuar mungesën e dritës dhe ndriçimin e qirinjve dukle fotografuar atë që ke përrreth apo edhe yjet dhe t’i ndash fotografitë me miqtë. Nëse nuk ke një aparat të mirëfilltë fotografik, mund të përdorësh telefonin celular ose tabletin dhe të postosh fotografi me diçiturën #SelfieNënDritëneHënës.

Por të ndalojmë për një moment dhe të mendojmë për diçka më shumë se argëtimi. E ardhmja e planetit tonë është në rrezik. Të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm për ndikimin e ndryshimeve klimatike: temperaturat po rriten, ekosistemet po ndryshojnë dhe llojet e ndryshme të gjallesave po zhduken.

Bota e sotme po has shumë probleme siç janë varfëria, dhe mungesa e ujit të pijshëm, të cilat me ndryshimet klimatike janë përkeqësuar ndjeshëm. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ne të bëjmë diçka më shumë se të bëhemi pjesë e Orës së Tokës. Ne duhet të jemi të përkushtuar në çdo kohë të ditës për të mirën e planetit. Të Shpëtosh Tokën është një perpjekje kolektive, ku edhe hapat më të vegjël individualë kanë një vlerë të madhe.

Kulla Eiffel në Paris, Big Ben-i i Londrës, Times Square në Nju Jork, Statuja e Krishtit në Rio De Janeiro janë disa prej atraksioneve kryesore në botë që do të bëhen pjesë e Orës së Tokës. Ky eveniment ka të bëjë më shumë se sa thjesht me fikjen e dritave. Ora e Tokës ka të bëjë më shumë me ndezjen e dritave brenda teje, që të shohësh më qartë, të jesh më i ndërgjegjshëm mbi atë çfarë mund të bësh për planetin tonë.

Nëse kërkon më shumë informacion mbi gjërat që mund të bësh në shtëpinë tënde në ndihmë të planetit mund të klikosh këtu.

Bashkohuni me ne për Orën e Tokës dhe bëj dhe ti detyrën tënde për të shpëtuar planetin./AgroWeb.org/ 

 

*Agroweb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.