Supa e peshkut është një nga gatimet më të shijshme dhe të shëndetshme në të gjitha vendet e Mesdheut.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut krenohen me supën e krapit të Ohrit e cila përshkruhet si ‘shije nga parajsa’.
Në qytetet dhe fshatrat përreth gjen receta të pafundme ku përbërësi kryesor është pikërisht peshku krap.
Një prej tyre AgroWeb.org e sjell për ju sot në mënyrë që të mund ta shijoni me familjarët tuaj.
Supa e Krapit, Shije Në Tryezën e Familjes
Krapi është një burim i shkëlqyer i shumë ushqyesve mikro dhe makro.
Ai njihet veçanërisht për sasitë e larta të proteinës dhe acideve yndyrore omega-3.
Të dyja janë shumë të rëndësishme për shëndetin e zemrës dhe për parandalimin e sëmundjeve.
Përbërësit:
- 200-300 gramë peshk
- 1 karrotë e madhe
- 1 karrotë e bardhë e vogël
- 1 kërcell selinoje
- Makarona të vogla supe
- Majdanoz
- Piper të zi
- 1-2 lugë gjelle miell
- 1 të verdhë veze
- 2 litra ujë
Përgatitja:
Pasi ta keni pastruar peshkun dhe perimet, futini ato në një tenxhere me ujë të valuar dhe lërini të ziejnë për rreth 40 minuta.
Pas zierjes, hiqini të gjitha perimet nga tenxherja dhe bashkë me peshkun transferojeni në një enë të pastër.
Lëreni të ftohet pak dhe gjatë kësaj kohe hidhni makaronat e vogla të ziejnë.
Ndërkohë, pritini karrotat në copa të vogla dhe bashkë me selinonë kthejeni sërish në tenxhere.
Copëtojeni peshkun e zier në mënyrë të imët dhe copat e tij hidhini në tenxhere.
Shtoni erëzat dhe miellin treteni në pak ujë të ftohtë dhe më pas shtoni të bardhën e vezës.
Rriheni mirë dhe hidheni në tenxhere duke e përzier në mënyrë të vazhdueshme teksa ziejnë për disa minuta.
Më pas hiqeni tenxheren nga zjarri dhe hidheni supën në pjata duke e zbukuruar me pak majdanoz të grirë hollë e mbi të gjitha të freskët.
Ju bëftë mirë/AgroWeb.org