Duhet apo Jo Maska në Shkollë? Flasin Ekspertët

331 0

Në Shqipëri ka nisur procesi mësimor, por prindërit dhe nxënësit janë të paqartë dhe ndihen të frikësuar për shkak edhe të pandemisë së Covid-19. Ministria e Shëndetësisë ka publikuar një protokoll masash, i cili parasheh rregullat strikte, për ruajtjen e distancës dhe kufizimin e numrit të nxënësve në klasa.

Pedagogia Majlinda Keta tha në “Ilva Now” se, shqetësimi kryesor i qytetarëve është tek rinisja e mësimit në sistemin publik, sistem ky i cili pritet të shtojë kontaktet dhe të rrisë shanset për raste të infektimit me Covid-19.

Sipas saj, mësimi mund të realizohet, por parësore në këtë proces mbetet kualifikimi i mësuesve për të bërë trajtimin psikologjik të nxënësve si dhe përshtatjen e kurrikulës mësimore.

“Protokolli i masave që hartoi Ministria e Arsimit për tejkalimin e vështirësive që ka fillimi i vitit shkollor, për mendimin tim është standard minimal në disa raste që duhet respektuar, dhe duhet të maksimizohet në disa raste duke veçuar kategoritë e ndryshme  të shkollave, por edhe sistemin publik dhe jo publik brenda vendit.

Shqetësimi shoqëror është ai i rinisjes së vitit shkollor në sistemin publik. Atje ku riskojmë ne me infrastrukturën, e cila edhe sot që flasim nuk është raportuar se si janë përshtatur në të gjithë fizionominë. Ky protokoll është i realizueshëm, nëse në këto ditë, sistemi i mësuesve është i përfshirë komplet në një sistem kualifikimi, që fillon nga trajtimi psikologjik i nxënësve, por edhe sa i përket përshtatjes së kurrikulës do jetë pak më ndryshe”, tha ajo.

Testimi i mësuesve

Zonja Keta kërkon nga autoritetet shqiptare që të testojë mësuesit për Covid-19 përpara se të nisë sezoni i ri shkollor.

“Ne e kemi harruar plotësisht dhe nuk jemi as tek Kosova sigurinë që duhet të marrim nga të gjithë mësuesit. Ka një pjesë të specialistëve që kanë kërkuar nga shteti testimin e mësuesve, e cila është një masë që duhet të hyjë tek standardi minimal tek protokolli, që është harruar të shkruhet ky kusht.

Pajisja e fëmijëve me libra, ku pjesa e tyre nuk kanë mundësinë për t’u përdorur në mënyrën digjitale”, shtoi ajo.

Administratori i shkollës “Faik Konica”, Ermal Hasimja tha se situata paraqitet e vështirë si për nxënësit, mësuesit, por edhe për prindërit. Ai tha se ky protokoll e vështirëson me tej zhvillimin e mësimit, ndërsa shtoi se mbajtja e maskës nuk mund të aplikohet tek fëmijët deri në 10 vjeç, pasi kjo për Hasimen, shkakton probleme të tjera shëndetësore.

Masat

“Nuk është situatë normale, jo vetëm për Shqipërinë por kudo është një situatë e pazakontë. Për mësuesit është torturë, prindërit do të vuajnë pasi për një pjesë të shkollave do të ketë dy apo tre turne. Sistemi i mësimdhënësit do të ketë shumë vështirësi. Mësuesi në rastin konkret do të jetë jo vetëm mësues, por edhe mjek, psikolog etj.

Për fëmijët është një situatë jo e zakontë sepse do të detyrohen të qëndrojnë larg njëri tjetrit. Disa prej masave që janë marrë janë masa që nuk ekzistojnë as në BE. Maskat mund të kthehen problematike deri në moshën 10 vjeç. Këto masa nuk janë konsultuar mirë. Vendimi është marrë nga mjekët, por duhet të ishin përfshirë shumë më tepër Ministria e Arsimit dhe ekspertët e arsimit”, tha ai.

Pedagogia u shpreh në të njëjtën linjë me Hasimen, ndërsa tha se maska duhet të aplikohet në ciklin e nëntëvjeçares dhe në shkollën e mesme. Më tej ajo kritikoi qasjen e qeverisë, e cila sipas saj ka bërë inspektime dhe raporton për gjendjen e shkollave në mënyrë aspak institucionale.

Në këtë fushë ajo shtoi se Kosova është një hap para nesh, pasi sipas saj, raportimet bëhen nga ekspertët dhe jo nga politika.

“Unë mendoj që maskat duhet t’i mbajnë ato që duhet të ndjekin rekomandimet e OBSH-së. Cikli i ulët 9-vjeçar nuk ka nevojë të mbajë maska. Në ciklin e 9-vjeçares dhe në shkollën e mesme maskat janë të domosdoshme.

Prandaj, këtu del ajo nevoja e udhëheqësisë vizionare e shkollës. Tirana duhet të jetë e alternuar midis shkuarjes në shkollë dhe me pjesën online. T’u japim fund raportimeve politike për performancën, por të jepen fakte se pse shkolla është e sigurt për nxënësin”, shtoi ajo./EuroNews Albania