Si Të Përgatisni Krejt Lehtë Në Shtëpi Hamburger Të Shijshëm

2.1k 0

Kjo është një recetë me shije speciale, fantastike për t’u përgatitur dhe shijuar në çdo kohë.

Jo vetëm e shijshme por mbi të gjitha e shëndetshme.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë përgatitjen e thjeshtë të hamburgerave të shtëpisë.

Përbërësit

(Me këta përbërës mund të përgatisni 12 hamburgera)

 1 lugë gjelle me majë me maja

1 lugë kafeje sheqer

2 lugë çaji kripë

1 filxhan çaji qumësht i ngrohtë

½ filxhan çaji me ujë të ngrohtë

60 gr gjalpë i tretur

4 filxhan çaji e gjysmë me miell gruri

1 kokërr vezë

1 lugë gjelle me fara susami (nëse preferoni t’i shtoni)

Përgatitja

AgroWeb.org ju udhëzon të përzjeni në një tas të madh si fillim, sheqerin, kripën, qumështin e ngrohtë dhe ujin e ngrohtë.

Përzjeini për pak derisa masa të njëtrajtësohet.

Më pas, shtoni gjalpin e tretur dhe 3 filxhanë e gjysmë çaji me miell.

Përzjeheni masën me ngadalë derisa i gjithë mielli të bashkohet plotësisht me masën.

Më pas, shtoni me ngadalë pjesën e mbetur të miellit duke e përzjerë masën njëkohësisht.

Punojeni miellin derisa të mos ngjisë më në duar dhe masa e brumit të jetë e butë.

Më pas, vendoseni brumin e përgatitur në një enë më të madhe dhe lëreni të pushojë në temperaturë ambjenti përreth 1 orë derisa masa e tij të dyfishojë vëllimin.

Në vijim, ndajeni brumin në 12 toptha të barabartë dhe rrotulloijini me dy pëllëmbët e duarve për t’i dhënë rrumbullakësinë e duhur dhe pas shtypini që forma e rrumbullakët të bëhet e sheshtë.

Shtroni një letër pjekjeje në tepsi, lyejeni me pak vaj ulliri të gjithë sipërfaqen me ndihmën e një furçe kuzhine.

Vendosni me kujdes topthat e brumit në pak centimetra distancë me njeri-tjetrin pasi gjatë pjekjes masa e tyre do rritet.

Rrihni në një tas të vogël vezën bashkë me një lugë ujë të ngrohtë derisa masa të njëtrajtësohet dhe lyeni me këtë masë sipërfaqen e të gjithë topthave të hamburgerave.

Spërkatini topthat e hamburgerave me pak fara susami nëse preferoni dhe futini të piqen në furrë të parangrohur në 200 gradë celcius përreth 12-15 minuta derisa sipërfaqja e tyre të marrë ngjyrë kafe të artë.

Përgatitja e Qofteve të Hamburgerit

Përbërësi kryesor i mbushjes së hamburgerit janë qoftet, të cilat mund t’i përgatisni vetë në shtëpi.

Qoftet e hamburgerave janë ndryshe nga qoftet e shtëpisë. Për këtë recetë do t’ju duhen rreth 700 gr mish i grirë, kripë dhe piper i zi.

Mishi i grirë kriposet, i hidhet piper i zi, përzihet shtrohet në një tavë, ku më parë keni shtruar një letër kuzhine të cilën e keni spërkatur me pak vaj, mishi hapet si petë në trashësinë 1 cm, pritet në katrorë, llogariteni për 12 copë.

Pasi t’i keni ndarë, largojini pak nga njeri tjetri, jepuni me gishta një formë të rrumbullakët dhe spërkatini me vaj. Futini furrë derisa të piqen, e më pas vijoni me mbushjen e hamburgerave.

Përsa i përket përbërësve të tjerë, mund ta kombinoni me feta perimesh të ndryshme si domate a kastraveca të freskëta, gjethe sallate, patate të skuqura, salca të ndryshme siç është salca e kosit apo majoneza.

Një kombinim perfekt për shijen është edhe mbushja me qofte dhe turshi të ndryshme siç janë lakrat turshi apo edhe kastravecat./AgroWeb.org