Receta e Shijshme e Tespixhes – E Preferuara e Këngëtares Myfarete Laze

3.3k 0

Këngëtarja e mirënjohur Myfarete Laze krahas pasionit për muzikën ka dhe një tjetër pasion të veçantë. Gatimin. E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV ajo ka ndarë për publikun momente të këndshme plot humor në lidhje me recetat e saj të preferuara, një prej të cilave është ëmbëlsira e veçantë shkodrane Tespixhja.

Këtë ëmbëlsirë, Myfaretja e cilësoi si të preferuarën në familjen e saj ndërsa e gatuan shpesh në kuzhinën e saj.

AgroWeb ju sjell më poshtë recetën fantastike të Tespixhes për ta shijuar bashkë me më të dashurit në familjen tuaj.

Përbërësit

500 gr gjalpë i freskët
100 ml qumësht
Një lugë kafeje sodë
3 vezë të freskëta
500 gr miell
100 gr sheqer
200g arra
Për sherbetin
500 gr sheqer
500 ml ujë
Lëkura e një limoni

Përgatitja

Në një tenxhere të pastër dhe të madhe shtojmë gjalpin dhe sheqerin dhe i vendosim në zjarr.
I përziejmë derisa sheqeri të karamelizohet.
Më pas, tenxheren e largojmë nga zjarri dhe e lëmë të ftohet për disa minuta.
Në tenxhere shtojmë qumështin dhe e vendosim sërish në zjarr.
Vijojmë duke shtuar miellin duke e përzier me lugë druri pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të shëputet nga anët e tenxheres.
Pasi masa të jetë trashur mjaftueshëm e heqim nga zjarri dhe shtojmë një e nga një vezët duke mos ndërprerë procesin e përzierjes.
Brumin e përftuar e vendosim në një tepsi ose mbi tavolinën e kuzhinës.
E spërkasim me pak miell dhe nisim ta punojmë me dorë derisa të krijohet një masë kompakte.
Brumin e spërkasim me kokërriza sheqeri nga të gjitha anët.
Tavën e spërkasim me pak gjalpë të shkrirë dhe vendosim brumin aty duke e shtrirë me dorë në të gjithë sipërfaqen e tavës.
Më pas, i japim formë përmes një thike të mprehtë sipas dëshirës në romba apo katrorë dhe sipër i vendosim disa arra.
Tava futet në furrë për pjekje për 40 minuta.
Ndërkohë përgatisim sherbetin duke hedhur në një tenxhere, sheqerin, ujin dhe lëkurën e limonit. I lëmë të vlojnë derisa sherbeti të lidhet apo të trashet.
Kur ëmbëlsira të piqet, e lëmë të ftohet dhe më pas i hedhim sipër sherbetin e nxehtë.