Falë politikave mbështetëse të qeverisë sipërfaqet e kultivuara me arrorë deri në vitin 2019 janë rritur në rreth 3 mijë e 400 hektare, ndërsa prodhimi në rreth 14 mijë tonë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi bëri të ditur fermerët po përfitojnë ndihmë për makineritë bujqësore dhe infrastrukturën për të rritur sipërfaqet e kultivimit.
Ministri Çuçi publikoi historinë e fermerit nga Libohova, i cili prodhon mesatarisht rreth 4 tonë lajthi në vit, të cilat i shet në tregun vendas.
“Ku ka lajthi ka edhe shëndet të mirë. Ju njoh me Vangjel Kuron nga fshati Suhë i Libohovës. Në një sipërfaqe prej 3 hektarësh ka disa vite që kultivon lajthi. Prodhon mesatarisht rreth 4 tonë në vit, të cilat i shet në tregun vendas”, bëri të ditur ministri.
Kuro është një prej shumë fermerëve të mbështetur nga programi IPARD, si dhe do të aplikojë sërish në thirrjen e radhës për të përfituar ndihmë për makineritë bujqësore dhe infrastrukturën që i duhet për përpunimin e frutit dhe zgjerimin më tej të fermës me rreth 1 mijë rrënjë.
“Falë politikave tona mbështetëse për sektorin, sipërfaqet e kultivuara me arrorë deri në vitin 2019 janë rritur në rreth 3 mijë e 400 hektarë, ndërsa prodhimi në rreth 14 mijë tonë“, deklaroi Çuçi.