Djathi i Napës, më i Shëndetshmi – Receta e Përgatitjes në Shtëpi

15.5k 0

Djathi i Napës është një ndër djathrat më të veçantë, i përgatitur kryesisht në zonat rurale të vendit.

Ai gjendet edhe në bulmetore të ndryshme dhe konsiderohet si një ndër specialitetet më të mira e më të shëndetshme.

Veçantia e këtij djathi është shija fantastike që ka, e cila qendron pikërisht tek procesi i përgatitjes.

AgroWeb.org do t’ju mësojë më poshtë se si të përgatisni krejt lehtë djathin e napës në shtëpi.

Një mrekulli për shijen dhe për shëndetin gjithashtu duke qenë se i përgatitur në shtëpi është krejtësisht natyral dhe bio.

Djathi i napës krahas vlerave fantastike ushqyese që ka, kombinohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, në sallata të ndryshme me barishte e perime të çdo stine, ashtu si edhe në shumë gatime të tjera.

Ndiqni të gjitha hapat e thjeshtë për të përgatitur një prej djathrave më të shijshënm e më të shëndetshëm krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Djathit të Napës në Shtëpi

Përbërësit

  • 5 l qumësht fshati dhie (nëse preferoni mund të përdorni edhe qumësht lope ose dele)
  • Kripë (mundësisht kokërrmadhe – sasia sipas dëshirës)
  • 1 lugë gjelle limontos
  • 1 napë ose pecetë e madhe, e pastër pambuku

Përgatitja  

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të hidhni qumështin në një tenxhere dhe ta vendosni në zjarr.

Lëreni në zjarr derisa të zjejë plotësisht derisa ajka e qumështit të nisë të fryhet në sipërfaqe.

Në këtë moment, fikni sobën, hidhni limontosin dhe kripën dhe trazojeni qumështin disa herë përmes një lugë druri.

Vendosni napën në kulloresen e makaronave, hidhni në të të gjithë masën e qumështit të prerë dhe duke mbledhur të katër cepat e napës lidheni shumë fortë në mënyrë që masa të mblidhet mirë për të formësuar djathin.

Pasi e keni lidhur, AgroWeb.org ju udhëzon të ktheni masën me kokë poshtë, pra nga ana nga e keni lidhur dhe mbi të vendosni një tas të madh me ujë në mënyrë që djathi të kullojë sa më mirë.

Lëreni kështu për 1 orë. Nëse preferoni mund ta lini edhe për më shumë kohë që djathi të ngurtësohet plotësisht.

Më pas djathi është gati.

Për procesin e kriposjes, ka edhe një mënyrë tjetër, sipas së cilës kripa nuk hidhet në fillimin e përgatitjes së djathit, por në fund të të gjithë procesit pasi djathi është gati, kripa shtrohet në një pjatë, djathi nxirret nga napa, i hidhet pak kripë kokërr madhe sipër dhe më pas futet në frigorifer dhe lihet aty për një ditë.

Të nesërmen, hiqet nga pjata me kripë, i largohet kripa në pjesën e sipërme dhe ai do të ketë marrë sasinë e nevojshme të kripës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.