Salcë Kosi me Arra – Fantastike për të Shoqëruar Çdo Gatim

3.8k 0

Salca e kosit është një ushqim që nuk mungon në tryezat shqiptare.

Receta e kësaj salce është shumë e thjeshtë.

Përbërësi kryesorë i salcës është kosi.

Receta është aq e thjeshtë sa mund të ndryshohet ose plotësohet me elementë të tjerë siç mund të jetë kopra, limoni, kastraveci, arra e të tjerë.

Salca kremoze bëhet duke kulluar kosin.

Kjo recetë është mirë të përgatitet me kos të bërë në shtëpi por përgatitet edhe me kos të blerë në dyqan.

Kosi pa yndyrë ose me pak yndyrë nuk prodhon të njëjtën salcë kosi si varianti i shtëpisë.

Sa i përket hudhrës, shumë amvisa shqiptare zgjedhin ta shtypin atë me kripë që të çlirojë aromën e fortë e të ndezur.

Disa të tjera preferojnë ta kalojnë në rende, që hudhra të mos jetë aroma dominante.

Ndërsa për barishtet, zgjedhja qëndron gjithmonë mes koprës dhe majdanozit.

Salca e kosit mund të serviret si antipastë dhe është shoqëruese e shkëlqyer e mishrave, patateve apo sallatave.

Më poshtë do të gjeni një recetë të thjeshtë për përgatitjen e salcës së kosit në kushtet e shtëpisë.

Përbërësit:

  • 2 kg kos
  • 1 filxhan vaj ulliri ekstra të virgjër
  • 1 lugë të vogël me kripë
  • 2-3 thelpinj hudhër (nëse dëshironi mund të shtoni më shumë në varësi të aromës së preferuar)
  • 1 tufë majdanoz të copëtuar hollë
  • Një gotë me arra të shtypura

Përgatitja:

Marrim kosin dhe e transferojmë në një napë të pastër të cilës i japim formën e një traste të thjeshtë.

Trasta varet në një vend të caktuar në kuzhinë dhe lihet të kullojë për 12 orë. Vendosni një enë poshtë nëse nuk keni një vend ku të rrjedhë lëngu.

Pasi kosi ka kulluar plotësisht, hapeni trastën e napës dhe hidheni masën e përqendruar të kosit në një enë qelqi.

Shtojmë kripën dhe e përziejmë mirë.

Më pas hedhim një filxhan kafeje me vaj ulliri dhe e përziejmë mirë.

Në një enë të vogël shtypim thelpinjtë e hudhrës me pak kripë që të çlirojnë aromën e tyre karakteristike.

Mos harroni që hudhra duhet përdorur gjysëm ore pas prerjes, pasi ka lëshuar alicinën e cila përçon shumë prej vlerave më të mira të hudhrës.

Nëse dëshironi mund të shtoni majdanozin e grirë hollë dhe arra të thërrmuara.

Në përfundim salca rrihet dhe përzihet mirë me një lugë druri.

Vendoseni enën në frigorifer dhe mbylleni mirë me kapak.

Salca është mirë të konsumohet pas 2 orësh nga përgatitja.

Kjo kohë është e nevojshme për përzierjen e plotë të aromave të të gjithë përbërësve.

Salca mund të qëndrojë në frigorifer për të paktën 5 ditë./AgroWeb.org