Gratë – Menaxheret e Vërteta të Fermave

389 0

‘Hormonet mashkullore dhe financa e lartë nuk po shkojnë mirë bashkë. Na duhen gratë’ Ky shtë titulli i britanikes “The Guardian” në mes të krizës financiare, në vitin 2011. Shkruesi i artikullit kish vënë re se, teksa lexonte Raportin final të Departamentit të Thesarit në SHBA mbi krizën financiare, përemri ‘ajo’ apo fjala ‘grua’ nuk përmendeshin në asnjë prej 662 faqet e rasportit. Fytyra e krizës ishte mashkullore.

Ndërsa autori i best-sellerit mbi krizën, ‘The Big Short’, i pyetur se, nëse do të bënte një lëvizje të vetme për parandalimin e kësaj katastrofe financiare, tha se: ‘Do të punësoja 50% gra në departamentin e riskut në banka’. Madje edhe disa studime psikologjike mbi këtë krizë financiare fajësuan meshkujt, duke theksuar se gratë marrin vendime më të sakta pasi kanë më shumë imunitet ndaj euforisë, për shkak se kanë vetëm 10% të testosteronit, hormonit mashkullor.

Le t’i kthehemi realitetit shqiptar. Ja çfarë thotë Silvana Pinari, Kryetare e Shoqatës së Vajit të Ullirit AOA.

‘Në vitin 2005, kur fabrika jonë e vajit u hap dhe nisi të grumbullojë ullinj nga fermerët e zonës në Marikaj, a e di cilët hynin e dilnin në fabrikë? Duke zgjedhur t’i përgjigjet pyetjes së AgroWeb me pyetje, Silvana jep edhe përgjigjen po vetë; ‘Hynin e dilnin vetëm burra!’

E shokuar nga kjo situatë, Silvana, asokohe ende jo kryetare e AOA, por bashkëshorte e pronarit të fabrikës Ilirian Subashi ishte e vendosur që do të punonte edhe pse ambient burrash.

Pak nga pak nisi të përfshihej vetë e para, që nga grumbullimi e deri te magazinimi i produktit. Prezenca e një femre bëri që fermerët e zonës të merrnin edhe bashkëshortet me vete. Vetëm se ato thjesht vinin si shoqëruese e jo për të punuar.

Normal, e dinte shumë mirë që hapat do të ishin të vegjël, por domethënës.

Silvana, në rolin e saj si grua në biznes, por edhe si Kryetare e Shoqatës së Vajit, ishte pjesë e një takimi në Ministrinë e Bujqësisë, ku u prezantua  studimi mbi Situatën e gruas në zonat rurale në Shqipëri, përgatitur nga Ministria e Bujqësisë, programi UN Women dhe DSA.

Silvana Pinari (djathtas) duke folur në event, së bashku me drejtuesen e kompanisë IVAP Valentina Postoli

Silvana ishte aty jo sepse i pëlqejnë ‘qokat’. Përkundrazi. Ka aq shumë për të bërë, sa do t’ia kursente vetes shumë aktivitete të tilla. Por ajo beson sinqerisht se ka një rol, të cilin duhet ta luajë fort. Sa herë të jetë e mundur. Pa klishe, pa ‘duhet barazi gjinore’, pa ‘gruaja gjysma e popullsisë’ pa ‘të drejtat e njeriut fillojnë nga të drejtat e gruas’.

Ajo ka një rol. Është femër në biznes. Ia ka dalë. Edhe sikur vetëm të rrijë në të tillë event. Pa folur. Ajo e thotë të sajën. Sepse ajo nuk është klishe.

Pa dashur të nisim e të themi se si është situata e gruas në zonat rurale sot, po ju prezantojmë vetëm disa nga shifrat e studimit kryer në 24 fshatra. Përfundimi nuk është aq i vështirë të kuptohet:

• Më shumë se 80% e titujve pronësorë të tokës janë në emër të kryefamiljarit apo vjehrrit, apo babait.
• Vetëm 7% e grave deklarojnë se kontribuojnë me më shumë se gjysmen e parave në familje, edhe pse numri i grave që kontribuojnë është më i madh. Por është burri ai që merret me shitjen dhe merita i shkon atij.
• Vetëm 28% e Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme në total drejtohen nga gratë, edhe këto sidomos në qytete (87%) e sidomos në Tiranë (47.5%).
• Vetëm 3% e grave të intervistuara deklaruan se kanë aplikuar për grante
• Numri i përfituesve gra të financimit është 5 herë më i ulët se i burrave.
• Vetëm 13% e grave në këto fshatra kanë aplikuar ndonjeherë për kredi.

Gratë – menaxheret e fshehura të fermës

‘Të dhënat tregojnë se gratë janë më të angazhuara në aktivitetet e fermës; 32% në krahasim me 22% të burrave dhe kryejnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të rëndësishme bujqësore dhe blegtorale’, tha Profesor Edvin Zhllima, Drejtues i Grupit të Studimit (DSA). Ai sugjeroi kritere lehtësuese për titujt e pronësisë për gratë, mundësi arsimimi dhe trainimi apo hapjen e një sporteli për informimin e grave në zonat rurale.

‘Aksesi në financim është i pabarabartë’ tha ai, teksa propozoi të nxitet zgjedhja e më shumë ‘kryepleqve gra’ edhe pse fjala vetë është maskiliste.

Marie-Helene Verney, përfaqësuese e UNHCR, partnere në studim, tha se Shqipëria nuk është rast unikal. Por për Shqipërinë ka shumë pak të dhëna reale për këtë çështje. Ky &eueuml;shtë studimi i parë dhe bazuar në të, duhet të mbyllim pabarazinë gjinore dhe të ndihmojmë gratë të kenë akses në financim.’

Ndësa ministri Panariti tha se: “Në skemat e subvencioneve kemi mbështetur më së shumti fermat që menaxhohen nga gratë. Por studimi i UNCHR, tregon se gratë kanë nisur t’ia dalin edhe pa mbështetjen tone.”

Gratë fermere përballë burrave fermerë

Sipas një studimi të fundit, gratë prodhuese duket se mendojnë dhe ndjehen njësoj me gratë konsumatore. Burrat prodhues më së shumti diskutojnë mbi kostot, rritjen e të ardhurave, teknologjinë, përfitimet financiare. Gratë, sipas studimit, preferojnë të flasin për prodhimin, për cilësinë e tij, për kafshët, eksperiencën e tyre, pra më shumë koncepte cilësie sesa sasie parash.

Nëse pyet gratë fermere si i trajtojnë kafshët në ferma, si i trajtojnë produktet në ferma, sa kujdes kanë në të ushqyerin e fëmijëve e më pas t’ua bësh të njëjtat pyetje burrave fermerë, do të kemi përgjigje krejt të ndryshme. Është e sigurt se kafshët do të jetonin më mirë, ushqimi do të ishte më i mirë, produktet do të ishin më të sigurta me më shumë gra të kujdesshme në bujqësi, theksohet në studim.

U desh një krizë ekonomike që Wall Street të konsideronte punësimin e më shumë grave në nivele drejtuese bankare. Të mos presim një krizë të sigurisë ushqimore që të ndodhë e njëjta gjë me bujqësinë./AgroWeb.org/