Një i Vdekur Tre Të Infektuar Nga Virusi i Nilit Në Kosovë – Rritet Rreziku Për Shqipërinë

468 0

Tre persona janë identifikuar me Virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë nga pickimi i mushkonjave, ndërkohë nga informacionet e AgroWeb.org mësohet se një nga të prekurit ka humbur jetën.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Kosovë, Naser Ramadani, duke shtuar se deri më tani dy pacientë të tjerë janë diagnostikuar me këtë virus.

“Në laboratorët e Institutit Kombëtar është detektuar edhe një rast me praninë e virusit të Nilit, i cili është i shtruar në Klinikën Infektive, që është në fakt rasti i tretë i diagnostikuar në Institutit Kombëtar.

Saktësisht në laboratorët e mikrobiologjisë, dhe i cili rast praktikisht ka filluar gjatë javës së kaluar, e që ka pasur shenja klinike, ku ditën e martë edhe ka rezultuar me diagnozë të virusit të Nilit”, është shprehur zoti Ramadani.

“Edhe rasti tjetër që ka përfunduar me fatalitet nga virusi i Nilit, ndonëse është shtruar në Klinikën Infektive me sëmundje kronike, i njëjti pas analizave laboratorike ka rezultuar i prekur me virusin e Nilit”, tha Ramadani.

Qendra Evropiane për Mbrojtje dhe Kontroll nga Epidemitë bën të ditur se shtatëmbëdhjetë të vdekur si pasojë e virusit të Nilit është bilanci i një jave në vendet e Evropës.

Sipas të dhënave të këtij institucioni të cilave u referohet AgroWeb.org , në Serbi janë nëntë të vdekur, tre në Greqi, një në Itali, një në Rumani dhe një në Kosovë.

Shqipëria e Rrezikuar

Shqipëria është e rrezikuar nga sëmundja e etheve të Nilit. Sipas informacioneve të AgroWeb.org, ndonëse virusi qarkullon në vendet fqinje Instituti i Shëndetit Publik bën apel për kujdes.

“Shqipëria është rrezikuar pasi në vendin tonë gjenden vektorët që shpërndajnë. Por ne jemi duke monitoruar sidomos në rastet e rënda të saj si meningjit, apo encenfalit.’ ka deklaruar Silva Bino nga Insituti i Shëndetit Publik.

Simptomat

Ethet e Nilit perëndimor është forma më e shpejtë e sëmundjes, e cila karakterizohet me temperaturë, me plogështi, me dobësi, me dhimbje koke, dhe dhimbje trupi.

Mund të paraqiten edhe anoreksi ose të vjella, me puçra në lëkurë, dhe në rastet më të rënda me encefalit, meningit apo paralizë.

Te njeriu paraqitet në dy forma klinike: ethet e Nilit Perëndimor që është relativisht e lehtë dhe i ngjan gripit dhe ajo neuroinvazive, e cila i përfshin të gjitha rastet me shenja neurologjike.

AgroWeb.org këshillon që për çdo pickim që shoqërohet me simptomat e mësipërme mos hezitoni të shkoni te mjeku për ekzaminim të mëtejshëm./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.