Mandarinat Shqiptare Më Të Kërkuarat Nga Tregjet e Huaja

774 0

Sektori i agrumeve në Shqipëri është një tjetër grupet me rekorde pozitive të prodhimit dhe eksporteve, në strukturën e sektorit bujqësor, që është shumëfishuar në shifra reale në këto 9 vitet e fundit.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, publikoi shifrat zyrtare sipas të cilave, prodhimi i agrumeve në vitin 2019 është trefishuar në 46.882 tonë, kundrejt 13.336 tonëve që ishin në 2010.

Ndërsa prodhimi i mandarinave në harkun e 9 viteve u rrit në shifra dyshifrore.

Referuar statistikave, në vitin 2010 prodhimi i mandarinave shënonte sasinë e rreth 5 mijë tonëve, kurse në vitin 2019 prodhimi u rrit në mbi 31 mijë tonë.

Krahas prodhimit u rritën edhe eksportet e këtyre dy kulturave.

Eksporti i mandarinave shënoi rreth 14 mijë tonë në vitin 2019, nga 0 eksporte që shënonte Shqipëria në vitin 2010.

Ndërsa importi i mandarinave u ul në 2250 tonë në 2019, nga mbi 11 mijë tonë që importoheshin në vitin 2010.

Në sajë të politikave mbështetëse Shqipëria i është rikthyer traditës në prodhimin e agrumeve, (portokaj, limona dhe mandarina), prodhimi i të cilave është i përqendruar në zonat bregdetare.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vitet e fundit në kategorinë e frutave që ka njohur rritjen më të madhe në prodhim dhe eksporte është ajo e agrumeve, veçanërisht e mandarinave, të cilat kanë pasur shumë sukses.

Ndër agrumet, mandarinat janë produkti më dominues dhe me rritjen më të shpejtë (duke përbërë rreth 2/3 e sasisë së prodhimit të agrumeve).

Eksportet e agrumeve “Made in Albania” furnizojnë tashmë jo vetëm tregun rajonal, Kosovë, Maqedoni e Veriut, por është konsoliduar tashmë eksporti i mandarinave drejt Polonisë, Çekisë, Gjermanisë, Ukrainës.

Eurostat vitin e kaluar e renditi Shqipërinë një ndër 10 shtetet mesdhetare në Europë, ku prodhohet portokalli.

Shqipëria është në vendin e 8-të për nga prodhimi vjetor, më mirë se Malta, që ka një sipërfaqe bindshëm më të vogël të kultivimit dhe se Kroacia, vend që ka një klimë aspak favorizuese, si dhe për rrjedhojë, sipërfaqe të vogël kultivimi. Ndërkohë që kryeson Spanja, Italia dhe Greqia për superprodhimin e agrumeve, bën të ditur agjencia e statistikave të Bashkimit Europian./Burimi:Atsh