Tjetër Shtytje Për Rritjen e Bujqësisë

526 0

Financimi shihet si ai çelësi magjik që do t’i hapë derën zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë. Kjo sepse financimi rural është ndoshta dhe pjesa më kritike për t’u kapërcyer nga sistemi bankar shqiptar, i cili në 20 vitet e fundit ka treguar jo shumë interes për kreditimin e sektorit bujqësor.

Fajin mund t’ia vemë shumë faktorëve. Që nga madhësia e vogël e fermave, fragmentarizimi I tokës, rendimenti dhe të ardhura të ulëta nga prodhimet, pretendimet e vazhdueshme mbi pronësinë e tokës, mungesa e kapacitetit për të paraqitur një plan të qendrueshëm biznesi. Dhe më e rëndësishmja mungesa e kolateralit, ka bërë që bankat të jenë skeptike për kreditimin e fuqishëm të sektorit bujqësor.

Një sektor, i cili paradoksalisht është dhe një nga sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, duke gjeneruar rreth 19.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe sektori që ka më shumë potencial për zhvillim. Është e qartë se marrëdhëniet bankier-fermer nuk kanë qenë ndër më të mirat, por në rastin kur të dy palët arrijnë të shohin potencial zhvillimi nga bashkëpunimi me njëri tjetrin, atëherë dhe marrëdhënia ndryshon.

Gjithashtu rikthimi i vëmendjes edhe nga ana e qeverisë tek financimi në bujqësi pritet të ketë efekte pozitive në sektor, ku përmes grantave do të mbështesë sektorin bujqësor. Ndërkohë që dhe mbështetja e donatorëve të huaj si EU me fondet IPARD-Like, USAID dhe BERZH në mbështetje të fermerëve shqiptarë ka shërbyer që sytë të kthehen drejt këtij sektori kaq të rëndësishëm për ekonominë.

Në fund të vitit 2012, USAID prezantoi fondin e garancisë së kredisë DCA prej 15 milion dollarësh për bujqësinë me dy banka, ndërkohë që Bashkimi Europian nisi financimin prej 8.2 milion euro përmes skemës IPARD si një grant prej 50% për agrobizneset e kualifikuara. Skema mbështetëse kombëtare po rritet dhe kredia e butë nga Cooperazione Italiana (Bashkëpunimi Italian) tashmë përfshin edhe bujqësinë si një sektor prioritar. Eksperienca me IPARD dhe me skemat e tjera mbështetëse tregon se agrobisneset dhe institucionet financiare kanë nevojë për mbështetje teknike në mënyrë qëeuml; të përfitojnë plotësisht nga këto programe.

Ndërkohë që një tjetër program i BERZH, pritet t’i japë një shtysë zhvillimit të kreditimit në bujqësi. Projekti prej 5 milion Euro që pritet të fillojë së shpejti do të mbëhstesë fermerët dhe agrobizneset, në mënyrë që të kenë më shumë akses në financim. Fermerët do të marrin mbështetje që të rrisin kapacitetet, të zhvillojnë produktet dhe të intesifikojnë marketingut.

Mikrofinancimi – Një zgjidhje për fermerët

Mikrofinanca është zgjidhja për këtë segment fermerësh. Është mjeti që i ndihmon të kalojnë nga bujqësia informale, duke i dhënë një dorë ndihmëse për t’u rritur e zhvilluar më tej. Ky sektor luan një rol aktiv në edukimin e klientëve informalë mbi botën e financave dhe shërbimeve financiare në të cilat mund të kenë akses. Në Shqipëri, ku penetrimi i shërbimeve financiare është më i ulëti në rajon, kjo është mënyra më e sigurt për të edukuar sektorin informal dhe për ta prezantuar atë më tej një botën e shërbimeve më të sofistikuara bankare.

Ndërkohë që gjatë këtyre viteve të fundit, në Shqipëri sektori i mikrofinancës ka përjetuar një rritje të qëndrueshme. Institucionet e mikrofinancës kanë kredituar më shumë se 350.000 sipërmarrës të vegjël dhe familje në të gjithë Shqipërinë duke injektuar në ekonominë kombëtare mbi 1 miliard Dollarë. Sipas Znj. Herjola Spahiu, Kryetare e Shoqatës Shqiptare të Mikrofinancës, e cila në një intervistë të mëparshme për AgroWeb, ka thënë se tregu i mikrofinancës mbajti të njëjtin dinamikë rritje si në vitet e mëparshme. Sektori është rritur me 5.6% të portofolit të kredive dhe numrit të klientëve të shërbyer. Ndërkohë që niveli i kredituar gjatë vitit të kaluar nga institucionet e mikrofinancës në vend ishte 16 miliard Lekë.

Mikrofinanca në Shqipëri fokusohet në sektorin bujqësor dhe ofron produkte kredie të dedikuara dhe të adaptuara ndaj karakteristikave dhe specifikave të këtij sektori, si sezonaliteti i prodhimit, apo cikli i biznesit. Ky sektor shtrihet në më shumë se 10% të popullsisë rurale nëpërmjet dhënies së kredive ndaj fermave të kategorizuara si mikro apo të vogla.

Një nga avantazhet e institucioneve të mikrofinancës në Shqipëri është modeli i biznesit, i ndërtuar në mënyrë të atillë që të arrijë kompanitë e vogla, bizneset familjare apo fermerët në zonat më të thella, atje ku bankierët nuk kanë shkelur ende këmbë.