Mish i Kalbur në Shqipëri – Sekuestrohen Mbi 500 Kilogramë Në Shëngjin

830 0

Një hetimi policor zbuloi se në Shëngjin ishte ngritur një biznes për tregtimin e produkteve të mishit që kishte shitur prej vitesh mish të kalbur dhe që nuk plotësonte standardet më minimale.

Policia e Lezhës vuri në pranga Arsim Çurdina, 55 vjeç, banues  Kosovë dhe ka sekuestruar 528 kg produkte mishi gjatë operacionit të koduar “Rotten meat” (mishi i kalbur).

Sipas të dhënave zyrtare të cilave u referohet AgroWeb.org, ky person tregtonte në Shëngjin, në mënyrë të kundërligjshme e jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Ky shtetas shpërndante produktet e tij në restorante apo “Fast Food-e”  në Shëngjin si dhe një punishte në Tiranë që është mbyllur nga AKU.

Reagimi nga ekspertët

Menjëherë kanë reaguar mjekët infeksionit në lidhje me situatën në vend dhe rreziqet që vijnë nga ushqimet e pa konservuara në kushte të duhura.

Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero ka thënë për mediat se rrezikshmëria për shëndetin e qytetarëve është shumë e lartë.

Specialisti deklaroi se dhe lëngjet më të forta gastrointestinale që gjenden në stomakun tonë, nuk arrijnë të eliminojnë bakteret e këtij mishi.

Madje këto mikrobe menjëherë në kontakt me organizmin e njeriut fillojnë e shumohen.

“Varet nga ngarkesa mikrobike që merr një mish i dëmtuar apo i ruajtur jashtë standardeve. Mund të kemi salmoneloza, bruceloza dhe më të rënda.

Kur flas për toksikacione flas për helmim shumë të rëndë që marrin konsumatorët. Rrezikshmëria për shëndetin e qytetarëve është shumë e lartë”, deklaroi Pipero puer median.

Konsumi i mishit në Shqipëri , sipas statistikave është rreth 44.1 kg për frymë, shifër kjo më e lartë krahasuar me Maqedoninë 40.8 kg për frymë.

Simptomat nga helmimi

Sipas të dhënave ku bazohet AgroWeb.org, shfaqja e simptomave të helmimit varet nga përqindja e mikrobeve që përmban mishi i dëmtuar.

Në shumicën e rasteve pasojat e para fillojnë e shfaqen pas një ore nga konsumi i mishit të ruajtur jashtë standardeve.

Sëmundjet më të përhapura janë salmoneloza dhe bruceloza, por grada e helmimin varet nga mosha e personit që e konsumon si dhe nga sasia e mishit të kalbur.

Simptomat më të përhapura janë të vjellat, kriza barku madje dhe dhimbje të forta koke.

Personat e helmuar kanë të dridhura dhe në shumicën e rasteve temperaturë të lartë.

Në gati të gjitha rastet, thonë ekspertët, personat kanë një plogështi dhe dehidratim të organizmit./AgroWeb.org

Pamje nga punishtja ku u sekuestrua mishi i kalbur. Foto: AKU

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.