Pulë Fshati me Qull nga Tradita e Odës Dibrane

6.3k 0

Është një nga gatimet më të hershme tradicionale, i përgatitur në mënyrë fantastike nga mjeshtëria e duarve të nënave dhe gjysheve shqiptare.

Pula e gatuar me qull është një traditë e gjithë trevave shqiptare por secila zonë ka mënyrën e saj të gatimit.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së Pulës me Qull nga tradita e odës dibrane, e njohur për specialitetet e saj të shijshme në kuzhinë.

Por gjithashtu, është një nga gatimet më mbresëlënëse për çdo turist të huaj që e provon e që mahnitet nga shija e tij teksa përpiqet të marrë me vete recetën e përgatitjes.

I përgatitur me përbërës të thjeshtë, të cilët lehtë gjenden në kuzhinën e çdo familjeje, Qulli me Pulë është një gatim special i cili kënaq shijen dhe oreksin teksa mbledh gjithë familjen rreth tryezës.

Si ta Përgatisim Pulën me Qull

Përbërësit

  • 1 pulë 1 kg  (Për një shije më të mirë përzgjidhni pulë fshati)
  • 100 ml vaj ulliri ose 200 gr gjalpë i freskët
  • 15 lugë gjelle miell misri,
  • Kripë
  • 1.5 l lëng pule
  • Piper të kuq dhe të zi (sipas dëshirës)

Përgatitja

Në një tigan shtojmë pak gjalpë ose dy lugë vaj ulliri.

Shtojmë copat e pulës dhe i kalojmë për një skuqje shumë të lehtë për një apo dy minuta.

E kthejmë pulën nga të dyja anët.

Më pas, hedhim ujin. Shtojmë kripën, nëse dëshironi shtoni edhe pak piper të zi dhe të kuq.

I lëmë të zjejnë përreth një orë.

Nga ana tjetër, në një tenxhere shkrijmë gjalpin ose hedhim vajin e ullirit. Hedhim miellin e misrit dhe e kaurdisim me një lugë druri duke u kujdesur që mielli të skuqet njëtrajtësisht.

Në momentin që mielli nis skuqjen dhe të marrë ngjyrë në kafe të hapur, hedhim lëngun e përvëluar të pulës. E përzjejme fortë dhe në mënyrë të pa ndërprerë që të mos krijohen kokërriza.

Sapo masa të jetë krijuar në formën e salcës e hedhim në një tavë, të cilën përmes një furçe kuzhine e kemi lyer me një lugë vaj ulliri.

E fusim në furrë të ngrohtë me 250 gradë celcius dhe e lëmë të piqet për 15 minuta.

Mbi qullin e përgatitur vendosim mishin e pulës të cilin sipas preferencës mund ta ndajmë në copa ose mund ta vendosim të plotë.

Pasi hiqet nga furra qulli spërkatet me disa pika gjalpë të skuqur. Sipas preferencës mund t’i shtohen edhe hudhra të shtypura.

Sipas traditës dibrane, Qulli me Pulë shoqërohet me zahire të ndryshme shqiptare, sidomos turshitë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.