Kek me Fiq të Freskët dhe Sherbet – Shija Unike e Verës

951 0

Keku me fruta të freskëta është ndër ëmbëlsirat më të thjeshta në përgatitje dhe më të mira në shijim.

Fiqtë të pasur me vitamina dhe vlera për trupin, dhurojnë gjithnjë edhe një ëmbëlsi të mrekullueshme në gatime.

Duke qenë se cilësohen si frutat më të preferuara dhe më të kërkuara të verës, AgroWeb ju sjell një larmishmëri mënyrash gatimi.

Në këtë recetë nga AgroWeb.org, do të gjeni mënyrën e saktë të përgatitjes së kekut të shtëpisë me fiq të freskët.

Përbërësit për brumin

200 gr miell

100 gr gjalpë pa kripë

190 gr sheqer

1 lugë çaji sodë buke

4 vezë

80 gr kos

1 lugë çaji vanilje

lëkura e grirë e dy limonave

kripë

Përbërësit për sherbetin

60 gr gjalpë pa kripë

130 gr sheqer kaf

400 gr fiq të freskët

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të ndizni paraprakisht furrën në temperaturën 170 gradë.

Pasi të keni bërë këtë merrni fiqtë, lajini dhe ndajini përgjysmë sipas formës së tyre.

Ndërkohë vendosni edhe një tigan të vogël në zjarr mesatar dhe shtoni tre lugë gjalpë në mënyrë që të shkrijnë

Pak nga pak shtoni edhe sheqerin kaf, të cilin sipas dëshirës mund ta zëvendësoni edhe me sheqerin që përdorni zakonisht në shtëpi.

Lëreni këtë masë në zjarr për 2-3 minuta ose derisa i gjithë sheqeri dhe gjalpi të jenë shkrirë plotësisht.

Zgjidhni një tavë pjekje rrethore përafërsisht 22 cm dhe lyejeni me pak vaj ose gjalpë.

E më pas shtoni sasinë e gjalpit dhe sheqerit që përgatitet më parë.

Pasi sherbeti të ketë zënë vend në tavë, vendosni një nga një edhe fiqtë në të gjithë sipërfaqen e saj.

Sigurohuni që t’i vini fiqtë tuaj me kokë poshtë, në mënyrë që gjysma e pjesës së prerë të jetë e puthitur me tavën.

Lëreni tavën me fiqtë të pushojë veçmas dhe vazhdoni me përgatitjen e brumit.

Në një enë të thellë hidhni miellin, sodën e bukës, lëkurën e grirë të dy limonave edhe shumë pak kripë.

Ndërsa në një tjetër enë përzieni me anë të një rrahësi elektrik gjalpin, që duhet të jetë në temperaturë ambienti dhe sheqerin.

Shtoni edhe vezët një nga një, duke vazhduar me përzierjen shtoni kosin dhe ekstraktin e vaniljes.

Kur të jetë formuar një masë e lëngshme dhe e njëtrajtshme, shtoni pak nga pak edhe miellin që ndodhet tek ena tjetër.

Përzieni mirë me anë të një luge druri të gjithë këtë masë brumi, në mënyrë që të mos krijohen kokrriza.

Më pas me anë të një luge të madhe hidhni pak nga pak të gjithë brumin tek tava me fiq.

Shtrojeni atë me kujdes në të gjithë sipërfaqen e saj në mënyrë të barabartë, duke u siguruar që keku juaj ka një pamje uniforme.

Për pjekjen

Futeni tavën në furrë dhe piqeni në temperaturën 170-180 gradë për 40 minuta ose derisa të shikoni që ka marrë pamje të artë.

Gjithnjë bëni provën nëse keku është pjekur brenda para se të vendosni ta nxirrni nga furra.

Kur të jetë gati, lëreni të ftohet për 10 minuta në temperaturë ambienti e më pas kaloni një thikë nëpër të gjithë anët e tij.

Në këtë mënyrë brumi do të shkëputet nga tava dhe kekun sigurohuni ta ktheni nga poshtë lart në një pjatancë të madhe.

Fiqtë që shtruat në fillim të recetës duhet të jenë pjekur dhe duhet të qëndrojnë në pjesën e sipërme të kekut.

Sipas dëshirës këtë ëmbëlsirë mund ta shoqëroni edhe me një kupë akullore me qumësht apo me pak sheqer pluhur./AgroWeb.org