Vuvuzela e Turizmit Shqiptar

191 0

‘Ne jemi njerëz të veçantë që ofrojmë kuriozitet, çmime të lira dhe ushqim bio’. Këtë frazë mbaj mend që kanë hedhur zyrtarët e turizmit, rreth një vit më parë, kur si zakonisht, ne ‘derdhemi’ duke luajtur me shifra, e duke numëruar për turistë potencialë edhe fshatarët e zonës aty pranë. Në fakt një nga gjërat që përjetojmë më keq ne si turistë shqiptarë në Shqipëri, është se shohim më shumë turistë seç janë. Madje këtë frymë na e ambalazhojnë me tregues mburravecë edhe institucionet e linjës. Mirëpo kjo ideja e të kënaqurit me pak, e mjaftimit me kushte bazike, e vrapimit për të përfituar sot se nesër kismet, në fakt, nuk është gjë tjetër, veçse një ndodhi e varfër verore, e cila bën që turizmi ynë të qëndrojë ende në nivel fëminor. Në një vështrim ‘mikro’, mbushet Saranda e Ksamili, nuk ka vend në Vlorë e Dhërmi, plot Gjiri i Lalzit e Velipoja, Pogradeci e Shëngjini. Ja edhe grupe të huajsh po shtohen që shijojnë ‘flinë’ në Valbonë, apo byrekun në Dardhë.

‘Ku qëndron problemi këtu?’- do të thuhej në zhargonin e ri financiar. Por ka realisht problem. Sepse të gjitha këto, nuk jan&eueuml; gjë tjetër veçse një këndvështrim që nuk shkon më larg se gjatësia e hundës.

Sepse e gjitha kjo, nuk është më shumë se një ‘flirtim’ sezonal, një ‘ha, merr, ik’, pa asnjë shans për të krijuar diçka më shumë, një eksperiencë turizmi më të thellë.
E kjo sepse nuk duhet mjaftuar vetëm së ofruari mikpritje, por duhet që edhe mikpritja të kërkojë turistë. Sepse nuk duhet të mërzitemi apo surprizohemi me atë që na shfaqet papritur në Shqipëri, por duhet të ndjejmë edhe kënaqësinë e asaj që na paraprihet.

Sepse nuk duhet mjaftuar që Shqipëria ka çmime të lira, pasi edhe turistët që vijnë janë ‘nga më të lirët’. Pra nga ata që ‘shtrëngohen’ për pushime, e që nuk shpenzojnë shumë për pushime verore. U shtuan kosovarët e maqedonasit, edhe polakët e çekët. ‘Parajsa’ e turistëve nga Europa Juglindore, të cilët paguhen me rroga ‘europe’ e shpenzojnë buxhete ‘lokale’, nuk është sukses real. Për të mos folur për kuponin e munguar, për yjet e ‘hapërdara’, për hotelet si biznes familjar, për kripën e shtuar në fatura, apo për ujin që mbërrin ‘me teka’, në dhomën të cilës i vëmë çmim veror, shumë më të lartë se zakonisht. Por të gjitha këto, janë sërish nivel mikro. Këto do t’i kemi, do të vazhdojmë t’i ndeshim, e t’i përjetojmë. Maksimumi do të na cojnë në nivel ‘gjinkalle’.

Çështja është: Mos është koha t’i shohim gjërat nën një lupë Makro?

Mos është koha të guxojmë të mendojmë për turizëm luksi edhe në Shqipëri? Të flasim për turizëm të organizuar, për bashkërendim hotelesh, për resorte, për jahte, për guida profesionale, për shkollë apo akademi turizmi, për menaxherë e promovues të trajnuar? Në fakt ka ardhur fiks kjo kohë. Ka ardhur koha ta shohim turizmin si industri, si treg të vërtetë konkurence, si strategji afatgjatë, që i sjell buxhetit të shtetit jo thjesht ‘monedha’ stinore, por të ardhura ‘të shëndetshme’, që janë të gatshme të përdoren për projekte paralele.

Ka ardhur koha që edhe operatorët ndërkombëtarë t’i mirëpresim për të investuar, sic kanë bërë në Kroaci e Mal të Zi. Natyrisht me kontrata normale dhe përfituese nga të dyja palët.

Ka ardhur koha, të bëjmë plotësisht funksional turizmin pranveror e dimëror, jo me grupe sporadike që bëjnë ski në veri, apo rafting e kajak, në Vjosë e Osum, por me qendra rezidenciale që ofrojnë pushim e trajnim. Ka ardhur koha të vëmë në funksion të këtij turizmi, edhe agroturizmin, të aktivizojmë e gjallërojmë edhe produktet e fshatarëve e bujqërve, për ta kompletuar tryezën tonë të ofrimit të më të mirave. Pra ka ardhur koha, t’i marrim realisht efektin, si turizmit bregdetar, ashtu edhe atij malor, si turizmit të aventurës, ashtu edhe atij kulinar, si turizmit kulturor, ashtu edhe atij historik.

Vetëm me këtë hapje të mendjes, do të mund të bëjmë turizëm e të përfitojmë turizëm. E kjo nuk është thjesht e ardhmja, kjo është ajo që duhet të ndodhë sot. Pra e tashmja dhe aktualja. Në të kundërt, do ta masim vlerën e turizmit, me vetullat e ngrysura të një adoleshenti që bën kamarierin e bezdisur sezonal, apo me revoltën e pronarit të hotelit që heq kondicionerin nga puna, se ka frikë mos i vjen e lartë fatura e energjisë. E po qe kështu vëlla, ika në Korfuz prapë, se ‘me nerva’ jemi gjithë vitin.



*Gert Selenica është kryeredaktor programi në VizionPlus TV dhe punon si gazetar që prej vitit 1995. Përgjatë karrierës profesionale, ka prekur më së shumti çështjet politike, sociale, ekonomike dhe problematikat mjedisore. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org