Musaka me Presh – Nga Gatimet Speciale të Traditës

3.6k 0

Kuzhina shqiptare është e pasur në receta e gatime speciale për çdo perime.

Gjellë e supa të shijshme, tava të ndryshme furre etj, i ofrojnë shije të mrekullueshme tryezës në çdo stinë.

E tillë është edhe receta e përgatitjes së musakasë me presh.

Një traditë e vjetër e kuzhinës shqiptare, që thuhet se ndikimin e ka nga kuzhina e vendeve të Lindjes.

Pavarësisht se musakaja tipike është ajo e njohur gjerësisht e përgatitur me patate, ka dhe shumë receta të tjera të përgatitjes së musakasë siç është ajo me presh, me patëllxhanë apo edhe kunguj.

AgroWeb.org sjell më poshtë recetën e përgatitjes së musakasë me presh, një gatim special, tejet i shijshëm ideal për një vakt të plotë dreke.

Përgatitja e Musakasë Me Presh

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)

  • 1.5 kg presh
  • 2 filxhanë kafeje me vaj ulliri
  • 200-300 gr mish të grirë
  • 2 kokrra qepë
  • 1 lugë gjelle salcë domatesh
  • 2 gjethe dafine
  • Kripë
  • Piper
  • Majdanoz
  • Për salcën beshamel
  • 3 lugë gjelle miell
  • 2 lugë gjelle gjalpë të freskët
  • 2 deri 3 gota qumësht
  • 2 kokrra vezë
  • 3 lugë gjelle djathë kaçkavall i grirë
  • Kripë
  • Përgatitja

Për kimën: Për përgatitjen e kimës kaurdisen qepët e grira imët me mish të grirë, hidhet salcë domatesh, kripë, piper dhe dafinë.

Për beshamelën: Në tigan skuqni gjalpin me miellin derisa të jetë zverdhur. Shtoni qumështin dhe përziejeni fort dhe shpejt me një lugë druri derisa masa të jetë e njëtrajtshme. Shtoni vezët e rrahura dhe vijoni ta përzieni. Shtoni kripën sipas dëshirës si dhe djathin kaçkavall të grirë.

Përgatitja e Musakasë

Si fillim preshi pastrohet me ujë të rrjedhshëm, gjethet e sipërme preferohet që të hiqen.

Pritet në copa të pjerrëta me gjatësi 3-4 centimetra.

Më pas, skuqen lehtë u hidhet pak kripë dhe ndahen në dy pjesë.

Gjysma e tyre shtrohet në një tavë ku më parë kemi shtuar vaj ulliri dhe galetë (bukë e thekur e thërrmuar imët).

Sipër tyre hidhet një shtresë me kimë  dhe mbulohet me pjesën tjetër të preshve.

Sipër i hidhet salca beshamel, e cila sheshohet në të gjithë sipërfaqen e tavës me ndihmën e një luge të lyer me qumësht.

Më pas, tava vedoset në furrë përreth 30-40 minuta./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.