Ndotja e Ajrit Një Problem Serioz në Shqipëri e Kosovë – Këshillat e Ekspertëve

680 0

Ndotja e ajrit është tema e ditës jo vetëm për dëmet që i shkakton natyrës, por edhe për ndikimet e drejtpërdrejta që ka në organizëm.

Sipas ekspertëve  cilësia e jetës është shumë herë më e keqe dhe vdekjet shumë herë më të larta pikërisht nga ky faktor shumë ndikues.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërorë e Shëndetësisë, për popullsinë e Ballkanit Perëndimor shkurtohen mesatarisht 1.3 vite jetë vetëm nga ndotja.

Ajri i keq cilësohet si një nga shkaktarët më të mëdhenj të problemeve shëndetësore, të provokuara po vetë nga njeriu.

Nën këtë vorbull ndotje nuk qëndron jashtë as Shqipëria e Kosova me shifra shqetësuese të cilat prekin përditshmërinë.

Të dhënat për Ballkanin

Çdo vit në zonën e Ballkanit numërohen rreth 5000 vdekje të parakohshme si pasojë e ajrit të ndotur.

Një problem shumë shqetësues edhe për Shqipërinë e Kosovën, të cilat megjithëse nuk hyjnë tek lista e qyteteve më të ndotur në botë, sërish janë mjaft të rrezikuara.

raportin e fundit të OKB, renditen 19 shtete të Ballkanit ku futet edhe Maqedonia e Veriut me Tetovën si një prej qyteteve problematike.

Rreth 19% e vdekjeve në këtë zonë ndodhin vetëm nga mungesa e ajrit të pastër.

Në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor ndotja është masive në pjesën më të madhe të vitit.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetit të cilave iu referohet AgroWeb.org, sasitë e lejuara të ndotjes janë 10 miligramë për metër kub.

Ndërsa në këto zona kalohet me 40 miligramë metri kub për periudha shumë të gjata.

Përafërsisht në 120-180 ditë në vit ajri që qarkullon është i ndotur jashtë normave të lejuara.

Këto ditë janë më prezente veçanërisht gjatë periudhës së dimrit.

Në vendet Evropiane këto shifra të ndotjes nuk e kalojnë 35 ditë në vit.

Ndërsa ndotja vjen kryesisht nga smogu, kimikatet, gazrat, emetimet e fabrikave në atmosferë dhe sigurisht për shkak të makinave.

OKB po i nxit të gjitha vendet e rajonit të marrin masa urgjente ndaj kësaj gjendje.

Shqipëria dhe Kosova

Raporti i OKB e rendit Shqipërinë ndër 5 vendet më të ndotura në rajon, me një normë 5 herë më të lartë se vendet Evropiane.

Ndërsa për Kosovën ka bërë thirrje Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik atje të bëhet kujdes, pasi cilësia e ajrit i kalon nivelet e normales.

Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole i cili vërehet gjithandej.– thuhet në njoftimin nga IKSHPK.

Edhe në Shqipëri e Kosovë ndotja e ajrit vjen si pasojë e djegies së gazrave të këqija kryesisht nga mjetet motorike.

Ndikimet në organizëm

Sipas ekspertëve ndër problemet më të mëdha që ndotja e ajrit shkakton tek njeriu janë ato me frymëmarrjen dhe mushkëritë.

Mund të çojnë në rritje të numrit të sëmurëve me sëmundjen e bronkitit, apo ato bronkiale tek moshat e thyera dhe tek më të vegjlit.

Një tjetër problem janë edhe problemet kardiovaskulare që mund të shkaktohen nga thithja e ajrit të keq për një kohë të gjatë.

Ambientalistët këshillojnë të përdorni sa më pak makinat dhe të digjni sa më pak dru për të evituar çdo problem me shëndetin dhe për të përkrahur natyrën./AgroWeb.org