Gjyvec me Klitharaqe – Shija e Një Dreke Speciale

3k 0

Gjyvec apo tavë me klitharaqe është një recetë fantastike për një vakt special dreke, me një shije të plotë dhe i pasur me vlera ushqyese siç janë proteinat.

Është ndër gatimet më të shijshme tradicionale sidomos tani në ditët e ftohta të dimrit.

Gjyveci është një gatim fantastik, shija e të cilit është e papërshkruar sidomos kur gatuhet në saç e prush por sigurisht mbetet po aq mbresëlënës edhe kur piqet në furrë.

Përbërësit e kësaj recete janë të thjeshtë ashtu si edhe mënyra e gatimit të tij.

Gjyveci është fantastik për t’u përgatitur në ditët e ftohta të dimrit ndërsa kombinohet në mënyrë fantastike me çdo gatim tjetër.

Kombinohet me sallata të freskëta të stinës, byrekë të ndryshëm veçanërisht me djathë, salca të ndryshme, siç është salca e kosit apo buka e thekur, apo me të shijshmet zahiretë e përgatitura nga nënat e gjyshet shqiptare.

Për një shije edhe më të shkëlqyer dhe një drekë speciale, gjyveci lezetoset edhe më shumë kur shoqërohet me një gotë verë të kuqe.

Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron  recetën tipike të përgatitjes së tavës me klitharaqe krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Gjyvecit në Shtëpi

Përbërësit

  • 1 kg mish viçi
  • 500 gr makarona në formë elbi (klitharaqe)
  • 2 litra ujë
  • 2 qepë të thata
  • Vaj ulliri
  • 2 lugë gjelle gjalpë të shkrirë
  • 4 lugë gjelle salcë domate
  • Kripë
  • Piper
  • Gjethe dafine

Përgatitja  

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit. Shtojmë aty qepët e grira bashkë me copat e mishit.

I kavërdisim derisa qepët të marrin ngjyrë të artë. Shtojmë salcën e domates i kavërdisim dhe hedhim ujin.  Shtojmë kripën, piperin dhe gjethet e dafinës.

I lëmë në zjarr për 40 minuta derisa të zjejnë mirë.

Më pas, shtojmë gjalpin dhe klitharaqet dhe i kavërdisim për disa minuta. I transferojmë nga tenxherja në një tavë dhe e fusim në furrën e parangrohur në 200 gradë.

I lëmë të piqen për 15-20 minuta derisa klitharaqet të kenë përthithur gjithë lëngun e mishit.

Pasi kemi fikur furrën, tavën e lëmë në nxehtësinë e furrës edhe për 15 minuta dhe më pas e servirim./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.