Biskota të Shpejta dhe të Lehta pa Miell

2k 0

Shije krejtësisht e veçantë me shumë pak përbërës.

Biskotat jemi mësuar t’i përgatisni me miell, gjalpë dhe vezë, por AgroWeb.org ju tregon një mënyrë shumë të thjeshtë për përgatitjen e tyre.

Receta e sotme nuk ka nevojë as për miell e as për gjalpë.

Gjithçka që do t’ju duhet është sheqeri, të bardha veze dhe kakao dhe do të krijoni disa ëmbëlsira me shije dhe aromë delikate.

Ndiqni me kujdes hapat e përgatitjes të shpjeguara në recetë dhe provojini që sot këto biskota speciale pa miell.

Përbërësit

  • 250g sheqer pluhur
  • 50g kakao e hidhur
  • Pak kripë
  • 2 të bardha vezësh
  • 100g çokollatë të grirë

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë duhet të filloni me sitjen e sheqerit pluhur dhe kakaos.

Sitja e këtyre dy përbërësve krijon mundësinë që brumi i biskotave të ketë ajër gjithashtu dhe që sheqeri me kakaon të shkrihen plotësisht.

Kalojini përbërësit në një tas të madh, ndërkohë që grini çokollatës.

AgroWeb.org ju këshillon që të përdorni çokollatën e zezë e cila përdoret për gatim, pasi çokollatat e tjera kanë sheqer të shtuar.

Kur të keni përfunduar edhe me çokollatën është koha që të rrihni të bardhat e vezëve.

Në një tas të pastër dhe të thatë hidhni vezët dhe shtoni pak kripë.

Punojini vezët me rrahësin elektrik derisa të formoni merengen e plotë.

Tani AgroWeb.org ju sugjeron që të shtoni dalë nga dalë përzierjen me sheqer dhe kakao.

Nëse do të përdornit sheqer kokërr punimi i të bardhave të vezëve do të ishte më i gjatë, pasi sheqeri duhet të tretet plotësisht.

Kur sheqeri mbetet i patretur kur të piqni biskotat ai do të digjet duke hidhëruar shijen e ëmbëlsirave.

Pasi të keni përzierë sheqerin dhe kakaon tek merengia shtoni aty copat e çokollatës së grirë.

Merrni një tavë dhe lyejeni shumë lehtë me pak vaj dhe mbi të shtroni një letër pjekjeje.

Me ndihmën e lugëve hidhni pak nga masa që përgatitët duke u munduar që t’i jepni pakëz formë.

Futini në furrë të ngrohur me 200 gradë dhe piqini për 12-14 minuta.

Mund t’i provoni nëse janë bërë duke i shpuar edhe me njq kunjë dhëmbësh.

Pasi t’i hiqni nga furra lërini pak të ftohen dhe mund t’i shërbeni plot shije./AgroWeb.org