Krem Gjalpi për Ëmbëlsira – Receta Tradicionale nga Pastiçeria në Shtëpinë Tuaj

4.1k 0

Kremi i gjalpit është një ndër kremrat bazë të pastiçerisë.

Klasik, i ngjyrosur apo me çokollatë kjo masë kremoze do të bëjë diferencën në recetat tuaja.

Nuk është kremi klasik që mund të konsumohet veçmas, por një mbushje e shkelqyer për ëmbëlsirat.

Ekzistojnë mënyra të ndryshme për ta përgatitur në varësi të përbërësve që dëshironi të përdorni.

Sot në AgroWeb.org do t’ju sugjerojmë dy mënyra të thjeshta se si të përgatisni kremin e gjalpit si një pastiçier i vërtetë.

Krem gjalpi për mbushjen e ëmbëlsirave

Përbërësit

  • 175gr gjalpë në temperaturë ambienti
  • 150gr sheqer
  • 6 të verdha vezësh
  • 50ml ujë
  • 20gr esencë vanilje

Përgatitja

Për të përgatitur kremin e gjalpit AgroWeb.org ju këshillon të filloni me vendosjen në zjarr të një tigani të thellë.

Hidhni ujin dhe shtoni sheqerin duke e përzier në zjarr të ulët derisa sheqeri të shkrijë plotësisht.

Lëreni të ziejë derisa uji të jetë mjaftueshëm i nxehtë dhe të fillojë të nxjerrë bulza të mëdha.

Më pas vendosni të verdhat e vezëve në një mikser duke shtuar pak nga pak edhe shurupin e sheqerit.

Trazojini dhe derisa të shikoni që shurupi është ftohur komplet.

Ndërkohë në një enë të pastër vendosni gjalpin në temperaturë ambienti dhe shtojini ekstraktin e vaniljes.

Përziejini mirë me anë të një luge derisa gjalpi të arrijë një gjendje kremoze dhe kompakte.

Më pas në një mikser bashkoni gjalpin me vezët dhe vazhdoni t’i përzieni derisa të arrihet një masë kremoze.

Kremin mund ta përdorni menjëherë në ëmbëlsirat tuaja ose ta ruani në frigorifer për një moment të dytë.

Krem gjalpi për dekorimin e ëmbëlsirave

Përbërësit

  • 300gr gjalp
  • 250gr sheqer
  • 100gr të bardha vezësh ose rreth 7 të bardha
  • 50 ml ujë

Përgatitja

Këtë lloj kremi mund t’a përdorni veçanërisht për zbukurimin e ëmbëlsirave pasi ka tendencën të ngijë si mafishet.

AgroWeb.org ju këshillon të nisni me përgatitjen e shurupit të sheqerit njësoj si në recetën e mësipërme.

Në një tigan të thellë hidhni ujin dhe sheqerin duke e përzier vazhdimisht derisa sheqeri të shkrihet.

Lëreni të ziejë derisa të jetë trashur pak dhe shurupi të fillojë të nxjerrë bulza të mëdha.

Ndërkohë prisni gjalpin në kubikë të vegjël dhe lëreni në temperaturë ambienti.

Hidhni të bardhat e vezëve në një mikser dhe filloni t’i përzieni për disa sekonda.

Kur të bardhat e vezëve të kenë marrë trajtën e shkumës, shtoni pak nga pak edhe shurupin e sheqerit.

Vazhdoni të miksoni derisa të bardhat e vezëve të jenë fryrë plotësisht dhe të keni përfituar një masë të pambuktë dhe kompakte.

Më pas mund ta lini kremin të pushojë për rreth 15 minuta në temperaturë ambienti të freskët.

Kur kremi të jetë ftohur mjaftueshëm shtoni pak nga pak dhe kubikët e gjalpit duke i trazuar gjithmonë me dorë.

Trazojini derisa gjalpi të jetë shkrirë plotësisht dhe kremi të jetë i njëtrajtshëm dhe me ngjyrë uniforme.

Kremin mund ta ruani në frigorifer për disa ditë ose ta përdorni menjëherë për zbukurimin e ëmbëlsirave tuaja./AgroWeb.org