Si të Përgatisni Djathin e Njomë në Shtëpi – I Butë, i Freskët Plot Shëndet

3.3k 0

Është një nga llojet më të veçanta të djathrave që prodhohen në Shqipëri.

Në zonat e jugut të vendit njihet si djathë i njomë ndërsa në ato të veriut si kajmak.

Mënyra e përgatitjes së këtij lloj djathi është trashëguar brez pas brezi deri në ditët e sotme, ku shumë amvisa preferojnë ta përgatisin atë vetë në shtëpi, recetën e të cilit AgroWeb.org e sjell më poshtë.

Djathi i njomë është një produkt tradicional i freskët, i njomë, i butë, që përgatitet nga qumështi jo i pasterizuar dhe jo i homogjenizuar që kryesisht ofrohet nga fermerët e vegjël në vend.

Ai shërbehet kryesisht me bukë të thekur ose shoqërohet me panine dhe salçice.

Ai përshtatet shumë mirë dhe plotëson shijen e mishit por dhe shumë gatimeve të tjera.

Nëse lejohet të fermentohet, kajmaku i vjetëruar ka një shije të fortë dhe ngjyrë të verdhë.

Në këtë pikë ai përdoret në një sërë gatimesh dhe recetash brumi.

Për përgatitjen e tij ju nevojiten

  • 5 litra qumësht lope ose dele jo të pasterizuar dhe jo të homogjenizuar.
  • 3-4 lugë çaji me kripë

Përgatitja 

Merrni një tenxhere mesatare dhe lëreni qumështin të ziejë.

Fikeni zjarrin dhe lëreni qumështin të ftohet plotësisht pa e përzierë për 4 deri në 5 orë.

Hiqeni ajkën e akumuluar në sipërfaqe dhe futeni në frigorifer.

Zakonisht sa më i paskremuar të jetë qumështi aq më shumë ajkë do të prodhojë ai.

Proçesin e zierjes dhe ftohjes së qumështit përsëriteni disa herë, duke mbledhur sa më shumë ajkë dhe ruajtur në frigorifer.

Ajkës shtojini kripën dhe përzijeni mirë.

Ruajeni masën në një enë të mbyllur mirë dhe ruajeni në frigorifer për deri në 2 javë.

Shënim: Djathi i njomë tradicional përgatitet duke zierë qumësht të freskët të lopës ose deles dhe duke e vendosur në enë me grykë të gjerë.

Me ftohjen e qumështit, ajka mblidhet në sipërfaqe dhe formon një shtresë të hollë.

Ajka e mbledhur vendoset në shtresa të ndryshme me kripë në një enë të gjërë druri.

Ky proçes përsëritet disa herë deri sa ena të mbushet.

Përveç prodhimit për përdorim shtëpiak, kohët e fundit, industria e bulmetit po përqendrohet më shumë tek ky produkt i veçantë i cili përbën krenarinë e shumë vendeve të Ballkanit.

Djathi më i shtrenjtë është ai më i freskëti që shitet një ose dy ditë pas prodhimit.

Ky djathë, emri i të cilit vjen nga Turqishtja, qëndron për javë të tjera në frigorifer por forcohet dhe më pas nuk ka të njëjtën shije.

Kajmaku mund të vjetërohet në shtresa të përgatitura nga lëkura kafshësh, një traditë kjo e Shqipërisë dhe disa vendeve të Ballkanit të cilët mburren me këtë recetë të veçantë./AgroWeb.org