Pure’ e Artë me Kungull e Karrota – Shije Plot Shëndet

821 0

Një recetë e thjeshtë, e shëndetshme plot shije, për një vakt të shkëlqyer dreke apo edhe darke përmes kombinimit me kungull e karrota.

Shija e kremoze e kungullit të përgatitur si pure plotëson padyshim oreksin e mbi të gjitha kënaq shijen teksa të përfshin tërësisht.

Janë më të freskëtat e stinës. Kungull i verdhë, karrota, qepë, vaj ulliri dhe rozmarinë.

Mjaftojnë pak përbërës, të cilët të gjithë i kemi në kuzhinë për t’i ofruar gjithë familjes apo edhe miqve dhe të ftuar një gatim special, për të lëpirë gishtat.

Kjo pjatë fantastike, e cila ka një shije unike dhe aromë me të vertetë mbresëlënëse është e pasur me plot vlera shëndetësore. Kjo falë kungullit të verdhë që është përbërësi kryesor i saj.

Kungulli është një perim me super veti ushqyese, i pasur me vitamina dhe minerale, por me pak kalori dhe ka pafund mënyra për tu përfshirë në dietë, sa do të habiteshit.

Që nga ëmbëlsira, sallata, byrek me kungull madje-madje mund të jetë një zëvendësues shumë i mirë dhe i gjalpit.

Kungulli është një nga burimet më të mira dhe më të njohura me beta-karoten, një super antioksidant, që njihet si kontribuesi kryesor i ngjyrës portokalli dhe që konvertohet në vitamin A në trup.

Ai rritet pothujase në të gjitha zonat e vendit. Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e radikaleve të lira, mbron nga azma dhe sëmundjet e zemrës dhe ngadalëson plakjen dhe degjenerimin e trupit.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron recetën fantastike të puresë me Kungull dhe Karrota. Një mënyrë e lehtë dhe e shëndetshme për një vakt ideal dreke apo edhe darke.

Si të Përgatisim Purenë me Kungull e Karrota për Familjen

Përbërësit

Kungull i Verdhë 1 kg

Karrota 500 g

Lëng perimesh ose edhe ujë 500 ml

Një kokërr qepë

Rozmarinë

Vaj Ulliri

Kripë

Djathë Kaçkavall (sipas preferencës)

Përgatitja

Pastroni mirë kungullin dhe karrotat duke i qëruar lëkurën.

Më pas, edhe kungullin, edhe karrotat i presim në kubikë të vegjël.

Përmes një thike të mprehtë presim hollë qepët.

Në një tigan hedhim vajin e ullirit dhe shtojmë qepët.

I kavërdisim derisa minuta derisa volumi i tyre të bjerë, më pas hedhim edhe kungujt dhe karrotat. I kavërdisim bashkë për disa minuta dhe më pas u hedhim lëngun e perimeve ose ujin.

I lëmë të zjejnë për 30 minuta e më pas i kalojmë në mikser për t’i shndërruar në formën e puresë.

Nëse preferoni që pureja të jetë më e lëngshme mund t’i shtoni më shumë lëng perimesh.

Në fund, kur e servirni mund t’i shtoni djathë kaçkavall të grirë dhe pak rozmarinë.

Pureja me Kungull të Verdhë është një shoqëruese fantastike e gatimeve të ndryshme me mish të bardhë siç është mishi i pulës apo i peshkut etj /AgroWeb.org

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.