Trahana me Qumësht – E Ngrohtë me Shije të Mrekullueshme

4.5k 0

Trahanaja është padyshim ushqimi më i shijshëm e më i shëndetshëm sidomos në stinën e dimrit.

E ngrohtë dhe shijeplotë, e shoqëruar me djathë a me përbërës të tjerë sipas dëshirës ky gatim mbetet ndër më të preferuarit e shqiptarëve.

Ajo shijon padyshim në mëngjes por sigurisht edhe në darkë duke ngrohur gjithë organizmin e duke të kënaqur me shijen e saj.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë dy mënyra të thjeshta dhe të shpejta të përgatitjes së saj lehtë në shtëpi me njue përbërës që i shton edhe më shumë shijen, me qumësht në vend të ujit.

Dy Mënyrat e Shpejta të Përgatitjes së Trahanasë

Mënyra e Parë

Një mënyrë është ajo përmes ngrohjes së qumështit dhe më pas shtimit të trahanasë në qumueshtin që nis të vlojë.

Më konkretisht, masa është dy lugë trahana për person. Fillimisht, trahananë hidheni në një gotë me pak qumësht të vakët dhe trazojeni derisa të tretet.

Më pas, vendosni një tenxhere të vogël në zjarr dhe shtoni një gotë të plotë me qumësht, shtoni pak kripë dhe lëreni derisa qumështi të nisë të vlojë.

Në këtë moment shtoni trahananë e tretur dhe trazojeni pa ndrëprerje përmes një luge druri derisa masa të trashet dhe të bëhet e njëtrajtshme.

Nëse dëshironi trahananë më të hollë mund të shtoni edhe pak qumësht, kjo varet sipas dëshirës.

Largojeni nga zjarri, thërrmoni në një pjatë të thellë 1-2 feta të holla buke të cilat i keni thekur dhe ftohur më parë.

Shtoni trahananë e përgatitur në pjatën ku keni thërrmuar bukën, përziejeni me bukën dhe në fund sipas dëshirës spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të tretur si dhe thërrime djathi gjithashtu.

Mënyra e Dytë 

Ndërsa mënyra tjetër e përgatitjes, është ajo e skuqjes së trahanasë në fillim.

Në këtë rast, trahanaja nuk tretet.

AgroWeb.org ju udhëzon që të vendosni një tigan apo tenxhere të vogël në zjarr.

Shtoni aty një lugë vaj ulliri apo një lugë gjalpë të freskët.

Në rastin e përgatitjes  për një person, shtoni dy lugë trahana, pak kripë sipas dëshirës dhe kaurdiseni për maskimumi dy minuta.

Më pas, shtoni menjëherë një gotë të mbushur plot me qumësht të ftohtë dhe trazojeni pa ndërprerje me lugë druri derisa masa të trashet dhe të jetë e njëtrajtshme.

Pasi të jetë gati, largojeni nga zjarri dhe përgatisni bukën si më sipër.

Më pas, shtoni trahananë sipër bukës duke e trazuar në mënyrë që buka të përthithë gjithë masën.

Spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të freskët si dhe djathë të thërrmuar gjithashtu.

Për më shumë shije, sipas preferencës mund të shtoni edhe pak spec djegës./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.