Pispili me Hithra të Njoma – Nga Recetat e Mrekullueshme të Traditës

6.1k 0

Pispilia është padyshim ndër gatimet më speciale në kuzhinën shqiptare.

E përgatitur me kombinime të ndryshme mbushjesh, me djathë a me gjizë, me kos, qumësht e vezë, spinaq e hithra, apo kunguj e qepë domate, shija e saj në të gjitha variantet mbetet e papërshkrueshme.

Një recetë që mahnit çdo turist të huaj që provon kuzhinën tradicionale e që sigurisht nuk mungon në tryezat shqiptare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së pispilisë me hithra krejt lehtë në shtëpi.

Për këtë gatim do të ishte mirë që të përdorni hithra me gjethe të vogla, sepse kanë shije dhe aromë më të mirë se hithrat e zakonshme.

Hithrat mund të përdoren të ziera, si sallatë. Ndërsa lëngu i tyre pihet si çaj.

Këshillohet të pihet për kolitin, pastrimin e gjakut, tensionin etj.

Përgatitja e Pispilisë me Hithra

Përbërësit

  • 5-6 duar me hithra (250-300 gr)
  • 3 filxhanë çaji me miell misri
  • 2 filxhanë kafeje me vaj ulliri
  • 2-3 lugë gjelle djathë i thërrmuar
  • 1 kokërr vezë
  • 2 gota qumësht
  • kripë

Përgatitja

Hithrat e njoma lahen, grihen, përvëlohen në ujë të nxehtë dhe janë gati.

Në rastin kur hithrat janë me gjethe të mëdha, këto të fundit mblidhen me doreza (për të mos dëmtuar duart) dhe vihen të ziejnë, sa të zbuten.

Pasi kullohen, u hidhet djathë i bardhë i thërrmuar, miell misri, vezë dhe kripë.

Në një tavë të spërkatur me vaj ulliri hedhim një shtresë të trashë miell misri e cila spërkatet me qumësht ose ujë.

Mbi të hidhet masa e përgatitur dhe sheshohet.

Mbulohet me shtresën e miellit dhe përsëri laget me qumësht ose ujë.

Në fund spërkatet me gjalpë dhe futet në furrë.

Por përgatitja e lakrorit me hithra përgatitet edhe ndryshe. Hithrat vendoset të ziejnë me pak ujë dhe vaj ulliri derisa të zbuten dhe të mbeten të thata.

U hidhet qumësht dhe lihen në zjarr derisa të marrin një valë.

Shtohet mielli i misrit dhe kopër.

Pasi përgatitet një masë e derdhur hidhet në një tavë të spërkatur me vaj ulliri.

Spërkatet me gjalpë dhe vendoset në furrë të piqet.

Kur shërbehet shoqërohet sipas dëshirës me kos./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.